Rreth 100 shtete do ta njohin Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë
Albeu.com
Pavarësia do të njihet gjerësisht dhe institucionet vendore po bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura për shpalljen e shpejtë, deklaroi Thaçi.Këto komente Thaçi i bëri pas takimit me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker, i cili tha se mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë janë plotësisht të gatshëm të përballen me çfarëdo sfide gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme.
Pavarësia e Kosovës është çështje e kryer, njohja e gjerë ndërkombëtare do ta pasojë shpalljen e ditëve të ardhshme, tha sot kryeministri Hashim Thaçi. Ai u shpreh i bindur se kurrfarë procesi apo tendence për shtyrje nga Beogradi nuk do të ketë sukses.

Kryeministri tha se institucionet vendore në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë po bashkëpunojnë ngushtë rreth përgatitjeve që i gjithë procesi të kalojë në mënyrën e duhur.

Me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker, ai diskutoi rreth këtyre përgatitjeve ashtu si edhe për zhvillimet politike pas statusit. Duke mos dhënë shumë detaje, apo qëndrime për statusin politik, Ryker tha se UNMIK-u është i përgatitur që të përballojë çfarëdo sfide eventuale gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Ai mohoi ekzistencën e strukturave paralele të sigurisë në veriun e Kosovës.

“Ka struktura paralele në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë dhe ato do të legalizohen ashtu siç parashihet me planin e Ahtisaarit. Por, kur bëhet fjalë për struktura administrative, UNMIK-u së bashku me institucionet vendore është autoriteti i vetëm. Ju siguroj se nga afër do të vëzhgojmë situatën sa u përket strukturave eventuale paralele administrative”, tha Ryker.

Ryker tha se në rast të informacioneve, strukturat e tilla do të trajtohen si ilegale.
Në ditët e pritjes së vendimit për statusin, çështje tjetër në të cilën është fokusuar vëmendja është ajo e vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë.

Kryeministri tha se ky mision do të jetë i mirëseardhur. Sipas tij, edhe pas vendosjes së tij, Kosova do të udhëhiqet nga qeveria e vendit, ndërsa misioni i BE-së do të ketë rol mbikëqyrës dhe këshillëdhënës. (rtk)
Shtuar më 08/02/2008, ora 20:31
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori