Rugova dhe Moisiu urojnë qytetarët me rastin e Bajramit
Albeu.com
Presidenti shqiptar Moisiu dhe ai kosovar Rugova urojnë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.Me këtë rast, Presidenti Rugova ka përgëzuar edhe kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava.
"Të gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet e mia të përzemërta me rastin e festës së Bajramit të Vogël.
Festa e Bajramit të Vogël është ditë e sakrificës, e solidaritetit dhe e fuqisë së besimit në Zotin. Gjithashtu është ditë e mirëkuptimit dhe e paqes në vendin tonë.
Dhashtë Zoti që sa më shpejt të gëzojmë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga miqtë tanë!", thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Rugova.


Edhe Presidenti i Republikës se Shqiperise Alfred Moisiu uroi sot përmes një mesazhi dërguar Kryetarit të Komunitetit Mysliman shqiptar, Selim Muça, besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e Festës së Kurban Bajramit.    Kreu i shtetit në mesazhin e tij derguar Muces shprehet se “në këtë ditë të shënuar, të përkujtimit të sakrificës dhe shërbimit ndaj Zotit, ne përcjellim mesazhet e dashurisë e të kujdesit për të vobektit si dhe urimin për një Shqipëri më të begatë. Harmonia, toleranca fetare dhe paqja qofshin bashkudhëtarë të jetës sonë. Qoftë e lumtur dhe e gëzuar Festa e Kurban Bajramit” . 
Shtuar më 10/01/2006, ora 02:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori