Rregullat e reja per studentet shqiptare ne Angli
Pëlqej
Albeu.com
Në muajin mars të vitit që vjen, do të fillojnë të aplikohen edhe rregullat e reja emigratore në Britaninë e Bashkuar. Një vend të veçantë mes tyre zënë ato për studentët që dëshirojnë të studiojnë në universitetet e këtij vendi.Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe publikon ndryshimet në pranimin e të rinjve të huaj në universitete

Në muajin mars të vitit që vjen, do të fillojnë të aplikohen edhe rregullat e reja emigratore në Britaninë e Bashkuar. Një vend të veçantë mes tyre zënë ato për studentët që dëshirojnë të studiojnë në universitetet e këtij vendi. Ndryshimi i këtyre rregullave prek edhe një kategori të qytetarëve shqiptarë, që zgjedhin të studiojnë në këtë vend. Kjo vjen si pasojë e sistemit të ri të pikëzimit, që ka huazuar stilin australian. Kështu, kolegjet dhe universitetet që dëshirojnë të regjistrojnë studentë nga vende jo anëtare të BE-së dhe Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), duhet të pajisen me një licencë të lëshuar nga Agjencia e Kufirit të MB-së, (UKBA). Vetëm pas plotësimit të këtij detyrimi, këto institucione të licencuara mund të sponsorizojnë kategorinë studentore, që të vijë të studiojë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas hartuesve të këtij sistemi, mendohet se ai do të jetë i aftë që të pikasë studentët e rremë. Madje, do të bëhet e mundur që vetëm studentët nga të cilët përfiton Britania të mund të vazhdojnë të shkojnë atje për studime. Rregullat e reja sanksionojnë se, para se të shkojnë për studime në Britani, studentët shqiptarë duhet të jenë sponsorizuar nga një institucion i licencuar nga UKBA-ja, të ofrojnë gjurmët e tyre të gishtërinjve dhe të plotësojnë edhe një sërë kriteresh të reja.

Specialistët e emigracionit në Ministrinë e Punës bëjnë të ditur se nga vjeshta e 2009-ës, sistemi pritet të rreptësohet edhe më shumë me futjen e "sistemit të menaxhimit të sponsorit", me teknologji të dedikuar. Kjo parashikon që të lehtësojë punën për universitetet dhe kolegjet, që të informojnë UKBA-në, nëse studentët nuk paraqiten për regjistrim, apo humbin më shumë se dhjetë sesione.

Gjithashtu, tregu vendas i punës do të mbrohet përmes rregullave më të rrepta, çka nënkupton se vizat do t‘i lëshohen vetëm studentëve, që tregojnë një ecuri të provuar në arsimim dhe që paraqesin kërkesë për një fakultet që plotëson një nivel minimal kualifikimi. Studentët, po kështu, duhet të jenë në gjendje të provojnë se janë të aftë të mbajnë financiarisht vetveten dhe secilin prej personave të tjerë që mund të kenë në ngarkim.

"Studentët ndërkombëtarë japin ndihmesë me 2.5 miliardë paunde britanikë për ekonominë e MB-së, vetëm në formën e taksave shkollore. Kolona e Studentëve në sistemin me pikëzim nënkupton atë që vendi ynë të vazhdojë të rekrutojë studentë të mirë nga jashtë Evropës (BE-EEA). Ata që vijnë në MB duhet ‘të luajnë sipas rregullave‘ dhe t‘i sjellin përfitim vendit. Ky kanal i ri për studentët do të bëjë të mundur që ne të dimë me saktësi se cili vjen këtu, sikurse edhe do të japë ndihmesë në shkatërrimin e kolegjeve të rremë që lehtësojnë thyerjen e ligjit", u shpreh ministri i Kufirit dhe Emigrimit, Fil Uollës.

Që nga janari 2005, thuajse 300 kolegje të rremë u çregjistruan nga Departamenti për Universitetet dhe Regjistri i Aftësive të Arsimit dhe Ofruesve të Formimit.

Ndërsa ministri i Shtetit për Arsimin e Lartë, Deivid Lemi, tha se "ky plan do të ndihmojë të sigurohemi se kemi një strukturë që i mundëson studentëve ndërkombëtarë të përfitojnë nga përvoja e shkëlqyer arsimore e ofruar nga MB-ja. Ndërkohë që po u ofrojmë mundësi që të punojnë në MB për dy vjet pas diplomimit të tyre". Sipas tij, nuk do të tolerohet pakica e individëve, që kërkojnë të cenojnë cilësinë e sistemit arsimor, përmes kolegjeve të rremë. Për këtë arsye, shpjegon ai, u futën kontrolle më të rrepta në Regjistrin aktual të Arsimimit dhe Ofruesve të Formimit. Në përfundim, universiteteve dhe kolegjeve i është ofruar mundësia e regjistrimit në regjistrin e sponsorizimit, që nga korriku i këtij viti. (Shqip)
Shtuar më 10/11/2008, ora 17:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori