Rrëfehet Paloka: Çfarë më tha Rama pasi i hodha bojë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka ka treguar si reagoi Kryeministri Edi Rama kur i hodhi bojë në fytyrë gjatë seancës parlamentare të 14 Shkurtit 2019.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Paloka tha se Kryeministri e kërcënoi pas veprimit që bëri. Sipas ish-deputetit demokrat, ai ishte përgatitur për t’i hedhur bojë Kryeministrit, por nuk do ta bënte nëse Rama nuk do të provokonte me deklarata.

“E kam thënë dhe herë tjetër, ai ishte reagim mëse normal sepse duhet që atij Kryeministri arrogant, gojëpisët duhet t’i tregojmë se nuk mund të bëjë çfarë të dojë me kë të dojë. Duhet të reagojmë. Ishte duke kërcënuar në momentin kur i hodha bojën. Do ta shohësh çfarë do të të bëj, më tha. Por unë sërish reagova. Ishte një ditë e veçantë sepse ishte edhe kreu i Parlametit të Maqedonisë.

Unë isha i përgatitur, por nuk do të reagoja nëse ai nuk do të vepronte si gjithmonë. Për shqiptarët nuk është problem një politikan thuthuq, por një politikan që gënjen, vjedh. Një politikan thuthuq nuk i bën keq kujt. Ai s’ka asgjë tjetër për të më thënë mua përveç se thuthuq”, u shpreh Edi Paloka.
Shtuar më 16/03/2019, ora 08:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori