RTK dhe “21” kthehen, “Top Channel” vështirë
Albeu.com
Operatori kabllovik “Cabletel” nga Shkupi, vështirë se do t’ju kthen para paguesve të saj televizionin “Top Channel” edhe pse i njëjti qëndron në listën e programeve që ky operator ofron.nga Laura PAPRANIKU, G. Lajm
Operatori kabllovik “Cabletel” nga Shkupi, vështirë se do t’ju kthen para paguesve të saj televizionin “Top Channel” edhe pse i njëjti qëndron në listën e programeve që ky operator ofron në komunat e Çairit, Butelit, Gazi Babës dhe në një pjesë të komunës Qendër. Jo zyrtarisht bëhet e ditur se do të rikthehen Radiotelevizioni i Kosovës dhe Televizionin 21, nga Prishtina. RTK dhe TV 21 u shkyçën, nga oferta programore, që të mërkurën e javës së kaluar bashkë me “Top Channeli”in, pa asnjë paralajmërim dhe pa u dhënë asnjë shpjegim zyrtar abonentëve.
“Cabletel”, që mendohet se ka rreth 100 mijë abonentë, nuk ka dalë të shpjegojë zyrtarisht arsyet e këtij veprimi, as pas apelit të Lëvizjes qytetare “Zgjohu”, për të korrigjuar urgjentisht vendimin dhe kërcënimeve të tyre se do të ftojnë qytetarët të bojkotojnë pagesa mujore. Prej disa punonjësve të “Cabletel”-it, është bërë e ditur se “po punohet për të rikthyer RTK-në dhe TV 21, mirëpo jo edhe “Top Channel”-in”. Lidia Gollubova, koordinatore e “Cabletel”-it, ka thënë se është shumë e vështirë të arrihet marrëveshje me këtë Televizion, “për shkak të paketës digjitale”. Mirëpo, ajo nuk ka mundur të përgjigjet se si “Cabletel” e ka shfrytëzuar deri tani këtë televizion kur ka më shumë se pesë vjet ai që posedon paketën “Digitalb”.
Shkyçja e “Top Channel”-it, RTK-së dhe TV 21, nga programet kabllovike, u komentua si e motivuar politikisht dhe me qëllim të krijimit të terit informative, rreth ngjarjeve që kanë të bëjnë me përgatitjet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Në fillimin e muajit më të rëndësishëm për shqiptarët në të gjithë rajonin, terri informativ për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri është absolutisht i palejueshëm, andaj kërkojmë vendosmërisht që ky vendim të korrigjohet, urgjentisht”, thuhej në reagimin e “Zgjohut”. Autoriteteve të “Cabletel”, u kërkohej të përmbushë kërkesat dhe nevojat e mbi 100 000 abonentëve shqiptare, nëse nuk dëshirojnë të ballafaqohen me bllokadë financiare. Momentalisht, në programet e “Cabletel”, prej televizioneve shqiptare ka mbetur “Vision plus”-i nga Tirana, si dhe “Era” dhe Toska” nga Shkup. Këto të fundit nuk kanë ndonj skemë të lavdërueshme programore, kurse “Vizionplus” , nuk ka thuajse fare debate politike për Kosovën apo të karakterit mbarëshqiptarë, sikurse “Top channel”, i cili shquhet në këtë drejtim.
Shtuar më 05/02/2008, ora 21:43
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori