Ruci-Patozi takohen sot per draft-rezoluten
Albeu.com
Negociatat për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit pritet që të rifillojnë paraditen e sotme me një tjetër takim mes Gramoz Ruçit dhe Astrit Patozit.Krerët e dy grupeve parlamentare kanë diskutuar pasditen e djeshme dhe parimisht kanë lënë takimin për ditën e sotme, por pa fiksuar një orë të saktë. Ata do të kontaktojnë mëngjesin e sotëm në telefon. Burime nga të dyja partitë politike bëjnë të ditur se zhvillimi i raundit të dytë të negociatave midis PD-PS pritet të zhvillohen sërish në Kryesinë e Kuvendit.

Takimi i sotëm pritet që të shënojë zyrtarisht edhe fillimin e punës për hartimin e rezolutës së përbashkët. Angazhimi i të dyja palëve për përmbylljen sa më parë të negociatave dhe miratimit të një marrëveshje për atë që do të arrihet në takime, që do të mundësonte edhe krijimin e Komisionit të ri Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit përpara mbarimit të sesionit parlamentar, do të sjellë dhe fillimin e punës për hartimin e dokumentit të konsensusit.

Burime zyrtare nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste bëjnë të ditur se në takimin e radhës do të fillohet nga puna për përgatitjen e draft-rezolutës që do të miratohet nga të dyja partitë. Mësohet se në këtë takim do të nisë edhe krijimi i një drafti paraprak, i cili do të përmbajë pikat, për të cilat është rënë dakord nga të dyja palë.

Në takimin e parë zyrtar, negociuesit ranë dakord midis tyre për katër pika. Së pari, për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, sa më shpejt të jetë e mundur brenda këtij sesioni parlamentar dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të parlamentit. Së dyti, është rënë dakord që mazhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë në takimet që do të pasojnë të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht. Së treti, objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore. Së katërti, është rënë dakord që të gjitha institucionet shtetërore KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që t'i përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh.

Ajo për të cilën palët nuk bien dakord është çështja e hetimit të fletëve të votimit. Nga Partia Socialiste mësohet se për qëndrimin e tyre nuk ka çfarë të diskutohet, pasi kanë lëshuar shumë nga ajo çfarë kërkonin ata. Tashmë, për opozitën është radha e Partisë Demokratike që të lëshojë "pe" nga qëndrimi i tyre. Për çështjen e fletëve, mazhoranca i ka ofruar opozitës dy alternative. Së pari, nëse kërkon të hetojë zgjedhjet e shkuara me fletët e votimit duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo e fundit t'i drejtohet Komisionit të Venecias.

Së dyti, nëse do të vijohet me hetimin e zgjedhjeve nga e socialistëve të zbatohet neni 176 pika 8 të Kodit Zgjedhor, ku parashikohet, sipas mazhorancës, djegia e fletëve të votimit. Por, kjo pikë pritet të jetë temë kryesore midis dy negociatorëve, të cilët do të përpiqen të gjejnë modalitetin për hetimin e zgjedhjeve që do të kënaqë të dyja palët. Burime pranë Patozit dhe Ruçit pohuan dje se sot pritet që të vendosen edhe modalitetet konkrete të negociatave të mëtejshme, por edhe të komisionit hetimor. (shekulli)
Shtuar më 16/07/2010, ora 12:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori