Rregullat e reja, ja si do të merret tani ndihma ekonomike nga familjet
Hyn në fuqi vendimi i qeverisë i cili përcakton kriteret e reja dhe masën e ndihmën ekonomike. Sipas vendimit të qeverisë ndihmë ekonomike përfitojnë: Familjet në nevojë, jetimët të cilët nuk janë në institucione, prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Ndihma ekonomike, për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë, për një periudhë jo më shumë se 5 vjet.

Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike nuk aplikohet, për: Familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune, familjet me kryefamiljare gra, me të paktën një fëmijë që ndjekin arsimin bazë.

Masa e ndihmës ekonomike

Përllogaritja e masës së plotë të ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 lekë në muaj. Kur në përbërjen e strukturës së familjes, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar. Për bashkëshortët në proces zgjidhjeje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort, do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes.

Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit e fëmijëve të lindur është, si më poshtë: a) trinjakë 3 000 lekë, për çdo fëmijë; b) katërnjakë 4 000 lekë, për çdo fëmijë; c) pesënjakë 5 000 lekë, për çdo fëmijë. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në mbarimin e arsimit bazë, por jo më shumë se 18 vjeç. Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3 000 lekë në muaj.

Kjo ndihmë ekonomike përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre. Masa e ndihmës ekonomike për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare, të përcaktuar në urdhrin e mbrojtjes apo urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është 3 000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.

Masa e ndihmës ekonomike, për çdo jetim, është 3 000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet nga jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre. 8. Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet që ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 lekë në muaj gjatë vitit shkollor.

Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet se janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit, marrin një shtesë në masën 100 lekë. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes.

Dokumentat

Për familjet në nevojë, kryetari i familjes, së bashku me bashkëshorten, kur ka një të tillë, kërkojnë të aplikojnë pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore në njësinë administrative, ku kanë vendbanimin duke paraqitur, si më poshtë: a) Kopjen e kartës së identitetit të aplikantëve. Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme/ vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Kadastrës, apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.

-Për rastet që janë në proces zgjidhjeje martese dhe ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, dokumentacioni paraqitet i ndarë nga secili bashkëshort. Krahas këtij dokumentacioni paraqitet edhe vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese.

-Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar, krahas dokumentacionit , paraqesin edhe kopjen e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.

-Për fëmijët e familjeve në nevojë, që ndjekin arsimin bazë, paraqesin edhe vërtetimin për ndjekjen e shkollës të lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor, për të përfituar pagesën shtesë.

-Për fëmijët e familjeve në nevojë që vaksinohen paraqesin edhe fotokopje nga libri i shëndetit të fëmijës për vaksinën e kryer sipas kalendarit të detyrueshëm për grup-moshat e fëmijëve, për të përfituar pagesën shtesë.

-Jetimët, të cilët nuk janë në institucione, paraqesin pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore në njësinë administrative: a) kopjen e kartës së identitetit; b) kopjen e noterizuar për statusin e jetimit, sipas kërkesave të parashikuara në ligjin për statusin e jetimit,. - Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, paraqesin: a) kopjen e kartës së identitetit; b) vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit.

-Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes paraqesin: a) kopjen e kartës së identitetit; b) urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes. /Shqiptarja.com
Shtuar më 29/01/2017, ora 08:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori