Rrezikojnë punën, 1200 mjekë pa kredit
Pëlqej
Profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë marrë asnjë kredit për kualifikimin e tyre rrezikojnë të largohen nga puna. Drejtues së Qendrës së Edukimit në Vazhdim (QEKV) bëjnë të ditur se janë mbi 1200 mjekë, farmacitë e dentistë që rrezikojnë vendin e punës në institucionet shëndetësore publike, apo pezullim të licencave në institucionet private, pasi nuk kanë grumbulluar asnjë kredit gjatë ciklit të parë të programit të ricertifikimit të njohurive, i cili ka nisur që në vitin 2010 dhe përfundon këtë vit.

Brenda kësaj periudhe farmacistët dhe dentistët duhet të kenë mbledhur 100 kredite, ndërsa mjekët 150 të tilla.

"Ka ende një pjesë të konsiderueshme prej 1200 mjekësh dhe farmacistësh që janë prapa me detyrimet e tyre. Rregullorja parashikon që mund të pezullohen kontratat e punës dhe për të gjithë mjekët, farmacistët dhe dentistët që punojnë në sektorin privat, kriteret e edukimit të vazhdueshëm janë kërkesë e licencimit të tyre. Për ata që janë prapa, që nuk kanë marrë asnjë kredit, është e vështirë që gjatë vitit qmbetet të përmbushin detyrimet", sqaron për Panorama-n drejtoresha e Qendrës së Edukimit në Vazhdim, Etleva Shehu.

PROVIMI

Mjekët, farmacistët dhe dentistët që nuk kanë grumbulluar kreditet e nevojshme do t’i nënshtrohen në fund të vitit një testimi, i cili do të përcaktojë dhe nivelin e kualifikimit të tyre.

"Të gjithë ata profesionistë që nuk përmbushin detyrimet në fund të ciklit, do t’i nënshtrohen një testimi për të vërtetuar që kanë njohuri të përditësuara për specialitetet ku punojnë", thotë Shehu.

Sipas QEKV-së, profesionistët, të cilët dështojnë në provimin e parë ose për arsye të ndryshme nuk i nënshtrohen atij, kanë mundësinë që brenda 6 muajsh nga përfundimi i ciklit të programit të ricertifikimit t’i nënshtrohen një provimi të dytë. Në rastet kur profesionisti dështon edhe në provimin e dytë ose nuk i nënshtrohet atij, atëherë ai rrezikon t’i pezullohet kontrata me institucionin ku është punësuar deri në momentin e kalimit me sukses të provimit. Pritet që së shpejti pjesë e programit të ricertifikimit të bëhen edhe infermierët. /albeu.com/
Shtuar më 23/02/2014, ora 12:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori