Rrëqethëse: Si vuajta 27 vite në burgjet e Enverit, torturat barbare në Hetuesinë e Tiranës
Kjo eshte historia e panjohur e Parid Deranit me origjinë nga fshati Shkjez i rrethit të Shkodrës dhe me banim në Gelsenkirchen Erle të Gjermanisë, ku babai i tij, Gjoni dhe vëllai, Jaku, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbyen si ushtarak me gradën e majorit dhe në prillin e vitit 1939 ata e shoqëruan Mbretin deri në kufirin me Greqinë, ndërsa Paridi, i cili gjatë periudhës së pushtimit të vëndit morri pjesë me armë në dorë me çetat zogiste të Abaz Kupit, në korrikun e vitit 1946 u arrestua si pjestar i grupit të organizatës “Bashkimi Demokrat”.

Grupi kryesohej prej Sami Qeribashit, pasi së bashku me Abdullah Berberin, Petrit Berishën dhe Akil Bashën, ishin angazhuar në hedhjen e trakteve që ishin hartuar prej krerëve kryesorë të asaj organizate, ku bëhej thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.

Si u arrestua Paridi edhe dy herë të tjera në vitin 1955 dhe 1979, torturave ç’njerzore në hetuesinë e Tiranës, ku i kërkohej të pranonte atë që kishte thënë për Enver Hoxhën dhe lirimi nga burgjet ku vuajti plot 27 vite e tetë muaj në skëterrën e regjimit komunist.

Arrestimi në demonstratën ku u plagos Liri Belishova

Pasi kishte vazhduar mësimet në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme në Bari e Romë në Itali, së bashku me vëllanë e tij Akilin, Parid Derani u kthye në Shqipëri në vitin 1942 së bashku me shumë studentë të tjerë shqiptarë që asokohe ndiqnin mësimet në shkollat italiane.

Pas ardhjes në Tiranë, Paridi u lidh me një grup shokësh që ishin angazhuar në lëvizjen antifashiste dhe që kishin kryer aksione konkrete kundër italianëve. Lidhur me këtë, Parid Derani tregonte:

”Kur u kthyem në Tiranë në vitin 1942 së bashku me vëllanë tim Akilin, u lidhëm me një grup shokësh të cilët kishin kohë që kishin filluar angazhimin e tyre në Lëvizjen Antifashiste dhe ndër shokët më aktiv të grupit ku bënim pjesë unë e Akili, ishte Sandër Jorgoni, (djali i një tregtari të madh tiranas) i cili na ofroi në atë grup ku bënin pjesë edhe disa shokë të tjerë tiranas.

Në shtatorin e vitit 1942, Sandër Jorgoni na thërriti mua dhe vëllanë Akilin dhe së bashku shkuam në Pezë ku bëmë roje gjatë kohës që zhvillohej Konferenca . Gjatë asaj kohe atje bashkë me ne kanë bërë roje edhe vëllezërit Keçi e disa të rinj të tjerë tiranas, sepse në atë kohë nuk ishin të ndarë komunistët nga nacionalistët.

Po kështu në atë kohë mora pjesë në demonstratën e madhe që u bë kundër italianëve, ku e reja komuniste Liri Belishova, u plagos dhe dëmtoi syrin. Në atë demonstratë unë jam arrestuar dhe u dërgova në burgun e Tiranës, ku si përgjegjës për celulën koministe ishte Koçi Xoxe.

Aty në atë burg unë flija afër me Pal Doçin, vëllai i të cilit , Marku, kishte qenë ushtarak i Monarkisë së Zogut dhe mik i ngushtë i babait tim Gjon Deranit. Nga ai burg ne u liruam pas disa muajsh dhe kur dola qëndrova disa kohë në shtëpi dhe aty nga fundi i vitit 1943 u bashkova me çetat e Legalitetit që udhëhiqeshin nga Abaz Kupi, i cili e kishte qëndrën në fshatin Xibër të Matit, ndërsa vëllai im, Akili, ishte me çetën zogiste të Musa Picarit që vepronte në zonën e Prezës.

Në përbërje të të çetave legaliste që lomandoheshin nga Abaz Kupi, unë kam marrë pjesë në disa beteja, siç ishte ajo e zhvilluar në Krujë kundër forcave italiane pak ditë pas Konferencës së Mukjes, ndërsa në nëntorin e vitit 1944 kur luftohej për çlirimin e kryeqytetit, unë kisha ardhur në shtëpi në Tiranë pasi isha i sëmurë rëndë nga një ftohje. Si rezultat i asaj sëmundje unë nuk munda që të ikja nga Shqipëria së bashku me vëllanë tim Akilin, i cili erdhi për të më marrë me vete”, kujtonte Paridi Derani për aktivitetin e tij me forcat zogiste gjatë periudhës së Luftës.IMG-20191217-WA0033

Dënimi i parë me “Bashikimin Demikrat”

Edhe pse Parid Derani gjatë periudhës së Luftës kishte marrë pjesë me çetat legaliste të major Abaz Kupit, komunistët që erdhën në pushtet në fundin e ‘44-ës, në fillim nuk e ngacmuan atë.

Por peripecitë e Paridit filluan në vitin 1946 pas angazhimit të tij në organizatën “Bashkimi Demokrat”, e cila ishte një grupim anti-komunist që synonte të krijonte opozitën e vërtetë demokratike ndaj Partisë Komuniste Shqiptare që drejtonte vëndin.

Lidhur me këtë Paridi tregonte: ”Në atë organizatë unë kisha hyrë prej muajsh së bashku me Abdullah Berberin, Petrit Berishën dhe Akil Bashën, me të cilët kishim shpërndarë trakte që kishin hartuar krerët e asaj organizate me rastin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.

Si rezultat i atij aktiviteti unë u arrestova më 19 korrik të vitit 1946 dhe bashkë me 17 shokët e tjerë përbënin grupin e parë të rinisë nacionaliste që nxirrej në bangën e të akuzuarve nga regjimi komunist. Në dhjetor të po atij viti, ne dolëm në gjyq ku unë u dënova me pesë vite burg, ndërsa Abdulla Berberi, Petrit Berisha e të tjerët, u dënuan me dhjetë vite burg.

Unë e vuajta të gjithë dënimin që mu dha nga gjykata dhe u lirova nga burgu në vitin 1951, pasi kisha lënë pas tmerret e Kënetës së Maliqit, Vloçishtit, Jubë-Sukthit, etj”, kujtonte Parid Derani dënimin e tij të parë në vitin 1946, pasi ai ishte angazhuar në organziatën “Bashkimi Demokrat” të kryesuar nga Sami Qeribashi.

Dënimi i dytë në 1955-ën, me 16 vite

Ato pesë vite burg që Parid Derani i vuajti deri në vitin 1951, ishin dhe zanafilla e odisesë së tij të gjatë nëpër burgjet komuniste, sepse pas asaj do të fillonte edhe një kalvar tjetër vuajtjesh për të cilat ai kujton: “Pasi u lirova nga burgu i parë, punova si puntor krahu dhe hidraulik në Tiranë, por kjo nuk zgjati më shumë se katër vite, sepse në vitin 1955 unë u arrestova përsëri së bashku me disa shokë të tjerë si: Tush Berisha, Skënder Jeniçeri, Zef Perolli, e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet mirë.

Arsyeja e arrestimit ishte sepse ne deshëm të arratiseshim nga Shqipëria me anë të një varke që kishim gjetur në Kepin e Rodonit. Pasi e nxorëm nga fundi i detit atë varkë që e kishin pasur forcat ushtarake jugosllave dhe e bëmë gati për lundrim, papritur u arrestuam nga Sigurimi i Shtetit, pasi dikush nga brënda nesh, kishte spiunuar.

Unë u dënova me 16 vite burg, dhe e vuajta të gjithë dënimin, pasi isha përsëritës dhe për ne nuk kishte falje. Pasi dola nga burgu në vitin 1971, fillova përsëri punë si puntor krahu në ndërmarrjet e Tiranës, ku nuk më ndaheshin njerëzit e Sigurimit që më ndiqnin në çdo hap që bëja”, kujtonte Parid Derani, lidhur me dënimin e tij të dytë në vitin 1955 kur ai u arrestua pasi me disa shokë, kishin tentuar të arratiseshin nga Shqipëria me anë të një varke që e kishin gjetur diku në bregdetin e kepit të Rodonit.

Dënimi i tretë në 1979-ën, me 8 vite

Edhe pas lirimit nga burgu i dytë, vuajtjet dhe peripecitë për Parid Deranin nuk kishin të mbaruar, sepse ai u arrestua përsëri për herë të tretë në vitin 1979. Lidhur me këtë ai kujtonte, “Pasi kisha punuar për tetë vite në punë të rënda krahu në ndërmarrjet e Tiranës, në shtatorin e vitit 1979, u arrestova përsëri sepse mua, nuk më ndahej hija e “armikut të popullit”, me të cilën isha damkosur prej komunistëve që në vitin 1946.

Arrestimi im i tretë, ishte nga më të tmerrshmit që kisha hequr, sepse gjatë hetuesisë më kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore. Përveç shumë akuzave që më bëheshin si agjitacion e propagandë, tentativë arratisjeje, nga më të rëndat, ishte ajo ku më kërkohej të pranoja se unë kisha thënë se: ‘Enver Hoxha nuk thith ajër si të gjithë të tjerët, por gjakun e viktimave të tij’.

Gjatë hetuesisë, u përdorën të gjitha makinacionet që unë të dënohesha rëndë, por si përfundim unë nuk pranova asgjë dhe u dënova vetëm me 8 vite burg, të cilin e vuajta në Spaç, Bulqizë, dhe në Shënkoll të Lezhës. Nga ai burg u lirova në vitin 1986, duke përfituar një vit nga amnistia që dha Ramiz Alia për ne të burgosurit politikë, asokohe.

Edhe pas daljes nga burgu, përsëri isha objekt i ndjekjeve dhe survejimeve të Sigurimit të Shtetit, i cili më kishte futur në listat e tij të zeza” e përfundon rrëfimin e tij tragjik, Parid Derani, ish pjestar i çetave zogiste të Abaz Kupit, i cili vuajti 27 vite e 8 muaj burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Major Gjon Derani, ushtaraku i Zogut që themeloi Xhenjon

Origjina e hershme e familjes së Parid Deranit, është nga fshati Shkjez, dhe të parët e tij kanë zbritur në qytetin e Shkodrës në vitet 30 të shek XVIII. Ajo familje deri nga fillimi i Luftës së Parë Botërore, është njohur me mbiemrin Shkjezi që ka qënë dhe mbiemri i vërtetë i tyre, dhe babai i tij, Gjoni, e ndërroi mbiemrin duke e bërë Derani.

Gjoni u lind në vitin 1878 në Shkjez, dhe ishte një nga të vetmit burra të asaj familjeje të mbetur gjallë, sepse të tjerët ishin vrarë nga hasmëria që kishin pasur me fisin Sykaj. Në fillimet e shekullit të kaluar Gjon Derani, u shkollua në Kolegjin Saverian të Shkodërs aty rreth viteve 1915-‘16 dhe më pas ai shkoi në Austri, ku ndoqi një shkollë ushtarake në Grac në degën e Xhenjos.

Pas mbarimit të shkollës, Gjoni u kthye në Shqipëri dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ai shërbeu si përkthyes në ushtrinë Austro-Hungareze në Shkodër. Me mbarimin e asja lufte, Gjoni u largua nga Shqipëria për në Gjermani, ku studio edhe dy vite të tjera në degën e inxhinierëisë ushtarake për ndërtimin e rrugëve dhe urave. Pas diplomimit ai u kthye në Shqipëri dhe u inkuadrua në Usstrinë Kombëtare me gradën e togerit.

Në vitin 1920 gjatë Kongresit të Lushnjes, Gjoni ishte një nga katër komandantët e batalioneve që u caktuan për të shoqëruar pjestarët e Kongresit për në Tiranë. Nga viti 1920 e deri në 1924-ën, Gjoni shërbeu në armën e Xhenjos në Tiranë, ku ishte një ndër themeluesit e asaj arme, ku dhe vetë u mor personalisht me ndërtimet e godinave që ndodhen edhe sot në anën lindore të kryeqytetit.

Në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 Gjon Derani mbajti anën e forcave fanoliste për arsye se ai kishte mik të ngushtë Luigj Gurakuqin, me të cilin i kishin shtëpitë ngjitur në Shkodër. Kur Ahmet Zogu u kthye në pushtet në dhjetorin e vitit 1924, ai e thirri Gjonin në Pallat dhe i tha “Më vjen mirë që ke qëndruar këtu dhe nuk ke ikur si shumë ushtarakë të tjerë sepse Shqipëria ka nevojë për shumë oficerë trima dhe të zgjuar” Pas atij takimi Zogu nxorri dekretin dhe e emëroi Gjonin përsëri në armën e Xhenjos në Tiranë.

Në vitin 1921 Gjoni u martua me Gjystina Berishën, familja e së cilës kishte ardhur nga Shkupi në Shkodër pas masakrave të serbëve dhe nga ajo martesë atyre u lindën dy djem, Akili (në 1922), dhe Paridi (në 1925). Akili deri në vitin 1935 vazhdoi mësimet në Liceun e Korçës dhe atë vit së bashku me Paridin shkuan për të ndjekur shkollën në Itali.

Shkas për dërgimin e tyre në Itali u bë Mbreti Zog i cili ia sugjeroi atë gjë major Gjon Deranit, pasi Akili dhe Paridi kishin prishur tubat e ujësjellësit që furnizonte Pallatin Mbretëror. Të dy vëllezërit Derani, pasi ndoqën për disa kohë mësimet në Bari, shkuan dhe i vazhduan ato në Romë, ku i jati I’u kishte blerë një apartament.

Ata u kthyen në Shqipëri, në vitin 1942 së bashku me shumë studentë shqiptarë që asokohe ndiqnin shkollat në Itali. Nga viti 1924 e deri në vitin 1939, Gjoni shërbeu në armën e Xhenjos dhe jetoi familjarisht në Tiranë në një vilë që ndodhet edhe sot pranë bllokut të Ambasadave. Në 7 prill të vitit 1939 Gjon Derani përcolli Mbretin Zog për deri në kufirin me Greqinë dhe më pas u rikthye në Tiranë. Pas disa kohësh ai u inkuadrua në Batalionin “Dajti” dhe e braktisi atë gjatë Luftës Italo-Greke.

Më pas ai së bashku me bashkëshorten u larguan nga Shqipërië për në Itali, ku kishin të dy fëmijët e tyre që asokohe vazhdonin shkollat, por sërish Gjoni, u rikthye në atdhe dhe qatë luftimeve për çlirimin e Tiranës, ai u arrestua nga partizanët dhe u mbajt për disa ditë në hetuesi. Por më pas ai u lirua sepse pati mjaft deklarata në favor të tij.

Gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, atij iu sekuestruan dy vilat dhe punoi si puntor krahu deri sa ndërroi jetë në mjerim në vitin 1975, në një barake afër gurores së Linzës. Ndërsa djali i tij Akili që kishte mbetur në Itali, emigroi për në Egjipt dhe më pas në Liban, ku u angazhua në luftrat në Lindjen e Mesme në batalionin e shqiptarëve të formuar nga Mbreti Zog. Më pas Akili emigroi në Kanada dhe SHBA, ku dhe ndërroi jetë në Las Vegas në vitin 1998.

Gjoni ka pasur dhe një motër, Lizën dhe tre vëllezër të tjerë, Jakun, Lukën, dhe Lazrin. I pari i vëllezërve Jaku, që gjatë periudhës së Monarkisë kishte shërbyer si ushtarak me gradën e majorit në armën e Rojes së Kufirit, vdiq në një spital të Italisë në vitin 1955. Ndërsa vëllai i dytë shërbeu si famullitar në fshatrat e Shkodrës, kurse vëllai i tretë, punoi si këpucar në qytetin e Shkodrës ku dhe ndërroi jetë në vitin 1980./Memorie.al
Shtuar më 18/12/2019, ora 09:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori