Rrëfimi i Alfred Pezës, ja pse pranova ftesën e PS -së
Gazetari Alfred Peza ka rrëfyer për gazetën Panorama arsyet e shkëputjes së tij nga bota e gazetarisë dhe përfshirja e tij në politikë. Ai shprehet se ka pasur sinjale pas zgjedhjeve të 8 majit 2011 nga drejtuesit e PS, por i është dashur gati një vit për të thënë “Po”.


Kandidati më i ri për deputet i PS flet edhe për dallimet mes PD e PS, koalicionet dhe pse sipas tij opozita do t’i fitojë zgjedhjet e 23 qershorit.


"Ka qenë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime, për të cilën më është dashur më shumë se një vit kohë për ta marrë. Sinjalet e para për përfshirjen time në politikë më kanë ardhur nga drejtues të PS, pas zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011. Fillimisht, në formën e pyetjeve miqësore: A e ke menduar ndonjëherë futjen në politikë? Pse nuk e sheh mundësinë që të jesh pjesë e politikës? Ju gazetarët na kritikoni shpesh për vendimet dhe veprimet tona, pse nuk vjen që të kontribuosh edhe ti? Pse nuk angazhohesh me PS? Etj. I mora me sportivitet këto sinjale, sepse të tilla më kishin ardhur edhe herë të tjera. Rreth një vit më parë, diku nga pranvera e vitit të kaluar, kuptova se ato nuk ishin rastësore, por të studiuara. Ndaj qasja sa vinte formësohej dhe bëhej më konkrete, nga drejtuesit më të lartë të PS. Përgjigjja ime ishte negative. Kisha një kontratë me televizionin “Vizion Plus” si drejtor informacioni dhe realizoja dy emisionet e mia politike në javë. Prej shumë e shumë vitesh, isha munduar dhe besoj ia kisha arritur që të ndërtoja profilin e një gazetaribalancuar. Për rrjedhojë, në studio kisha përballë meje si rrallëkush, liderët dhe politikanët e të gjitha kaheve politike në Shqipëri. Pa përjashtim. Ndaj, vendimi për të lënë gazetarinë për politikën, më dukej i pamundur. Përpara ishin pushimet verore dhe bashkë me plazhin, besoja se do mbetej pas edhe kjo ide. Por, në vjeshtë, kërkesa për përfshirjen time në politike u bë më këmbëngulëse dhe konkrete. Ishte koha kur fillova të provoja se shprehja e njohur “Kurrë mos thuaj kurrë!”, ishte e vërtetë. Ndaj, në fund të 2012-s po shkoja drejt “PO”-së. Kjo më bëri që të mos i filloja emisionet televizive në janar. Sepse nuk doja në asnjë mënyrë që të përzieja punën e gazetarit me rrugën e re drejt politikës. Derisa në mirëkuptim të plotë me familjen, miqtë më të ngushtë dhe drejtuesit e televizionit (mirënjohja ime për pronarët e “Vizion Plus” do të jetë e përjetshme), vendosa t’i them “PO” ofertës së lidershipit të PS." shprehet Peza.

Lidhur me punën e tij si gazetar, Peza shprehet se për aq kohë sa ai punonte në këtë profesion ishte munduar të ishte një profesionist i balancuar, i lirë dhe i hapur për të gjitha palët.

"Gazetaria shqiptare sot është e sëmurë dhe në krizë të thellë morale, profesionale dhe financiare. Trupi i saj po sfilitet nga mungesa e trajtimit të barabartë nga qeveria, si në aspektin ligjor, financiar dhe kushteve të konkurrencës profesionale. Lajmi më i keq për mediat shqiptare sot është njehsimi i pronësisë, me drejtimin e saj editorial. Mediat shqiptare janë jashtë sistemit të kërkesë-ofertës, siç ato duhet të funksionojnë normalisht në një shoqëri të ekonomisë së tregut e në një shtet me demokraci funksionale. Është rritur autocensura, konformizmi dhe po ngushtohen çdo ditë e më shumë hapësirat dhe gradët e lirisë. Lajmi i mirë është se po lulëzon media online, një nga hapësirat më revolucionare dhe demokratike të epokës sonë. Për aq kohë sa unë isha në gazetari, jam munduar si pakkush që të jem një profesionist i balancuar, i lirë dhe i hapur për të gjitha palët. Kjo nuk do të thotë se mund të mos kem bërë gabime. Por për një gjë ju siguroj; ato nuk kanë qenë asnjëherë të qëllimshme, të shtyra nga dikush apo diçka jashtë profesionale. Gabimet e mia kanë qenë njerëzore. Ndaj, nëse dikush është prekur për diçka gjatë jetës sime si gazetar, sot është momenti për t’i kërkuar ndjesë. Kur vendosa ta lë këtë profesion, dhashë dorëheqjen dhe u largova. Duke mos rënë ndesh për asnjë çast me Kodin e Etikës së gazetarit dhe rregullat e shkruara e të pashkruara të këtij zanati kaq të bukur. Për të filluar një tjetër rrugë. Nëse edhe kolegët e mi të gazetarisë do të veprojnë kështu në të ardhmen, besoj se janë në rrugën e duhur. Por, nëse i shërbejnë politikës, partive, qeverive apo qeveritarëve të radhës, duke qëndruar në gazetari, atëherë ky nuk është problemi im." vijon me tej Peza. /albeu.com/

Shtuar më 11/02/2013, ora 10:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori