Rrënjët e urrejtjes së shqiptarëve ndaj politikanëve!
Gjatë diktaturës komuniste, në lëndën e filozofisë trajtohej edhe një temë paksa specifike, e cila atë botë dukej sa e pakuptueshme, aq edhe intriguese. Përkufizohej si: “E drejta borgjeze, pa borgjezi”! Kjo teori bëhet më interesante sot për Shqipërinë, kur po ballafaqohemi pas tri dekadash në liri, me një “diktaturë” të re. Me mentalitetin e “diktaturës” së propogandës populiste, për një “barazi komuniste”, në sisteminin “borgjez e kapitalist” ku po jetojmë sot.

Ashtu si atëherë, edhe sot është politika dhe mjetet e saj të propogandës, ato që që në këtë vend historikisht të varfër, kërkojnë që të mbajnë në këmbë, kulturën e urrejtjes mes njerëzve. Duke dashur që të zbatojnë strategjinë primitive “përça e sundo”, edhe sot në epokën dixhitale. Një kulturë që tenton bërjen e gjyqeve publike ndaj të pasurve apo ndaj kujtdo tjetër që arrin çfarëdolloj suksesi tjetër që lejon ligji nëpërmjet meritokracisë, për të provokuar “eksitimin” e masave, me qëllim larjen e hesapeve personale për përfitime jo vetëm politike dhe elektorale.

Tema “e të drejtës borgjeze…” ishte e pakuptueshme në kohën e Enver Hoxhës, sepse breza të tërë pas Luftës së Dytë Botërore, ishin edukuar me urrejtjen, neverinë dhe përbuzjen për çdokënd që kishte qenë i pasur dhe për çdo gjë që mund të quhej borgjeze në këtë botë. Një kulturë që kishte nisur të hidhte rrënjë që në vitin 1946, me gjyqet publike dhe konfiskimet pa vendime gjykatash që u bëhej pasurive të të gjithë atyre që quheshin “kulakë”.

Pikërisht ky realitet, e bënte teorinë “e të drejtës borgjeze, pa borgjezi” që të dukej intriguese. Sepse gjithkush që dëgjonte rreth saj, duhej ta vinte veten në të njëjtën kohë, edhe në pozitën e njeriut të ri komunist ku të qenurit i pasur ishte një turp i madh e i pafalshëm, edhe të atij që mund të ishte në të njëjtën kohë, përfitues e shijues i ca të drejtave borgjeze. Teoria dukej sikur nxiste krijimin e një lloj “Lei Fen”-isti, me penelata “kulaku”. Në vendin ku praktikisht pasuria private cilësohej si mëkati më i madh, në teori të dukej sikur lejohej që jo vetëm të flirtoje, por edhe të bëje ndonjëherë dashuri “fshehurazi” me të.

“E drejta borgjeze, pa borgjezi”

Shembujt që jepeshin për ta shpjeguar ishin pak a shumë të kësaj natyre: Nëse dikush në një kooperativë është aq i fuqishëm fizikisht e i zoti, sa të prashiste dyfishin e sipërfaqes së mbjellë me misër në raport me normën e detyruar, atëherë partia e shpërblente me një pagesë të vogël ekstra. Nëse punëtori vazhdonte kështu çdo ditë papushim, pas shumë vitesh ai arrinte të siguronte aq të ardhura më shumë se të tjerët, sa me to mund të blinte një radio, një televizor apo një frigorifer. Ose në fund të jetës, mund të kishte arritur që të ndërtonte ndoshta edhe një shtëpi të re, ndërkohë që të tjerët në fshat ose në lagjen e tij, nuk e arrinin dot.

Në këtë mënyrë, “njeriu i ri” arrinte që të diferencohej në raport me masën e barabartë, duke jetuar edhe në atë shkretëtirë barazitie të neveritshme, pak më mirë se të tjerët. Meqë flitej për fshatin, pedagogët rrekeshin që të tregonin edhe për mundësi të tjera që njerëzve u lejohej për ta bërë këtë diferencim; nëpërmjet ekonomisë së vogël të oborrit privat, grumbullimit të bimëve midicinale, etj. Ndërsa shembujt nga qyteti jepeshin me tornitorët, traktoristët dhe shoferët pararojë që bënin aq shumë norma atë kohë, sa “heronjtë e punës socialiste” trumbetoheshin se po punonin për vitin 2020, 2030 apo edhe për më tej…

Siç mund të kuptohet fare lehtë sot, më shumë sesa një realitet, kjo teori duket si një mjet i regjimit për ta përkëdhelur në mënyrë të kontrolluar brenda kafazit të vet, ndjenjën e brendshme natyrore të njeriut për të qenë sadopak i ndryshëm nga të tjerët. Por, ashtu siç Napoleoni përcaktonte se “të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit, është gënjeshtra më e madhe në botë”, edhe filozofia se “socializmi është sistemi i njerëzve të mirëqenies së barabartë”, doli utopia më e madhe e historisë së njerëzimit. Sepse e vetmja barazi që ajo u solli në fund qytetarëve, ishte ajo përpara varfërisë.

“E drejta komuniste, pa komunizëm”

Ka kaluar mbi çerek shekulli nga ndryshimi i sistemit në Shqipëri, por për interesat e saj për pushtet, elita politika vazhdon ta ushqejë popullin me “opiumin” e barazitizmit. Nga sistemi i ekonomisë së centralizuar, kemi kaluar në sistemin e ri që ka në themel pronën private dhe të mirat kapitale. Në sistemin e çmimeve, të marrëdhënieve në prodhim dhe shpërndarjes së të mirave e shërbimeve, nëpërmjet konkurrencës dhe tregut të lirë. Me pak fjalë, kemi kaluar nga epoka e “dorës së ngrohtë të partisë” tek epoka e “dorës së padukshme” të Adam Smithit.

Në Shqipëri, opozita e djathtë lançoi pak ditë më parë një nismë të re politike, të cilën ajo e quajti Platforma “Anti-Mafia”, e cila në thelb u cilësua nga kritikët gjatë debatit publik, si një Platformë “Anti-Biznes”. Ose si një nismë Antikapitaliste apo Antisistem. Në këtë dokument ishte listuar një grup biznesmenësh të njohur në vend dhe kompanitë e tyre private që kishin kryer punë publike nëpërmjet tenderave, prokurimeve dhe PPP-ve. Opozita tha se sapo rikthehej në pushtet, do i “konfiskonte” ato. Kjo i dha dorë mazhorancës së majtë që të deklaronte se nisma rikthente fantazmën e aksionit komunist kundër “kulave”.

Ardhja në këtë pikë nuk ishte rastësi. Përkundrazi. Dokumenti i opozitës thjeshtë sa zyrtarizoi politikisht, një kulturë të përhapur gjerësisht dhe një mentalitet të ushqyer verbalisht prej kohësh, nëpërmjet propogandës dhe yshtjes së publikut. Synimi është për të linçuar nëpërmjet “mëkatit” të pasurisë, çdo kundërshtar potencial me pushtet ekonomik, mediatik, politik dhe të çfarëdolloj natyre tjetër, duke i bërë ato ushqim për makinën e thashethemnajës kolektive, për mendësinë tonë të përgjithshme neotomane dhe posaçërisht, për stomakët e uritur të të varfërve dhe shtresave sociale në nevojë. “E drejta komuniste, pa komunizëm”, duhet kuptuar si një mishërim i politikave sociale të shtetit dhe qeverive. Një dimension natyror i sistemit, jo thjeshtë e vetëm për dhënin e mëshirës fyese nëpërmjet listave të ndihmës sociale, por në zbatimin e politikave të mirëqenies reale sociale.

Duke mos e dashur në thelb shtetin e së drejtës me pushtet gjyqësor të pavarur, rrugën institucionale të ndëshkimit të paligjshmërisë dhe parimin doktrinar e universal të prezumimit të pafajësisë, klasa jonë politika për interesat e saj të vockla, nxit kryqëzatat e gjyqeve popullore, linçimet publike, mediatike e të rrjeteve sociale. Për elitën tonë politike, duket se fare pak rëndësi ka, se çfarë pasojash sjell një qasje e tillë për njerëzit, bizneset dhe kapitalin që goditet. Për ta zhurma është gjithçka, pasoja asgjë! Duke na kujtuar me këtë, shprehjen e njohur të Shekspirit: “Intrigë veç rri në këmbë, pa mer çfarë rrugë të duash!”

Të vadisësh lulen e urrejtjes

Kjo qasje në fund të fundit nuk bën gjë tjetër, veçse i detyron njerëzit në përgjithësi dhe të varfërit në veçanti që ta shohin kapitalizmin si një sistem armiqësor, si sjellësin e fakteqësive të tyre. Duke prodhuar me shumicë dy grupe të mëdha shoqërore; ose nostalgjikësh, ose të dëshpëruarish. Ajo që opozita shqiptare nuk po kupton, është se nëpërmjet kësaj rruge të rrezikshme, duke dashur që të ngjallin urrejtjen për kundërshtarin, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë me një zell të pashoq, lulen e urrejtjes kundër vetes. Pikërisht këtu, ndoshta duhen kërkuar edhe rrënjët e urrejtjes së thellë që kanë sot shqiptarët, për të gjithë klasën e vet politike.

Kjo elitë e qendrës së Tiranës, duhet tia bëjë të qartë edhe qytetarëve, atë që e kanë mësuar herët në shkollat e perëndimit dhe që ato vetë e shijojnë çdo ditë në Shqipëri, nëpër zyrat e tyre luksoze. Se e drejta komuniste e barazitizmit të planifikuar, ka vdekur bashkë me komunizmin. E ashtu siç edhe ai sistem i nëmur, i jepte shpresën e munguar njerëzve nëpërmjet “të drejtës së tyre borgjeze, pa borgjezi”, edhe kapitalizmi ka nevojë që të mbajë ndezur dritën e shpresës, nëpërmjet ndërtimit dhe përsosjes së sistemit të meritokracisë.

Ajo që duhet pranuar e kultivuar me durim, është fakti i njohur dhe i gjithëpranuar botërisht, se kapitalizmi nuk është armiku i të varfërve. Përkundrazi! Sipas ekonomistit të njohur peruan Hernando de Soto, “kapitalizmi në thelb është sistemi ekonomik i të varfërve. Ishte pikërisht ky sistem që u lejoi njerëzve me origjinë modeste, që të kenë të drejta ekonomike të cilat më parë i kishte vetëm fisnikëria dhe borgjezia. Kështu që kapitalizmi në thelb nuk është gjë tjetër, veçse një mjet nëpërmjet të cilit, njerëzit e varfër të kenë prosperitet”.
Shtuar më 29/09/2018, ora 19:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori