Rrëfimi i klandestinit: Në Siri duhet të kalosh mbi kufoma
Një nga klandestinët e ndaluar mëngjesin e djeshëm nga policia e Gjirokastrës në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” rrëfen atë që po ndodh në Siri. 24-vjeçari Abraham Katra ka mundur t’i mbijetojë vdekjes dhe me shpresën për të jetuar ka nisur një udhëtim maratonë e sfilitës për në Europë.

Ai ka jetuar për çdo ditë ferrin në Siri. Ka parë rrugët dhe sheshet të mbushura me kufoma burrash, grash dhe fëmijësh. Ka humbur tre pjesëtarë të familjes, ndërsa vetë është masakruar me thika.


Intervista

Abraham Katra u shpreh se kanë udhëtuar për afro dy muaj, në të shumtën e kohës pa bukë dhe ujë, vetëm që t’i shpëtojnë vdekjes.

Abraham nga vjen dhe sa ke udhëtuar?

Kam udhëtuar për gati dy muaj. Kam ecur pa fund në këmbë dhe me gjithfarë mjetesh transporti, e gjithë kjo vetëm për të jetuar. Unë vij nga Siria. Ajo çfarë kam parë dhe jetuar atje më tremb. Lufta dhe terrorizmi në vend janë të frikshme. Unë dhe qindra sirianë të tjerë ikëm nga vendi për t’i shpëtuar ferrit.

A mund të na thoni se çfarë po ndodh në Siri?

Aty sheh vetëm njerëz që vriten çdo ditë nëpër rrugë, sheshe dhe shtëpi. Shpeshherë duhet të kalosh mbi kufoma, pasi lihen në rrugë për ditë me radhë. Çdo ditë mund të vdesësh, të jesh gjallë është fat. Kam parë bomba që shpërthejnë në shtëpi duke vrarë edhe foshnje. Jemi të terrorizuar. Nuk kemi as drita, as bukë dhe as ujë. Siria është njësoj si para 150 viteve.

Lufta në vendin tuaj ju ka shkaktuar viktima në familje?

Bomba shkatërroi shtëpinë time, humba tre pjesëtarë të familjes. I vetmi që me ka mbetur është vëllai im që aktualisht është në burg.

Cili është profesioni juaj, dhe si i keni mbijetuar luftës?
Siri kam bërë shkollë për infermier. Duke pasur një profesion të tillë nuk mund të rrija indiferent ndaj njerëzve të plagosur nëpër rrugë. Kjo më kushtoi shtrenjtë, pasi me ligj në Siri, kush ndihmon të plagosurit dënohet. Për këtë jam torturuar në mënyrë çnjerëzore, jam goditur me thikë në shumë pjesë të trupit. Mbijetova duke u mjekuar vetë. Më pas mora vendimin të largohem, nuk dua të përfundoj i vdekur në rrugë. Kam shpresa për të ardhmen dhe kërkoj një jetë më të mirë. Të paktën të jetojmë, nuk duam asgjë më shumë.

Për ku udhëtoje?
Jemi nisur dy muaj më parë. Nga Siria mbërritëm fillimisht në Turqi duke udhëtuar të fshehur në kamionë. Pastaj shkuam në Greqi dhe sot mbërritëm këtu në Shqipëri, duke shpresuar se do të shkonim në destinacionin përfundimtar, në Suedi. Aty kanë mundur të shkojnë njerëzit tanë që janë sistemuar me dokumente dhe strehim. E përsëris, duam vetëm të jetojmë.

Ku i paguani lekët?

Paguajmë nën dorë për udhëtimin me anije apo barka nga Turqia për të mbërritur në Greqi. Më pas, në Greqi kemi njerëz të tjerë që na kanë orientuar, madje edhe shqiptarë që na kanë kërkuar 1000 euro për të na shoqëruar drejt Malit të Zi e më pas destinacionin tonë përfundimtar. Kemi ecur pa fund, jemi pa bukë e pa ujë. Por këtu, policia shqiptare të paktën na dha për të ngrënë.

Si kaloni nga Greqia drejt Shqipërisë? Në Greqi është më e thjeshtë, pasi ka raste që vetë policët grekë na hipin në autobusë dhe na lënë të lirë të vijmë këtu.

Ose ecim në këmbë nga malet të shoqëruar nga udhërrëfyes, ku pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë.

Sot (dje) ju ka ndaluar policia, çfarë do të ndodhë me ju?

Tani jemi të detyruar të kthehemi pas, por unë si le përpjekjet për të shkuar në vendet europiane. Ne jemi njerëz si gjithë të tjerët dhe kemi të drejtë të jetojmë.
Shtuar më 05/10/2013, ora 11:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori