Rrëfimi për laboratorin e drogës me trafikantët në dhomën ngjitur
Këze Dalipi, e ëma e Klement dhe Arjan Dalipit, tregon sesi i dhanë me qira magazinat ku ‘gatuhej” kokaina e ardhur nga Kolumbia. “I morën dy djem nga Tirana. Djali ka kontratë noteriale me ta”. Gruaja 72-vjeçare jetonte deri para ndërhyrjes së policisë bashkë me të shoqin brenda oborrit të magazinave të cilat i biri i kishte blerë më 1998. Komshinjtë thonë se Arjan Dalipi vinte skedina 1 mijë-lekëshe dhe “po të kapte ndonjë lek, pinim noj gotë”, bën me dije "Mapo".

Kur u mendua se gjithçka kishte mbaruar, kolumbianët dhe shqiptarët e trafikut ishin në tokë në pranga, një nga agjentët e policisë ndezi një cigare. Britmat e kolumbianit për ta fikur duhanin që mund ta hidhte në erë laboratorin, nuk u kuptuan aty për aty dhe morën si përgjigje shqelma. Dikush sidoqoftë e ka kuptuar hallin e të arrestuarit dhe pak e ka shpëtuar nga hedhja në erë jo vetëm e laboratorit dhe atyre që ndodheshin në të, por edhe të njërit prej operacioneve më të suksesshme të prokurorisë e policisë shqiptare të zhvilluar, siç mësohet, nën kujdesin e veçantë të partnerëve gjermanë…

Dje në mesditë gjithçka ishte e qetë në dyert e laboratorit të kokainës, për të cilin janë arrestuar 9 persona, mes të cilëve edhe nipi i diktatorit Enver Hoxha. Nja 4-5 punonjës të policisë, ca me duar në xhepa e ca të armatosur rëndë, ruajnë derën pas një shiriti nga ata që shënojnë vendet e krimit. “Brenda nuk hyni dot”, – na thonë prerë. Madje, siç na u bë e ditur më vonë, e vetmja dritare e lirë për ta parë nga brenda laboratorin ishte vizita atje e Ministrit të Brendshëm. Leje nuk marrim dot.

Institucionet i'a kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit. Në Elbasan të thonë që e ka Tirana, në Tiranë të thonë Elbasani ose prokuroria dhe kjo e fundit sërish pas tek policia. Dikush thotë që vendngjarja është e mbyllur se ende po kryen akte ekspertize, të tjerë se provat janë tërhequr dhe se nuk ka më asgjë të rëndësishme për të ruajtur. Policia sidoqoftë është prezente në numër të madh.

Disa kilometra më tutje, në rrugën që njihet si “E kinezëve”, sa kthehesh tek shkolla pedagogjike përballë Fakultetit të Ciklit të Ulët në Elbasan, në një nga pallatet 6-katëshe jeton familja e Arjan Dalipit. Njërit prej dy vëllezërve të arrestuar, tjetri Klementi, nën akuzën e përfshirjes në rrjetin e narkotrafikut. Derën e hap një vajzë e vogël. Brenda është e ëma e dy të arrestuarve dhe një e moshuar tjetër.

Këze Dalipi nuk duket se ka ndonjë gjë për të fshehur. Nipi i familjes që u arrestua bashkë me dy dajat është lënë i lirë. Gruaja beson që do lirohen edhe dy djemtë. “Nuk i pashë fytyrat e tyre”, thotë ajo kur e pyesim për personat që kishin marrë me qira objektin. Gruaja 72-vjeçare jetonte deri para ndërhyrjes së policisë bashkë me të shoqin brenda oborrit të magazinave, të cilat i biri i kishte blerë më 1998. Ata mbanin një lopë, kujdeseshin për dy qen race rottëailer dhe disa pula.

Djemtë Arjani dhe Klementi merrnin bulmetin dhe qumështin për familjet e tyre. Magazinat, siç thotë gruaja, ishin dhënë gjithmonë me qira dhe ajo dhe i shoqi që jetonin brenda tyre ishin aty edhe si roje të godinës. “Pse të paguante djali roje, i thonë 200 mijë lekë (të vjetra”, thotë gruaja kur shpjegon pse ishin vendosur të jetonin atje. Sipas saj, ndërsa dy prej magazinave ishin të zëna, një prej një sharrëxhiu dhe tjetra prej një kompanie që mblidhte bimë farmaceutike, po për të cilën ajo thotë “ata të luleve”, e treta që deri vonë kishte qenë stallë lopësh kishte muaj që kishte mbetur bosh.

“Nga mesi i nëntorit erdhi djali dhe më tha se dy nga Tirana ia kishin kërkuar për ta marrë me qira”, tregon ajo. 72-vjeçarja thotë se nuk e dinte cilët ishin ata. Gruaja kishte këshilluar të birin të bënte kontrata meqë ata ishin nga Tirana. Por se kush ishin, ajo nuk i ka parë, përveç njërit.

“Njërit ja ashu emrin se e kisha parë më përpara, një Geçi…” , thotë ajo, ndërsa kujton se e ka parë njëherë prej dritares. Por ajo mohon të ketë dijeni për çdo gjë tjetër që ka ndodhur në magazina. Madje sipas saj as djemtë nuk dinin gjë dhe janë ndaluar kot.

“Nuk kemi parë asgjë. Ndoshta punonin natën. Dyert kanë qenë të mbyllura nga brenda ne nuk kemi shkuar të shohim çfarë kishte aty”, thotë Këze. Sipas saj, që të mos i binte në qafë prindërve të moshuar, djali kishte hapur një derë tjetër për qiramarrësit nga Tirana që ishte në anën tjetër të magazinës jo tamam aty ku qëndronte policia. Përtej kësaj ajo thotë se asgjë të dyshimtë nuk kishte vënë re. Ajo thotë që vetëm në TV ka mësuar se brenda ndodheshin dy kolumbianë dhe kishte drogë. Të dy specialistët e kokainës ndërkohë kanë jetuar në njërën prej dhomave të shtëpisë së saj.

Sipas gruas, djali i kishte kërkuar kohë më vonë pas lëshimit me qira të magazinës, të lironte një nga dhomat. “Krevatet do i sjellin vetë”, i ka thënë ai, ndërsa i kishte shpjeguar se ata donin të flinin aty pasi nuk donin të iknin natën se ishte dimër e ftohtë. Por edhe kjo dhomë ka pasur një portë më vete. Të moshuarit, siç thotë gruaja, nuk janë përplasur asnjëherë me ata që fjetën aty. Madje ajo thotë se as kur hynin e kur dilnin nuk e kanë kuptuar…

Rrapo, quhet drejtuesi i punës në fushën e druve një prej magazinave fqinje me laboratorin. Nja pesë a gjashtë punëtorë bashkë me të vazhdojnë të presin dhe stivojnë dru të pashqetësuar nga prania jonë. Rrapo thotë se ditën që policia bëri aksionin ka mësuar se cilët ishin komshinjtë edhe pse këta për të hyrë e dalë nga magazina e tyre do kalonin medoemos nga fusha e druve. Rrapo sidoqoftë thotë se nuk ka parë asgjë.

Ai madje nuk e di se kujt i është marrë me qira godina ku punon të cilën e ka marrë sipas tij byrazeri. “ǒne këta të ISISI-t këtu”, thotë ai se ka menduar kur policë me të zeza dhe kapuçë në kokë kanë sulmuar magazinën. Ai me të birin dhe punëtorët janë fshehur pas paletave të drurit, ndërsa u është dashur pak të kuptojnë se ishte policia. Për tjetër gjë, burri që ankohet se ka një operacion në zemër dhe se ishte trembur gjatë operacionit, nuk di të flasë. Më tutje, punonjësi i karburantit që ndodhet pa kaluar urën e trenit pak metra nga magazinat dhe dy persona që punojnë në kafenenë ngjitur pranojnë se asgjë nuk kanë ditur. Ata thonë se me të arrestuarit, pronarë të magazinave, kishin fare pak njohje.

I zoti i lokalit thotë se Arjan Dalipi merrej me gjueti dhe se rrallë kishin pirë ndonjë gotë raki bashkë. Ai e përshkruan burrin si të varfër dhe në nevojë. “Vinte skedina 1 mijë-lekëshe, po të kapnim noj lek pinim noj gotë”, na thotë ai për Arjanin. Ai thotë se edhe te shtëpia kishte qenë. “Merrja noj herë gjizë ose noj shishe dhallë të pleqtë”, tregon ai.

Drogë, kolumbianë apo qoftë edhe makina që vinin e iknin nuk pranon se ka parë njeri. Këze Dalipi thotë se ditën e operacionit nuk ka qenë te shtëpia. Me të shoqin ishin në Tiranë pasi sapo ishte ndarë nga jeta vjehrra e saj. Kur janë kthyer ata kanë parë policë te dera dhe janë habitur. Kur i kanë futur brenda ka parë të birin në pranga të ulur në dysheme dhe të tjerët përfshi edhe kolumbianët. Ajo thotë se vetëm atëherë ka parë se nga dera e hapur e dhomës ku kishin qëndruar kolumbianët disa “tava” (siç i quan ajo) me mbetje të ushqimit.

Ajo thotë se aty ka kuptuar se dy personat që kishin punuar nuk ishin larguar nga vendi dhe siç thotë ushqimi u paska ardhur nga jashtë. Njërin nga djemtë (Arjanin) ajo thotë se ia kanë arrestuar kur po i çonte ushqim qenve. “Shkoi si cjapi te kasapi se kur ka hyr te porta ka parë policinë”, thotë gruaja. Sipas saj as ata nuk e kanë ditur se çfarë bëhej në magazinat që Klementi kishte në pronësi bashkë me disa pika llotoje dhe zyrën e reklamave ku ishte punësuar familja dhe që sipas saj ishin bërë me kredi.

“Ku e dinin ata se ça bëhej aty. I kishim dhënë me qira 200-300 mijë lekë dhe nuk kishim hyrë brenda”, kujton gruaja. Ajo thoshte se njëri nga djemtë, Klementi kishte biznese, ndërsa tjetri, Arjani ishte saldator dhe thjesht punonte për të voglin në kompaninë e reklamave dhe kur nuk kishte punë ndihmonte në punët në bahçen pranë magazinave. Nipi i tyre që u arrestua dhe lirua dy ditë më parë, ishte punonjësi i grafikës në kompaninë e reklamave. Sipas gruas, kishte qenë i biri (Klementi) që pasi kishte ngritur kompaninë kishte dërguar nipin në shkollë në Tiranë të mësonte zanatin dhe më pas ai punonte aty.

Prokuroria ndërkohë thotë se ka prova që dy vëllezërit ishin të përfshirë. Ata janë filmuar ndërsa ndihmonin pjesën tjetër të grupit dhe po ashtu dalin në përgjime të lidhur me grupin.
Në më pak se dy muaj, prej Nëntorit në Janar, ish-rezervat e shtetit në Xibrakë të Elbasanit ishin kthyer në laboratorin më të madh të kokainës në vend, por duket se e gjitha ka kaluar pa u vënë re në zonë.

Edhe pse prokuroria ka në përgjimet e saj dhe videot, ku shihen disa prej të akuzuarve të hyjnë e dalin nga magazinat madje edhe nipin e Enver Hoxhës, asnjë nga banorët nuk pohon të ketë parë diçka të tillë. Kolumbianët që jetuan aty për dy muaj, po ashtu kanë kaluar pa u vënë re, e megjithatë Shqipëria është një vend i vogël, që askush të mos e dinte se çfarë po ndodhte. /albeu.com/
Shtuar më 17/01/2015, ora 09:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori