Ruli godet Bashën: Barra që i kanë vendosur në kurriz po i thyen kockat
Genc Ruli ka dhënë një intervistë për gazetaren Luljeta Progni duke shpjeguar pakënaqësitë ndaj mënyrës se si PD e administroi humbjen e zgjedhjeve lokale si edhe problematikat e hasura me disa drejtues lokal të saj duke shigjetuar jo pak edhe kreun Basha.

Duke folur në mënyrë të tërthortë, Ruli e quan Bashën të emëruar në mënyrë nepotike në krye të PD-së dhe se i kanë vënë barrë të rëndë në kurriz, e cila po i thyen edhe kockat.

“Politika nuk është rekrutim, është përkushtim. Pra dy janë rrugët që i riu të hyjë si në çdo profesion tjetër, pra nëpërmjet shkollimit, maturimit, përkushtimit në jetën politike, dhe rruga tjetër është që përzgjidhet rastësisht në mënyrë subjektive apo nepotike, të mos kalojë në asnjë test dhe të katapultohet direkt e në krye. Kjo rrugë e dytë i bën dëm vetë të riut, së pari pasi ai merr përsipër një barrë të rëndë të cilën në të shumtën e rasteve zor se e mban dot. Nuk e mban dot sepse, e thënë në mënyrë figurative, për shkak të barrës që i dhuron në kurriz tutori, i thyhen kockat ende pa iu formuar”., - thekson ai.
Ai gjithashtu e konsideron Bashën përgjegjës për rezultatin e zgjedhjeve lokale.

“Ai apo ata që marrin lavdinë në rast fitoreje duhet të marrin dhe përgjegjësinë në rastin e humbjeve. Kjo duhet të bëhet zakon që duhet të ngulitet me sinqeritet në elitën politike shqiptare. Kemi dhe përvoja të kundërta në historinë e politikës shqiptare, pra përvoja të liderit që është i zellshëm të marrë tërë lavdinë e fitores por që i shmanget tërësisht përgjegjësisë për humbjen”, - thekson ai.

Në këtë mënyrë, Ruli bëhet i dyti politikan i lartë që e kërkon tek Basha përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve pas Berishës, i cili megjithatë nuk ishte kaq i drejtpërdrejtë sa ish-ministri i tij.

Ai gjithashtu ka kërkuar bërjen e një analize të ftohtë të shkaqeve të humbjes në nivele të larta drejtuese të partisë duke u hequr të drejtën drejtuesve lokalë që të dalin të përfundime ndërkohë që nuk ka një mendim të qartë nga vetë partia për atë që ka ndodhur.

“Duke mos pasur një analizë zyrtare të urtë e të qetë, deri më sot ndodhi qe individe të niveleve të ndryshme partiake shfrytëzuan rastin për të ndërmarrë, për hir vetëm të një protagonizmi e karrierizmi individual, bërjen e nje “analize” subjektive banale e qëllimkeqe”, - vijon ai.

PD ka disa muaj që po vlon nga debatet brenda saj pas zgjedhjeve lokale të qershorit nisur edhe për shkak të një rivaliteti mes figurave ekzistuese të saj dhe të ashtuquajturve “të ardhur” pas kalimit të Bashës në krye të kësaj partie./albeu/
Shtuar më 14/10/2015, ora 17:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori