Rrëfimi i Ramës: Arratisja ime nga hoteli në Gjermani në ’84
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama gjatë një intervistë të dhënë pak ditë më parë për radion “France Inter” me intelektualin e famshëm, ish- Ministrin e Kulturës së Francës, Frederic Mitterrand ka rrëfyer për herë të parë "arratisjen" e tij në vitin 1984 nga një hotel në Gjermani për të parë muzeun e Bremenit.


"Sporti ishte një mënyrë që të mund të dilnim jashtë vendit, sepse vetëm nëpërmjet sportit dhe vetëm nëse ishim pjesë e një ekipi kombëtar mund të dilnim jashtë. U mora me sport sepse doja absolutisht të shihja një muze arti dhe kur dola për herë të parë jashtë vendit, në Gjermani, më kujtohet një arratisje e pabesueshme nga hoteli, për të parë muzeun e Bremenit, ku pashë për herë të parë një Picasso origjinal", ka rrëfyer Rama.

Por sa vjeç ishte kryeministri atëherë? "Ishte viti 1984. Isha 20 vjeç". Dhe diktatori Enver Hoxha ishte ende gjallë vijon rrëfimin e tij Rama. "Diktatori Hoxha ishte ende gjallë. Ai vdiq në vitin 1985. Drejtuesit ishin shumë larg. Por është interesante për studiuesit e komunikimit. Enver Hoxha shfaqej në television vetëm dy-tre herë në vit. Ishte i pranishëm kudo në afishe, fotografi në librat e historisë, në gazeta. Emri i tij përmendej çdo ditë, kudo, por imazhi i tij i vërtetë shfaqej në televizion vetëm dy-tre herë në vit. Kjo e bënte pothuajse mitik". /albeu.com/
Shtuar më 08/09/2013, ora 11:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori