Rregullat e reja për në BE
Albeu.com
Qeveria ka miratuar dje vendimin për lehtësimin e vizave shengen për një kategori të caktuar. Në bazë të këtij vendimi, tashmë nevojiten më pak dokumente për të marrë një vizë në një afat tepër të shkurtër kohor në dyert e cilësdo ambasade të huaj të vendosur në Tiranë. Ja kush përfitonKryeministri Berisha dhe kabineti i tij kanë përcaktuar dje në mbledhjen e qeverisë kategoritë e atyre që do të përfitojnë nga lehtësimi i vizave, llojet e vizave që do të lëshohen për këta persona, tarifën që duhet të paguajnë, kohën që duhet të presin jashtë dyerve të ambasadave dhe dokumentet që shqiptarët duhet të paraqesin pranë ambasadave të huaja për të marrë një vizë. Do të përfitojnë nga ky vendim, biznesmenë, gazetarë, akademikë, studentë, pjesëtarë të delegacioneve zyrtare, por gjithashtu, edhe familjarë dhe të afërt të qytetarëve shqiptarë me banim të ligjshëm në një nga vendet e BE-së. Duke iu referuar vendimit të qeverisë, për familjarët e emigrantëve shqiptarë do të mjaftojë vetëm një ftesë ose garanci nga i afërmi i tyre, e cila do të jetë e thjeshtë dhe nuk do të përmbajë vetëm elementet kryesore identifikuese dhe nuk do të ketë nevojë për konfirmime të tjera. Kështu, e shprehur më thjesht, të gjithë ata që kanë një njeriun e tyre në një nga vendet e BE-së do ta kenë më të thjeshtë për të marrë një vizë brenda 3 deri 10 ditëve dhe për këtë duhet të kenë vetëm garancinë dhe duhet të paguajnë tarifën prej 35 eurosh në ambasadën ku do të marrin vizën.

Përfituesit

Në kategoritë e përzgjedhura, për të cilat reduktohet në maksimum numri i dokumenteve për marrjen e një vize janë familjarët dhe të afërmit e emigrantëve shqiptarë me banim të ligjshëm në një nga vendet e BE-së, pjesëtarë të delegacioneve zyrtare, biznesmenët, gazetarët, akademikët, studentët, sportistët, përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Po kështu, do të ketë lehtësira edhe për të përndjekurit politikë që do të marrin pjesë në veprimtaritë e organizuara në kuadrin e statusit të tyre, shoferët e transporteve ndërkombëtare, të sëmurët dhe personat që i shoqërojnë ata dhe një pjesë e caktuar e turistëve.

Lloji i vizave

Me viza deri në pesë vjet do të pajisen bashkëshortët dhe fëmijët e emigrantëve me qëndrim të ligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian. Viza me afat pesëvjeçar do të ketë për ministrat, deputetët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhe funksionarët e tjerë të lartë. Biznesmenët, gazetarët dhe studentët do të pajisen me viza nga një deri në pesë vjet në rast se do të justifikojnë nevojën për udhëtime të shpeshta dhe nuk kanë pasur probleme me respektimin e ligjit kur kanë qenë pajisur me viza një ose dyvjeçare. Sipas relacionit të përgatitur nga qeveria shqiptare do të ketë edhe viza njëvjeçare, madje edhe me një afat më të shkurtër se një vit. Në këtë kategori përfshihen sportistët, të përndjekurit, një pjesë e turistëve, përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe ata gazetarë apo akademikë që duan të ikin në një nga vendet e BE-së vetëm për të marrë pjesë në ndonjë seminar.

Tarifa dhe koha

Do të mjaftojnë vetëm 35 euro për të marrë një vizë një deri 5-vjeçare. Kjo tarifë është standarde për të gjitha kategoritë, përjashtuar fëmijët nën 15 vjeç dhe pensionistët, të cilët do të mënjanohen nga taksa e vizës dhe do ta marrin atë gratis. Afatet e pritjes për marrjen e vizave do të jenë fikse. Për praktikat normale, vizat do të vonohen maksimumi 10 ditë, për praktikat që kërkojnë vërtetim, bëhet fjalë për ato kategori ku ka dyshime të bazuara dhe vërtetohet personi që ka dërguar ftesën ose garancinë, viza shengen do të vonohet deri në 30 ditë. Ndërsa për rastet urgjente, viza do të jepet brenda ditës ose mund të vonohet vetëm për tri ditë maksimumi.



Ja si do të përfitohet viza për kategoritë e përzgjedhura


Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje edhe dokumentet që duhet të paraqesin në ambasadë kategoritë përfituese. Të afërmit e emigrantëve duhet të sigurojnë vetëm një kërkesë me shkrim nga personi pritës ose e quajtur ndryshe ftesë nga njeriu i tyre në një nga vendet e BE-së. Studentët aktualë dhe ata pasuniversitarë, nxënësit dhe mësuesit shoqërues që ndërmarrin udhëtime për qëllimin e studimit ose trajnimit arsimor duhet të përgatisin një kërkesë me shkrim ose një vërtetim regjistrimi nga universiteti, akademia, instituti, kolegji apo shkolla pritëse. Gjithashtu, avantazh do të jetë edhe nëse sigurohet libreza e studentit ose vërtetimi i lëndëve që do ndiqen. Sportistët duhet të kenë me vete një kërkesë me shkrim nga organizata pritëse, autoritetet kompetente, federatat kombëtare sportive ose komiteti kombëtar olimpik i shteteve anëtare. Personat e përndjekur për motive politike gjatë regjimit komunist duhet të kenë me vete në ambasadë një vërtetim të lëshuar nga Instituti për Integrim i Personave të Persekutuar në pajtim me nenin 3 të ligjit nr. 7748, datë 29.07.1993, që tregon statusin e të përndjekurit politik. Po kështu ish të burgosurit politikë duhet të sigurojnë edhe një ftesë nga një autoritet kompetent, organizatë ndërkombëtare ose kombëtare ose nga një institucion evropian për pjesëmarrje në aktivitete në lidhje me statusin e tyre. Procedura do të jetë e thjeshtë edhe për shoferët që kryejnë shërbime transporti ndërkombëtarë të mallrave dhe pasagjerëve në territorin e shteteve anëtare në automjetet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Ata duhet të kenë me vete vetëm një kërkesë me shkrim nga Shoqata Kombëtare e Transportuesve të Republikës së Shqipërisë që parashikon transport ndërkombëtar rrugor, që cakton qëllimin, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e udhëtimeve. Personat që udhëtojnë për turizëm duhet të paraqesin në ambasadë një vërtetim ose faturë nga një agjenci udhëtimi ose operator i turit të akredituar në shtete anëtare në kuadrin e një bashkëpunimi konsullor lokal që konfirmon rezervimin e një udhëtimi të organizuar. Po kështu edhe gazetarët apo akademikët duhet të kenë një kopje të ftesës zyrtare shoqëruar me atë origjinale për t‘u drejtuar pranë një ambasade për të kërkuar vizë shengen. Po kështu, kjo kategori duhet të sigurojë edhe një shkresë zyrtare që vërteton se kërkuesi është gazetar apo akademik dhe shkon në destinacionin përkatës për arsye pune. Të drejtë për të dërguar ftesën ose garancinë kanë vetëm ata shtetas shqiptarë që banojnë në një nga vendet e BE-së. Këta persona, duhet të kenë të paktën 90 ditë që jetojnë në mënyrë të ligjshme në një nga këto vende, për të tërhequr më pas familjen e tyre. E.A


Të drejtë për të dërguar ftesën ose garancinë kanë vetëm ata shtetas shqiptarë që banojnë në një vendet e BE-së. Këta persona, duhet të kenë të paktën 90 ditë që jetojnë në mënyrë të ligjshme në një nga këto vende, për të tërhequr më pas familjen e tyre



Marrëveshja, në fuqi më 1 janar 2008


Marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian mbi lehtësimin e lëshimit të vizave është nënshkruar më 18 shtator 2007, në Bruksel. Mekanizmi i lehtësimit të pranuar në këtë marrëveshje konsiston në reduktimin maksimal të dokumentacionit për kategori të përzgjedhura, që kontribuojnë në shkëmbimet mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Kjo marrëveshje konsiston gjithashtu, se lëshimi i vizave afatgjata me shumë hyrje-dalje, njëvjeçare, dyvjeçare deri në pesëvjeçare për kategoritë e përzgjedhura si edhe për personat që kanë respektuar ligjet e migracionit, për hyrjen, qëndrimin dhe daljen nga vendet anëtare. Do të mbahet e pandryshuar taksa e vizës, e cila do të vazhdojë të jetë 35 euro. Do të përjashtohen nga kjo taksë fëmijët dhe pensionistët. Gjithashtu, do të ketë reduktime të afateve të pritjes, të cilat do të jenë nga 3 deri në 10 ditë. Në raste të veçanta për ndonjë paqartësi dhe kohë për vërtetim të dokumentacionit duhen 30 ditë për të marrë vizën. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë pas datës në të cilën palët njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të nevojshme ligjore, e parashikuar të jetë data 1 janar 2008.
Shtuar më 04/10/2007, ora 12:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori