Rreth arsimit te perbashkuar
Albeu.com
Një popull, një histori, një kulturë, një gjuhë, por të shpërndarë në pesë shtete. Ideja për unifikimin e sistemit arsimor në mbarë hapësirat ku jetojnë shqiptarët është riaktualizuar sërish. Për herë të parë, kjo edhe mund të bëhet realitet. Për këtë ekziston vullnet edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë.Shumë shpejt personazhi i famshëm i Abetares, Petriti, pulat do t’i ushqejë gjithkund ku flitet shqip– Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në Medvegjë dhe Bujanovc. Ideja e unifikimit të sistemit arsimor, e filluar në vitet ’90, është riaktualizuar pas 20 viteve. Ëndrra për të pasur një Abetare, një histori dhe një kulturë të përbashkët në hapësirat shqiptare mund të bëhet shumë shpejt realitet. Në të beson ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.

Por, jo vetëm ai. Një vullnet i tillë ekziston edhe në Tiranë. Debati për këtë pritet të fillojë menjëherë pasi të konsolidohet qeveria e re në Shqipëri. Ndërsa, akademiku Mehmet Kraja thotë se kjo nismë është paksa e vonuar, por e vlerëson si të domosdoshme. Ndërsa, eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se është pak e besueshme se sistemi arsimor mund të unifikohet në të gjitha trojet shqiptare, ngase këto troje ndodhen në pesë shtete të ndryshme që kanë specifikat e veta.

Unifikimi i programeve dhe teksteve shkollore

“Kemi nevojë urgjente si popull që t’i integrojmë dy segmente të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kombëtare, kjo është kultura dhe arsimi”, vlerëson Kraja. Sipas tij, nuk është normale që një popull kaq i vogël siç janë shqiptarët, pavarësisht që jetojnë në hapësira të ndryshme politikisht të ndara, që të kenë sisteme kaq të ndryshme të arsimit.

Kraja shton se unifikimi i programeve dhe teksteve shkollore nuk ka të bëjë fare me politikën, por me përftimin e dijes nga gjeneratat e reja.
“Ne duhet të krijojmë një sistem unik të arsimit. Në rrethana të tilla, do të kemi tekste më cilësore, kjo mundëson qarkullimin e njerëzve, studimet nga një universitet tjetër...”, thekson ai. Pikërisht ky është ndikimi që shpreson ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, të ketë pas unifikimit të një pjese të sistemit arsimor. Cilësia do të rritet ndjeshëm, pas unifikimit, për këtë ministri Hoxhaj është i bindur. Sipas tij, Kosova është shumë e interesuar që debati për unifikimin e sistemit arsimor në mbarë trojet shqiptare të fillojë sa më parë.

“Jemi shumë të interesuar që të ketë një debat të mirëfilltë sa i përket unifikimit të planprogrameve në lëndë të caktuara, qoftë lëndë që i referohen identitetit, qoftë lëndë të fushave të tjera”, thotë ai. Hoxhaj shton se shumë shpejt, ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare do të ulen për debatuar lidhur me formën që duhet të ketë ky unifikim.

Ndërsa, Pupovci vlerëson se me gjithë faktin se ka dallime në mes të sistemeve arsimore të pesë shteteve ballkanike, ku mësohet në shqip, mundësia e bashkëpunimit ekziston. ”Planprogramet në disa lëndë mund të përfarohen deri në masën kur krijohet mundësia e shfrytëzimit të teksteve mësimore dhe doracakëve të përbashkët. Pastaj, nuk duhet harruar përmbajtjet elektronike në gjuhën shqipe që janë më se të pakta dhe që do të mund të zhvilloheshin ashtu që të mund të përdoren në mbarë hapësirën shqiptare”, thekson ai.

Sipas tij, metodat e mësimdhënies janë një fushë tjetër ku mund të zhvillohet bashkëpunimi, ashtu që të hartohen programe unike për trajnimin e mësimdhënësve dhe materiale trajnimi. (Artan Behrami, express)
Shtuar më 30/08/2009, ora 19:53
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori