Rrëfimi i Ramës: Si lexoja libra të ndaluar për Tiranën e viteve ’80
Kreu socialist, Edi Rama, i ftuar në radion “France Inter” me Frederik Miterran tregon jetën e tij gjatë viteve të diktaturës, por dhe përvojën e tij në krye të Bashkisë së Tiranës.

Rama tregon për Miterran risitë e programit të tij “Rilindja shqiptare”.


Intervista e zbardhur nga gazeta Panorama.

Shqipëria është vendi që ne na ka dhënë Nënë Terezën, Ismail Kadarenë, Inva Mulen etj., një ansambël të konsiderueshëm personalitetesh. Është një vend që ka vuajtur shumë gjatë shekullit XIX, por është një vend tmerrësisht i bukur, për t’u parë dhe vizituar, një vend i mrekullueshëm mesdhetar dhe ballkanik. Një vend që po hapet drejt lirisë, demokracisë dhe ku zgjedhjet e fundit ishin një lajm i mirë i përshëndetur nga Europa. Po asiston Shqipëria në një klimë hapjeje dhe lirie?

Është e vërtetë, zgjedhjet e fundit ishin shumë të rëndësishme jo vetëm për rezultatin, por për përmbajtjen demokratike të tyre. E gjithë Europa ka dashur që Shqipëria ta kalonte këtë provim dhe Shqipëria e kaloi me shumë dinjitet, gjë që krijoi një situatë shumë të favorshme në arenën ndërkombëtare për vendin. Por, sigurisht nga ana tjetër këto zgjedhje na kanë bërë shumë përgjegjës, pasi kemi marrë një fitore shumë të gjerë me 83 deputetë që na lejon të bëjmë dhe reforma që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Por, mbi të gjitha, me një mesazh të fortë të zgjedhësve që nuk donin vetëm ndryshimin e pushtetit nga e djathta në të majtë, por një ndryshim të thellë të vendit.

Vendi ka qenë qeverisur nga Sali Berisha, nga një parti e cilësuar e djathtë. Zgjedhjet e shkuara kanë pasur kritika të ashpra, për shkak të tyre ka pasur dhe disa të vrarë. Fitorja që ju keni arritur do ta vendosë vendin në një qetësi politike. Ju keni thënë se nuk do t’i njihni shumë merita sepse është kundërshtari juaj, por keni thënë se do të jetë historia që do ta vlerësojë…në këtë mënyrë po e ndriçoni?

Në fakt është e para herë në politikën shqiptare dhe unë jam shumë i kënaqur që pata rastin ta bëj këtë, duke e falënderuar për çdo gjë të mirë, që ndoshta do të jetë historia që do t’ia njohë me objektivitetin që unë flas. Sepse jetojmë në një periudhë shumë të vështirë të konfliktit politik. Ne duhet të rindërtojmë dialogun mbi këtë klimë dhe nga ana tjetër, ne duhet të njohim humbjen dhe të urojmë fituesit. Në fund, dua të them se është një fitore që ne na bën shumë përgjegjës, duke pasur në anën tjetër një pritshmëri shumë të madhe nga ana e votuesve ndaj nesh. Duhet të jemi në lartësinë e duhur, nuk është e lehtë.

Pas 45 vitesh regjim komunist paranojak dhe pas daljes nga komunizmi, në këto 20 vite demokraci ka një progres ekonomik, jeta në Shqipëri është më e lehtë, por institucionet demokratike janë shumë të brishta…

Diferenca mes së shkuarës dhe të tanishmes, duke e krahasuar edhe me popujt e tjerë, si çekët, polakët, hungarezët, ku komunizmi ishte një aksident që i ndërpreu atyre në mënyrë brutale dritën për një periudhë, komunizmi në Shqipëri gjeti një terren mjaft pjellor të patriarkalizmit dhe të mungesës së traditës demokratike. Aty mund të gjejmë dhe shpejtësinë me të cilën të tjerët janë larguar nga e shkuara e tyre, ndërsa te ne kjo vonesë vjen për shkak të mungesës së traditës demokratike, të mungesës së një tradite të një shteti të vërtetë dhe na është dashur ta ndërtojmë nga fillimi, dhe kjo s’është e lehtë.

Ju keni pasur edhe korrupsion, edhe fenomene klanore…

Kjo ka ardhur nga mungesa e institucioneve dhe strukturave efikase të një shteti që duhet të jetë në shërbim të qytetarit.

Si mund të bashkëjetonte me regjimin komunist një 18-vjeçar si Edi Rama në Tiranën e para viteve ’90?

Besoj se bota e artit dhe e pikturës ka qenë mënyra më e mirë për të kuptuar mungesën e lirisë. Sepse jetoja në një vend kur e gjithë kultura dhe arti i shekullit XX ishte e ndaluar, dhe kishim një botë paralele të librave të ndaluar…

Ju nuk e dinit se kishte një Pikaso?

Jo, ne e dinim këtë, por na duhej ta gjenim në errësirat e lidhjeve të ndaluara. Kjo na e bënte jetën edhe më tërheqëse, por dhe të rrezikshme, pasi mund të të përjashtonin nga shkolla.

Shokët ishin të infiltruar te ju?

Shoqëria ishte shumë selektive, por unë kisha një rreth miqsh me të cilët përkthenim. P.sh. unë kam mësuar frëngjishten pa një mësues, por vetëm duke lexuar librat e ndaluar, impresionizmin, post-impresionizmin e kështu me radhë.

Ju keni hyrë në politikë pas viteve ’90, jeni një artist që merreni me politikë. Keni qenë ministër i Kulturës e më pas kryetar bashkie. Çfarë ndodhi me Tiranën tuaj?

Hyra në politikë me të njëjtën mënyrë siç kanë hyrë të gjithë intelektualët e Europës Lindore, artistët, shkrimtarët etj. E pashë politikën si hapësirë të lirisë. Doja ta jetoja lirinë dhe liria më çoi dhe në Francë dhe u ktheva në Shqipëri krejt rastësisht pas tre vjetësh. U bëra ministër i Kulturës pas funeralit të babait tim, ditën që e përcillja për në banesën e fundit. Ishte një situatë surreale, si një episod të pastër ballkanik që e gjen në vendin tim. Pas dy vjetësh si ministër Kulture u zgjodha kryetar i Bashkisë së Tiranë, i pavarur, por i mbikëqyrur nga Partia Socialiste. Unë munda të bëj disa gjëra që ndryshuan kryeqytetin.

Nuk kishin një plan urbanistik, trashëguat kudo ndërtime të modelit sovjetik dhe kinez dhe ishte një situatë e mjerueshme e deri si një bordello…

Flasim për një vend të virgjër dhe të pazhvilluar, por dhe të bukur, sepse gjatë kohës së komunizmit e gjithë kjo bukuri ishte një gjë që njerëzit nuk e vlerësonin dot për shkak se njerëzit ishin krejtësisht të privuar nga pasja dhe zhvillimi i pronës private. Liria u perceptua si mundësia e afirmimit të individualitetit njerëzor dhe për t’iu kthyer natyrës si një pasuri të armikut, që ishte shteti komunist. Çdokush përvetësonte pronën publike, pas viteve ‘90 ka pasur një lëvizje demografike të pabesueshme dhe për 10 vjet kryeqyteti ishte kthyer në një bordello të pabesueshme, në një treg të madh oriental ku kishte një kaos total. Na u desh të bënim një aksion total për të liruar hapësirat publike, për të rifituar parqet. Filluam me ngjyrat, duke lyer pallatet.

Jeta nisi të bëhet e bukur në Tiranë?

Në tri vitet e para filluam të rilindim shpresën te qytetarët për të parë një jetë publike në Shqipëri, sepse të gjithë deri atëherë kishin bërë gjithçka për hapësirën e tyre private, por ishin izoluar nga njëri-tjetri. Që do të thotë kishim shtëpi më të gjera, kishim prona private, por s’kishim më jetën publike. Rikrijimi i hapësirave publike ishte ajo që unë doja të bëja në mbështetje dhe respekt të njerëzve.

Pas 15 vjetësh në politikë dhe 10 vjetësh në krye të Bashkisë së Tiranës, ju jeni zgjedhur Kryeministër. Cili është programi juaj?

Ne kemi bërë një program që synon të ndryshojë natyrën e konfliktit politik, pa konflikt personal dhe baltosje të njëri-tjetrit, pasi në komunizëm kishim kulturën e refuzimit të tjetrit dhe të gjetjes së armikut të brendshëm, siç thuhej. Parë në këtë këndvështrim, unë mendoj se opozita gjithmonë ka vuajtur nga mungesa e respektit dhe mungesa që të dëgjohen. Programi ynë i quajtur Rilindja Shqiptare kërkon të kalojë mesazhin e ndryshimit, duke nisur nga nevoja e një shteti që respekton dhe mbështet qytetarin e tij. Ne duam të ndryshojmë modelin e zhvillimit, pasi modeli aktual është i bazuar mbi spekulimin, ndërtimin kudo, remitancat e emigrantëve në Itali dhe Greqi, klientelizmin etj. Duam të ndërtojmë modelin e prodhimit të punësimit, sepse vendi ka një papunësi dramatike, një model zhvillimi të fshatit dhe të turizmit.

Ju tani jeni Kryeministër i Shqipërisë. Kam lexuar se keni thënë se ju merreni me politikë pasi politika bën pjesë tek aksioni dhe aksioni i tejkalon kufijtë e vdekjes. Mendoni në të njëjtën mënyrë edhe tani?

Unë mendoj se ka një lidhje mes vdekjes dhe politikës, dhe mendoj se ka një lidhje mes një njeriu që merret me politikë dhe vdekjes. Sepse në fund, qoftë një frikë permanente, qoftë një vullnet për të tejkaluar vdekjen, kjo e shtyn politikanin drejt totalitarizmit dhe diktaturës.
Shtuar më 06/09/2013, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori