ARRSH nuk surprizon, tenderin për rrugën Elbasan-Qafë Thanë e merr kompania që ofroi më shumë

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fitues kompaninë 4-AM në tenderin për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, faza e dytë, edhe pse kompania paraqiti ofertën më të lartë. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, në tenderin me fond limit 2.5 miliardë lekë  u paraqitën 3 oferta në total për zgjerimin e rrugës me gjatësi 3.84 kiliometra.

E para ishte e kompanisë Albavia, e cila ofroi vlerën 2 miliardë e 163 milionë lekë. Oferta e dytë ishte e kompanisë Geci me 2.2 miliardë lekë,  ndërsa e treta ishte ajo e kompanisë 4-AM me vlerë financiare 2 miliardë e 424 milionë lekë ose 21.7 milionë euro.

ARRSH ka skualifikuar dy ofertat e para dhe ka vendosur të shpallë fituese pikërisht kompaninë 4-AM, e cila kishte një ofertë 2.4 milionë euro më të lartë se sa oferta më e ulët. Pra sa 97 për qind e fondit limit.

Sipas arsyeve të paraqitura nga ARRSH, Albavia është skualifikuar për shkak se nuk përmbush kapacitetet teknike për mjete dhe personel, ndërsa Geci është skualifikuar me arsyetimin se nuk ka punë të ngjashme, shkruan Oligarkia.al.

Vetëm dy ditë më parë Albavia fitoi një kontratë po kaq të madhe në vlerë për ndërtimin e rrugës Berat-Ballaban, ndërsa pak javë më parë Geci u shpall fituese në tenderin e rrugës së Porto Romanos me vlerë mbi 8 milionë euro.

Në fakt këto procedura prokurimesh tregojnë se më shumë se sa garë reale, tenderat e infrastrukturës rrugore në Shqipëri janë një karuzel, ku secili merr nga një copë në dëm të konkurrencës së vërtetë.

Ndërsa qytetarët paguajnë koston e mungesës së konkurrencës, përmes çmimeve më të larta që paguhen nga buxheti për ndërtimin e këtyre rrugëve. Në këtë rast, diferenca e ofertës që fitoi dhe asaj më të ulët është 2.4 milionë euro.


Shtuar 1.06.2023 13:11