Rriten taksat mbi ndërtimin/ Çmimet e apartamenteve pritet të shtrenjtohen sërish
Çmimet e apartamenteve pritet të rriten sërish pasi Parlamenti ka miratuar një ligj, i cili rëndon drejtpërdrejtë barrën fiskale mbi ndërtimet e reja. Ligji për strehimin social detyron bizneset e ndërtimit që për çdo objekt të ri që ndërtojnë të kalojnë 3 për qind të sipërfaqes në favor të bashkive, që të përdoret për të pastrehët.

“Çdo subjekt privat që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 3 për qind të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale,” sanksionon ligji.

Këto sipërfaqe do të kalojnë në Fondin Publik të Banesave Sociale, i cili do të jetë në pronësi të Bashkive në të gjithë vendin. Edhe pse këto banesa do të përdoren për t’u dhënë me qera sociale për të pastrehët, kjo masë e qeverisë do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në rritjen e çmimit të apartamenteve për qytetarët.

Dy vjet më parë Bashkia e Tiranës trefishoi taksën e infrastrukturës mbi ndërtimet duke e çuar atë në 8 për qind të vlerës së investimit. Ligji i ri për strehimin social rrit edhe më shumë barrën fiskale mbi ndërtimin, e cila do të përcillet më tej në rritje të çmimeve.

Sipas përllogaritjeve të bëra në relacionin shoqërues të ligjit, del se vetëm në Tiranë ndërtuesit do të kalojnë rreth 16 mijë metra katrorë në vit ndërtime të përfunduara për llogari të Bashkisë.

Sipas qeverisë, për të lehtësuar ndërtuesit nga kostoja shtesë e taksës së re, ajo mund të vendosë që taksa e infrastrukturës të mos paguhet menjëherë sapo merret leja e ndërtimit, por ndërtuesit të kenë mundësi ta paguajnë me këste.

Çmimet

Blerja e një shtëpie për një familje me të ardhura mesatare në Shqipëri është një sakrificë gati e pamundur. Kryeqyteti shqiptar renditet në vendin e 241 nga 267 qytete në botë për sa i përket përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti, të matur sipas fuqisë blerëse, duke qenë ndër më të shtrenjtët në botë dhe e katërta më e shtrenjtë në Europë.

Të dhënat bëhen të ditur nga Numbeo, që rendit 267 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).

Ndonëse në vlerë absolute një apartament mesatar në Tiranë kushton 70 apo 100 mijë euro, duke pasur parasysh të ardhurat e ulëta, duhet një kohë shumë e gjatë për t’u bërë pronar i tij, në krahasim me një apartament në Vjenë, Paris, Nju Jork, Milano, Firence, Lisbonë, Barcelonë, Stamboll, Gjeneve etj.

Në Tiranë, sipas këtij indeksi, duhen 18.3 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Paris, një familjeje i duhen 16.4 vite, në Vjenë 12.9 vite. Në Nju Jork duhen 10 vite, në Zyrih 10.1, në Milano 17.8 vite. Në Barcelonë mjaftojnë 13.1 vite.

Edhe në krahasim me 5 vjet më parë, duhet shumë më tepër kohë për të blerë një apartament në kryeqytetin shqiptar. Sipas të njëjtës renditje të Numbeo në vitin 2012, kur raportohen për herë të parë të dhënat për kryeqytetin shqiptar, Tirana renditej në vendin e 104 dhe duheshin 12.5 vite për t’u bërë pronar i një shtëpie. Rritja e çmimeve të shtëpive me ritme shumë më të shpejta sesa e të ardhurave ka bërë që të bëhet gjithnjë e më e vështirë të blesh një apartament.
Shtuar më 27/05/2018, ora 18:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori