Alibeaj për operacionin e SPAK: Nuk mund të valëvisim flamurin e fitores, janë bërë dekonspirime nga pushtetarët e lidhur me bandat

Kreu i Grupi Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka përgëzuar SPAK për aksionin e sotëm ku ka lëshuar 32 urdhër arreste për persona të përfshirë në krimin e organizuar, por shton se nuk duhet të valëvisim flamurin e fitores.

Ai shkruan se aksioni i sotëm tregon shumë mirë se si është operuar në zgjedhjet e vitit 2021 ku Elbasani dhe Tirana ishte qendra e operimit e grupeve kriminale që ndikuan në zgjedhjet e vitit të shkuar. Sipas tij, operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët e lidhur me bandat.

“Operacioni i sotëm i SPAK është për t’u përgëzuar.  Është ndër të tjera një provë më shumë, që vërteton zyrtarisht shqetësimet sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me bandat dhe ndikimin e tyre në Elbasan, Tiranë e kudo.

Aksioni i sotëm tregon shumë mirë se si është operuar në zgjedhjet e vitit 2021 ku Elbasani dhe Tirana ishte qendra e operimit e grupeve kriminale që ndikuan në zgjedhjet e vitit të shkuar, siç provoi edhe qëndrimi i SHBA.

Të gjitha akuzat e rreshtuara nga shefi i SPAK kanë qenë të formuluara dhe ligjëruara publikisht nga Partia Demokratike vite më parë ndërsa përballej me bandat e Elbasanit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Mirëpo ndonëse për vite me radhë drejtësia dhe policia kanë bërë veshin shurdhër edhe kësaj radhe fatkeqësisht policia nuk mundi të prangoste të gjithë personat për të cilët qe prerë një mandat arresti. Kjo për faktin banal se operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët e lidhur me bandat.

Prandaj sot nuk duhet të valëvisim flamurin e fitores përderisa nuk mund të kemi një të tillë derisa anëtarët e grupeve të strukturuara kriminale të jenë të arrestuar dhe dërguar përpara drejtësisë.

Nuk mund të shpallim fitore derisa të kemi një hetim të plotë të akuzave dhe kallëzimeve penale në lidhje me zgjedhjet dhe blerjen e votave nga këto grupe kriminale që janë denoncuar zyrtarisht nga Partia Demokratike.

Kështu që SPAK jo vetëm duhet mbështetur por edhe duhet nxitur të veprojë duke çuar më tej arrestimet, procedimet dhe gjithashtu konfiskimet ndaj këtyre grupeve të strukturuara kriminale dhe jo vetëm.

Ka ardhur koha që pandëshkueshmëria të sulmohet dhe shqiptarët të shohin drejtësinë në veprim”, shkruan Alibeaj./albeu.com


Shtuar 19.05.2022 19:04