Ryker e Shatri vlerësuan se është shënuar progres në përmbushjen e standardit të pestë
Pëlqej
Albeu.com
Në takimin e sotëm të rregullt të Grupit punues për ekonominë, shefi i Shtyllës së katërt të UNMIK ut, Joakim Ryker dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri vlerësuan se në këtë sferë është shënuar progres në përmbushjen e standardit të pestë, konkretisht në nënstandardet 8, 10 dhe 11.Ryker u shpreh se ka një progres në këtë drejtim, duke vlerësuar edhe bashkëpunimin e ngushtë mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve.
"Ka një progres dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Gjithashtu edhe bashkëpunimi në mes të Shtyllës së katërt dhe Ministrisë se Ekonomisë dhe Financave është shumë i ngushtë dhe bazohet në lojalitet të plotë nga të dyja anët".
Një temë tjetër që është diskutuar në këtë takim ishte edhe angazhimi i institucioneve të Kosovës dhe të UNMIK ut për luftën kundër korrupsionit, ndërkaq Ryker theksoi Ligjin kundër korrupsionit që është shpallur nga PSSP ja në maj të këtij viti.
Nga ana e tij, ministri Shatri nënvizoi se me këtë ligj parashihet formimi i një agjencie për luftimin me sukses të korrupsionit. Por sipas tij, nuk pengohet vetëm me ligj përhapja e korrupsionit apo dukuritë negative, por edhe institucionet dhe administrata ndërkombëtare kanë instrumente për ta luftuar me sukses këtë fenomen. Shatri përmendi ligjin për menaxhimin e financave publike që parasheh auditimin e shpenzimeve buxhetore për vitin buxhetor, si dhe aktivitetet e zyrës për qeverisje të mirë të kryeministrit.
Me gjithë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që pagat nuk bën të ngriten sivjet, megjithatë Shatri tha se me zbatimin e rregullores së re të gradimit, në sektorin civil do të ketë ngritje pagash prej një korrikut. Ndërkaq, pagat në Shërbimin Policor të Kosovës dhe në arsimin e lartë, tha ai, mund të jenë më të avancuara krahasuar me njësitë e tjera shpenzuese. qik
Shtuar më 25/05/2005, ora 23:07
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori