Ryker: Njerëzit në Kosovë janë të lodhur dhe të zhgënjyer
Albeu.com
Njerëzit në Kosovë janë të lodhur dhe të zhgënjyer, kurse atmosfera është e tensionuar, sepse e dinë që statusi ende nuk është zgjidhur, ndonëse kjo është premtuar shumë herë. "Tani ndodhemi në një pikë, që njerëzit në Kosovë kanë nisur të humbasin besimin jo vetëm ndaj udhëheqjes së tyre politike, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare", deklaroi për radion gjermane "Deutschland Funk" shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker. Ndërkaq, lidhur me vazhdimin e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, Ryker thotë se shqiptarët e Kosovës janë skeptikë sa i përket vazhdimit të bisedimeve dhe nuk mund të negociojnë për statusin, megjithatë, ai ka siguruar se "grupi negociator nga Prishtina shkon me qëndrim pozitiv në këto bisedime" që do të shihet se çfarë do të sjellin ato deri më 10 dhjetor. Ryker konsideron se Plani i Ahtisarit vazhdon të jetë në tryezë të bisedimeve që "është rezultati i deritanishëm i procesit të drejtuar nga OKB ja dhe me siguri që do të luajë një rol në bisedime". I pyetur nëse sheh rrezik në shpalljen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, Ryker tha se nuk do që të spekulojë për të ardhmen pas 10 dhjetorit, por shtoi se grupi negociator i Prishtinës ka hyrë "me qëllime të mira në këtë periudhë bisedimesh". Në një pyetje hipotetike se si do të reagonin palët në rast se Këshilli i Sigurimit imponon një zgjidhje dhe nëse ekziston rreziku i reagimit me dhunë, Ryker tha se plani i Ahtisarit ishte i shtruar në tryezë kur Këshilli i Sigurimit në qershor nuk pranoi që ta përdorë atë si bazë për zhvillimet e mëtejshme. Ai vlerësoi se plani i Ahtisarit ishte në përgjithësi i përshtatshëm për të gjetur mbështetje dhe se "për shqiptarët e Kosovës ai presupozon një kompromis të madh përsa i përket diskriminimit pozitiv". Në anën tjetër, tha Ryker, "edhe serbët e Kosovës, përveç aspektit të pavarësisë, nuk kanë qenë të pakënaqur me elemente të veçanta substanciale të planit të Ahtisarit: siç janë vetëadministrimi lokal dhe mbrojtja e minoriteteve", u shpreh Ryker në këtë intervistë për radion gjermane.
Shtuar më 05/09/2007, ora 17:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori