Ruçi letër zyrtarëve në Bruksel
Gramoz Ruçi
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste i ka dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Brukselit ku ankohet se kryeministri Sali Berisha dhe mazhoranca ka lënë pas dore detyrimet e rezolutës së Parlamentit Evropian për zgjidhjen e krizës politike në vend. Më poshtë letra e plotë:


I nderuar Mr. Schulz,

I nderuar Mr. Daul,

I nderuar Mr. Füle,

Eksperienca e procesit konsensual që ndërtuam në zgjedhjet e kaluara, përsa na takon si PS e si opozitë duke vënë interesin e vendit, interesin e njerëzve mbi çdo thirrje të një tradite konfliktuale, ku bëmë gjithë sa mundëm, gjithë sa ditëm, duke i dhënë për herë të parë në historinë e pluralizmit këtij vendi, një reformë zgjedhore të miratuar me konsensusin më të gjerë, 9 muaj para zgjedhjeve, për fat të keq nuk prodhoi rezultatin e dëshiruar: mbylljen e kapitullit tragjik të tranzicionit shqiptar me procese zgjedhore të deformuara e të kontestuara.

Ne jemi të bindur se zgjedhjet e qershorit të 2009 nuk i deformoi kodi zgjedhor, por shkelja e kodit zgjedhor duke njehsuar shtetin me pushtetin dhe shkatërrimi i qëllimshëm i mekanizmave garantues që përcaktuam së bashku me PD.


Sh.T.Z. Martin SCHULZ

Kryetar i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian

Bruksel


Sh.T.Z. Joseph DAUL

Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian

Bruksel


Sh.T.Z. Štefan FÜLE

Komisioner për Zgjerimin

Komisioni Europian

Bruksel


Pavarësisht se çdo kod, çdo ligj është i përmirësueshëm, pavarësisht se ky kod ka nevojë për përmirësime, ne na duhet në radhë të parë që ligjet që miratojmë ti zbatojmë.

Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për garancinë që vota e tyre nuk do të deformohet, se vullneti i tyre si zgjedhës nuk do të tjetërsohet dhe se rezultati i zgjedhjeve do të jetë shprehje e zbatimit të ligjit të zgjedhjeve nga fillimi deri në fund.

Për këtë arsye, ne duam të vendosim një gur themeli në bashkëjetesën tonë demokratike, duke filluar vendosja e ligjshmërisë në procesin zgjedhor, përmes një transparence që do të na tregojë qartë shkallën e zbatueshmërisë së ligjit ekzistues të zgjedhjeve në Shqipëri, pikat ku duhet të ndërhyjmë për përmirësime ligjore dhe natyrën e shkeljeve të këtij ligji themelor të cilat në të gjitha rastet e dyshuara për manipulime të qëllimshme do t’i kalojnë organeve të drejtësisë.

Opozita nuk kërkon të draftojë apo imponojë një kod të ri. Opozita nuk pret, nuk dëshiron dhe nuk kërkon asnjë ekskluzivitet në procesin demokratik. Përkundrazi, edhe oferta jonë e re për të zgjidhur krizën që i ka rrënjët tek zgjedhjet e shkuara është dëshmi e vullnetit tonë të palëkundër që të reformojmë rregullat e bashkëjetesës sonë në këtë vend e ta modernizojmë vendin duke e afruar me Europën. Por ne nuk mund të jemi dekori i një demokracie që nuk funksionon, ku ligjet miratohen po nuk zbatohen, ku tjetër është vendi ynë në letrat e legjislacionit dhe krejt tjetër vendi ynë në realitetin e përditshëm të njerëzve.

Shqipëria është në një krizë të thellë politike dhe institucioanle, burimi i së cilës është pikërisht deformimi i procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 nga ka dalë një parlament që po prek nivele të panjohura më parë të shkeljes së parimeve e normave që rregullojnë funksionimin e tij. Jeta parlamentare është cënuar rëndë për shkak të eleminimit në mënyrë të dhunshme të votimit të fshehtë edhe kur bëhet fjalë për persona të vecantë, manipulimit të procesit të votimit në sallën e Kuvendit, mungesës së transparencës minimale të procesit legjislativ në tërësi, moslejimit të mbikqyrjes financiare dhe ndryshimit në mënyrë të njëanshme të rregullave të funksionimit të parlamentit tri herë brenda këtij sesioni parlamentar.

Mungesa e funksionimit të jetës parlamentare është shoqëruar me kapjen nga ana e qeverisë të të gjitha institucioneve të pavarura dhe, shembullore, me ndëshkimin politik të kandidatëve të propozuar nga Presidenti i Republikës për në institucionet e drejtësisë, bazuar mbi parimet e të ashtuquajturit ligj të lustrimit, packa se të konsideruar antikushtetues nga Komisioni i Venecias, të kritikuar ashpër nga komunitetit ndërkombëtar e me pas të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e vendit, por të zbatuar de facto në realitet.

Korrupsioni, kultura e pandëshkueshmërisë dhe krimi i organizuar shfaqen më kërcënueshëm se asnjë herë tjetër në jetën publike për shkak të një qeverisje që nuk buron nga vullneti i popullit dhe mosfunksionimit të institucioneve të shtetit të së drejtës. Vetëm pak ditë më parë është vrarë në pragun e shtëpisë një kryekomunar i opozitës, ndërkohë që për vrasjen e një deputeti të opozitës në prag të fushatës së shkuar nuk ka ende asnjë rezultat hetimor.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë tonë në rrugëtimin europian të vendit, të cilën e njohim dhe e kemi marrë përsipër qysh në krye të herës. Për këtë arsye kemi bërë hapa pas hapash drejt kompromisit. Nuk ka pikë dyshimi se qeveria dhe posaçërisht kreu i saj kanë përgjegjësinë kryesore për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, që po e paguajnë përditë shqiptarët.

Ne dëshirojmë të shikojmë hapa nga ana e qeverisë drejt pikës së daljes nga kriza e rëndë përmes një kompromisi që mundëson përshpjetimin e proceseve demokratizueze dhe europianizuese të Shqipërisë.

Nuk kërkojmë as më shumë e as më pak po një pikë kompromisi që mishëron fund dhe krye rezolutën e Parlamentit Europian të datës 8 korrik 2010 ku vecoj shprehimisht kërkesë/rekomandimin për arritjen e një “marrëveshje bazë për ngritjen e një komisioni parlamentar me qëllim hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009, me Kryetar dhe shumicën e anëtarëve të zgjedhur nga opozita, dhe me një mandat për të hetuar materialet zgjedhore sa më shpejt të jetë e mundur”.

Në bazën e këtij vullneti dhe në funksion të zbatimit të kësaj rezolutë 35 deputetë të PS kanë firmosur kërkesën për ta ngritur komisionin parlamentar një orë e më parë dhe vetëm me ngritjen e këtij komisioni parlamentar ne jemi të gatshëm të fillojmë paralelisht punën për reformën zgjedhore.

Duke ju falenderuar për gjithë sa keni bërë deri këtu për Shqipërinë e shqiptarët, kërkoj në emër të grupit parlamentar të opozitës shqiptare vëmendjen tuaj për një situatë aspak optimiste që pa një zgjidhje të arsyeshme kompromisi nuk premton asgjë të mirë për të ardhmen e afërt.

Me mirënjohje dhe konsideratat tona më të larta,

Me respekt,

Gramoz Ruçi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
Shtuar më 30/10/2010, ora 17:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori