E FUNDIT/ Futbolli në zi, ndërron jetë Diego Armando Maradona
Ruçi, letër Metës: Fut Reformën në Drejtësi në kalendarin e Kuvendit
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Kuvendit Meta që të përfshijë në Konferencën e Kryetarëve Reformën në Drejtësi. Kreu i deputetëve socialistë, në një kërkesë të veçantë prej 7 faqesh parashtron në mënyrë të argumentuar, bazuar në Kushtetutën e vendit dhe Rregulloren e Kuvendit, nisjen e procedurave parlamentare për miratimin e projektamendamenteve kushtetuese, së bashku me 7 projektligjet përkatëse, pas miratimit të tyre nga Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Ruçi i kërkon kryeparlamentarit Meta dhe Konferencës së Kryetarëve dy veprime në përputhje me Rregulloren e Kuvendit: "E para, të njoftojë Kuvendin, në seancën më të parë, për projektligjet përkatëse të hartuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, me qëllim shqyrtimin e tyre në seancë plenare gjatë muajit korrik;

E dyta, të përfshihen në kalendarin e Kuvendit shqyrtimi dhe miratimi i projektamendamenteve kushtetuese, së bashku me 7 projektligjet përkatëse, miratimi i të cilave përbën përparësi vendimmarrjeje për Kuvendin, për shkak se bëjnë të mundur zbatimin e projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, ‘Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar dhe fillimin nga veprimtaria e institucioneve të reja kushtetuese dhe shmang krijimin e boshllëkut ligjor në veprimtarinë e institucioneve ekzistuese të sistemit të Drejtësisë".

Kërkesa e djeshme e Ruçit pason dy hapa të tjerë të rëndësishëm të ndërmarrë nga maxhoranca fundjavën e shkuar. Ishin 33 deputetë të maxhorancës aktuale PS, LSI, PDIU që depozituan në Kuvend nismën ligjore për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ndryshime të cilat materializojnë Reformën në Drejtësi.

Të hënën, Komisioni për Reformën në Drejtësi rinisi mbledhjet e tij duke miratuar një kalendar, në bazë të të cilit do të shqyrtohen, votohen nen për nen dhe në tërësi, shtatë ligje që bëjnë të mundur zbatimin e ndryshimeve të reja në Kushtetutë, por në anën tjetër, bëjnë funksionale institucionet e reja të Drejtësisë.

Pritet që kërkesa e Ruçit të përfshihet në një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, e cila si rregull mblidhet çdo të enjte para seancës. Në letrën e tij, Ruçi shprehet se për shkak se projektamendamentet kushtetuese dhe projektligjet janë produkt i një komisioni të posaçëm parlamentar, ato nuk duhet të ndjekin procedurën e parashikuar në nenin 77/a dhe 77/b të Rregullores së Kuvendit për t’i kaluar ato më parë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, por të ndjekin një procedurë të veçantë.

Opozita nuk mori pjesë në miratimin nen për nen të draftit të ndryshimeve kushtetuese në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, duke e cilësuar të njëanshëm atë dhe këmbëngul te kërkesa e saj për vendet e rezervuara për përfaqësim në institucionet e reja të Drejtësisë. /albeu.com/
Shtuar më 22/06/2016, ora 08:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori