Rudina Hajdari: Rezoluta pa vlerë juridike, zgjedhjet muajin tjetër
Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, e konsideron të pavlerë rezolutën e Partisë Socialiste për vendimin e Ilir Metës për të çdekretuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet vendore. Ajo tha se organi i vetëm që mund të konstatojë shkeljen e Presidentit me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve është Gjykata Kushtetuese.

“Rezoluta nuk ka vlerë juridike, ngre presionin dhe shantazhon Presidentin. Gjykimin e bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Mocioni i shkarkimit për presidentin vjen me 34 deputetë. Fakti që ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese është fatkeqësi e madhe. Prandaj shqiptarët po shohin një lojë të shpifur. Gjykata është organi i vetëm që konstaton këtë lloj shkelje”.

Megjithatë ajo ngre tre pyetje ndaj Presidentit.

“Pse mendon se ky akt zgjidh krizën? Nëse palët nuk dakordësohen për një datë të re zgjedhjesh mos e futim vendin më shumë në krizë? Nëse gruaja juaj është palë e opozitës dhe kjo palë është bërë pjesë e këtij konflikt, nuk është ky konflikt i pastër personal? Ai duhet të ulet me të gjitha palët”.

Hajdari tha se në rastin më të mirë zgjedhjet mund të shtyhen vetëm një muaj. “Muajin tjetër do të kemi zgjedhje. Por a ja vlejti që opozita të digjte mandatet, a ja vlejti barra qiranë? Absolutisht jo. E gjitha bëhet që këta të tre të ulen dhe të zgjasin pushtetin e tyre”, tha ajo.
Shtuar më 13/06/2019, ora 11:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori