“O Zot, çfarë kam bërë që më morën prap”, babai rrëfen fjalët e fundit të djalit që u vetëvar në burg
Pas vetëvarjes së të riut nga Kolonja e Lushnjës, familja e 22-vjeçarit ka hapur dje dyert e mortit. Trupin e Estref Halilit e sollën në fshatin e tij rreth orës 12:30, ndërsa është përcjellë për në banesën e fundit në orën 15:00.

Babai i tij, Ardian Halili, shprehet për “Panorama” se i biri ishte veçse përdorues i drogës dhe kjo ngjarje mund të ishte shmangur.
Sipas tij, Policia e kishte arrestuar atë pak ditë para Vitit të Ri për një cigare hashash.

Z. Halili, kur e kanë arrestuar djalin tuaj, Estrefin, dhe për çfarë akuze?

Djali im vuajti 3 vite e gjysmë burg para se ta arrestonin këtë herën e fundit. Ishte me shokë të tij kur iu gjetën 3 g hashash. Estrefi pranoi se e pinte ai dhe jo shokët. E arrestuan dhe pasi kreu dënimin, u la i lirë në muajin shkurt 2016. Tani, më 22 dhjetor, dy djem futen në grupin e shokëve të djalit e si rastësisht e pyesin për një cigare që djali kishte pasur në dorë. Ai u ka thënë se ka në përbërje edhe hashah. Ata kishin qenë policë të veshur civilë, por djali nuk e dinte.

Çfarë ndodhi më pas?

I kontrolluan makinën, të cilën Estrefi e kishte të vëllait të tij. Gjatë kontrollit i gjetën një thikë të vogël buke. Për këtë e arrestuan. Nuk u mor vesh cila ishte vepra penale që kreu djali im, cigarja që e pinte vetë dhe nuk e shiste, apo thika e bukës me të cilën i kishte sqaruar se e mbante për të prerë fruta. As nuk e dëgjoi njeri fare. E arrestuan.

Ku e çuan pas kësaj?

E morën dhe e çuan në paraburgim në Fier dhe më pas iu dha masa “burg pa afat”. Kjo masë e bëri djalin të ndihej keq dhe thoshte shpesh: “O Zot, po çfarë kam bërë që më morën prapë? S’kam bërë asnjë krim”. Ishte i paqartë pse po e arrestonin prapë dhe e shprehte këtë. Plus që e morën para festave. Ai kishte planifikuar të festonte me ne, sepse kishte disa vite që për Vit të Ri ishte në burg.

Folët me djalin pasi e arrestuan sërish? Kur keni folur për herë të fundit me të?

Pasi e çuan në Rrogozhinë, foli i vëllai dhe e ëma. Ishte i mërzitur, por jo që të mendonim se do na bënte hatanë. Nuk kishte shprehur asgjë të tillë. Dukej i ngarkuar emocionalisht dhe vazhdonte të pyeste pse e kishin vënë në pranga. Ndihej keq. Folëm me të një ditë para se të ndodhte kjo. Por asgjë nuk kuptuam apo të na paralajmëronte vendimin e tij.

Kishte shenja depresioni? Pse mendoni se e kreu këtë veprim fatal?

Shenja depresioni jo. Ai ishte i kthjellët, por ama ishte djalë me sedër. Mund ta ketë bërë nga sedra, nga turpi. Kur doli nga burgu herën eparë, tha se i kishte ardhur shumë turp që bëri burg për një vepër që s’e kishte kryer. Mendonte se na e kishte ulur kokën te njerëzit. Por kur ne i thamë se ai kishte bërë hap fisnik dhe se kishte mbuluar shokët, sikur u ndje më i qetë dhe po e harronte atë pjesë. Tani i ra kjo, befasisht fare

Mendoni se mund të shmangej kjo ngjarje?

Duhej të gjendej një arsye pse ma arrestuan djalin. Djali im me një cigare arrestohet, e ata që çojnë e sjellim drogë me avion e maune e janë bërë bosat e drogës lihen të lirë.

Cili është apeli juaj tani pas kësaj ngjarjeje të rëndë për familjen tuaj?

Kërkoj drejtësi. Kërkoj që ata që ma morën djalin, të cilin s’do ma kthejnë dot kurrë më, të vihen në pranga e të gjykohen sepse dy mendje të papjekura e të papërgjegjshme në shtet më morën jetën e djalit në lule të moshës.

Ishte në marrëdhënie pune djali para arrestimit? Po ju punoni, me se jetoni këtu në fshat?

Djali nuk punonte, jo. Unë kam dy djem, kisha… se njëri iku. Asnjëri në punë. Unë kam punuar roje tek Ujësjellësi e më hoqi kjo parti sapo erdhi në pushtet. Madje 36 muaj i kam pa marrë rrogat e punës atje. Jetojmë me pak bujqësi e asgjë më shumë. Por kripë do ngjyeja në këtë sistem, por djalin s’ia kisha borxh që ma mori. Majlinda Rama/PANORAMA/

Shtuar më 06/01/2017, ora 07:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori