Po transportonte emigrantë të paligjshëm, shoferi tenton t’i shpëtojë policisë në Greqi, shkakton tragjedi me 6 vitkima

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Greqi këtë të shtunë, kur shoferi i një makine që po transportonte 10 emigrantë të paligjshëm, në tentativë për t’i ikur policisë shkaktoi një përplasje me 6 viktima.

Sipas policisë, gjithçka ka nisur në vendbanimin Makri në Aleksandropoli kur policët e Departamentit të Qarkullimit në Aleksandropoli i kanë bërë shenjë shoferit të huaj që të ndalojë. Mirëpo, në vend që të ndalonte, ai ka shkelur gazin, ka përplasur makinën e patrullës dhe më pas është larguar me shpejtësi duke vozitur në mënyrë të rrezikshme.

Si pasojë e manovrave të tij të rrezikshme, makina ka hyrë në drejtim të kundërt të rrugës Egnatia Aleksandropoli – Komotini dhe është përplasur kokë më kokë me një mjet tjetër që drejtohej nga një 46-vjeçar.

Drejtuesi i huaj i makinës, i cili nuk ka ndalur në sinjalin e policisë, ka lëvizur për rreth shtatë kilometra në mbrapsht në Egnatia Odos, pasi kjo është distanca nga kryqëzimi i Makrit deri në vendin e aksidentit.

Sipas informacioneve, 46-vjeçari fatkeq grek ishte banues në Aleksandropolis dhe po kthehej në qytet nga Komotini.

Madje, ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet, pasi nga tetë të plagosurit që u dërguan në spital, vetëm dy konsiderohen nga mjekët jashtë rrezikut për jetën. /albeu.com


Shtuar 15.04.2023 15:39