Rrëfehet Linda Rama
Linda Rama
Emri i Linda Ramës, në javët e fundit është përfolur shumë për konflikte interesi, qindra miliona lekë të pajustifikuara, akuza të ardhura në fillim nga familja e kryeministrit e më pas të shndërruara në një listë prej shtatë pyetjesh të formuluara nga Partia Demokratike.

Bashkëshortja e liderit të opozitës, Edi Rama, u ka dhënë përgjigje akuzave të drejtuara nga Partia Demokratike mbrëmë në emisionin "Top Story" të Sokol Ballës në Top Channel.

Ajo shprehet se në akuzat ndaj saj nuk ka asgjë të vërtetë dhe se ato janë bërë për të treguar se në këtë vend janë të gjithë njëlloj.

Për ju nuk duhet të ketë qenë e lehtë të përgjigjeshit pozitivisht. Pikërisht, po e nis me pyetjen e parë, përse e pranuat këtë ftesë?
Arsyeja lidhet me nevojën për të komunikuar direkt me publikun, pasi në dy javë është bombarduar me informacion dhe akuza të drejtuara ndaj meje dhe familjes sime. Për të qenë e sinqertë, fillimisht prita që një media apo aktor tjetër të hetonte përtej deklaratave publike vërtetësinë e akuzave, gjë që në fakt nuk ndodhi. Prita që këta ta bënte edhe Instituti i Deklarimit të Pasurive, por as kjo nuk ndodhi. Për këtë arste, pashë të udhës që të jepja personalisht shpjegimet e përshtatshme.

Kur ju intevistuam në momentin kur lidhët martesë me zotin Rama, deklaruat se do të qëndronit e tërhequr nga intervistat, por duket e vështirë t’i rezistosh këtij betimi përballë pushtetit të partnerit tuaj.
E para, Edi sot nuk ka pushtet. Unë, për vetë natyrën time, gjithmonë kam preferuar që të jem në distancë të caktuar dhe të merrem me punët e mia. Unë e kam shumë të lehtë të rezistoj dhe këtë e bëj çdo ditë shumë lehtë, por në 2-3 raste ka qenë shumë e vështirë të refuzoja dhe kështu shpjegohen daljet e mia në media.

Ndryshe nga sa pretendoni, këtu nuk jam dakord, bashkëshorti juaj është një prej njerëzve më me pushtet në këto vite, përfshi 11 vitet e drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Si u ndietë pikërisht në momentin kur u humb lufta për një mandat të katërt si kryebashkiak?
Mendoj se u ndieva si çdo njeri që ndoqi atë histori, atë vjedhje publike, por duke qenë pranë Edit, u ndieva edhe më ndryshe, edhe më pranë asaj ngjarje. Besoj se Edi i ka kushtuar shumë rëndësi këtij momenti tek libri i tij “Kurban”.

Si e përjetuat 21 janarin dhe 28 janarin?
Secili prej këtyre momenteve ishte shumë i vështira. Janë këto momente të rënda dhe përcaktuese në jetën e një politikani dhe si bashkëshorte, më duhet të jem pranë e t’i përjetoj pak më ndryshe nga sa i përjeton pjesa tjetër e popullsisë.

Si u ndietë ndaj akuzave të para direkte ndaj jush?
Jam ndierë sikur po ecja në rrugë dhe sikur papritur dikush më doli përpara dhe më bëri një agresion verbal. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Kur ishit atë ditë kur u bë kjo akuzë?
Atë ditë ka qenë e dielë. Unë isha duke ndjekur ne faqet online konferencën e Edit në “Twitter”. Për hir të së vërtetës, kam qenë pjesë e njerëzve skeptikë të përdorimit të “Tëitter”-it nga Edi, pasi mendoja që kjo do të ishte e parakoshme, por me gjithë spekticizmin që e rrethonte Edin për këtë komunikim, nuk i mori parasysh spektikët dhe filloi ta zhvillonte atë mjet komunikimi gradualisht. Duke iu rikthyer pyetjes, në atë moment pashë akuzat dhe për herë të parë u hutova, e më pas fillova të befasohem gradualisht me atë që thuhej, sepse e kuptova që ishin sigurisht të pavërteta dhe u ndieva e dhunuar nga të pavërtetat që dilnin dhe që reflektoheshin në faqen online. Sigurisht, më pas prita të kuptova deri ku shtrihej thellësia e këtyre akuzave.

Megjithatë, një ndër argumentet e përdorur për t’iu sulmuar është shndërruar edhe koha e marrë për të kthyer përgjigje. Përse kaloi kjo kohë e gjatë deri në një reagim tuajin zyrtar?
Unë nuk e di se çfarë mase keni ju për kohën, por siç e thashë, fillimisht kërkova vetë unë që të kuptoja se cili ishte thelbi i atyre që thuheshin, gjithmonë duke menduar se ose po i kuptoja gabim ose që media nuk po i transmetonte në mënyrën e duhur. Kur akuzat u bënë fare të qarta, siç ju thashë edhe më parë, prita që dikush tjetër të merrte përsipër të shkonte më përtej asaj që thuhej nga palët. Vendosa të dal vetë publikisht tani, pasi mora kohën e nevojshme për të absorbuar këtë lumë akuzash dhe pasi prita reagimet që nuk erdhën.

Ju ose sulmi ndaj jush ka krijuar një precedent të ri në politikën shqiptare. Që nga koha e kabinetit Meksi, janë abuzuar familjarët e kryeministrave e ministrave të ndryshëm, por kjo është hera e parë që përflitet familjari i një pretendenti për kryeministër. Përse ndodh kjo në gjykimin tuaj?
Hera e parë? Kjo nuk është aspak e vërtetë. Edi është kryetar i opozitës nga 2005-sa, unë jam gruaja e tij nga fundi i 2010-s dhe gjatë të gjithë kohës që Edi ka qenë në këtë detyrë, të gjithë shqiptarët e dinë që nuk ka mbetur njeri ndër të gjallët dhe të vdekurit e familjes Rama pa u goditur. Gjyshërit e Edit janë goditur. Nuk ka munguar përbaltja kundër të ndjerit dhe shumë të respektuarit Kristaq Rama. Nuk ka munguar ndaj nënës Anetës, as ndaj mamasë së djalit të Edit. As ndaj kushërinjve, qofshin të vërtetë e të sajuar dhe nga ana tjetër, unë mendoj se nuk është vetëm familja Rama që është ballafaquar në opozitë me shpifjen. Janë edhe shumë opozitarë të tjerë, kolegë të Edit, që janë përfolur në të njëjtën mënyrë nga kundërshtarët politikë, pa pasur asnjë lloj lidhje me luftën politike. Personalisht e gjykoj këtë fenomen tepër të dëmshëm për shoqërinë shqiptare, që është lufta me çdo çmim e mjet ndaj kundërshtarit politik.

Në rrjetet sociale, ju kanë sulmuar juve personalisht posaçërisht kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, ministrja e Integrimit Bregu dhe të tjerë. A është një kosto kjo që e kishit parashikuar kur u lidhet me Ramën?
Nuk është e rëndësishme si ndihem unë, kjo ka rëndësi personale, por jo ndonjë rëndësi të veçantë. Unë mendoj si si ndihen njerëzit kur shohin këto deklarata dhe mendoj se është detyrë e drejtuesve publike, që të shprehen në mënyrë të përmbajtur dhe me një etikë të përshtatshme për postin e tyre. Të gjithë shqiptarët investojnë çdo ditë për t’i dhënë kulturë fëmijëve, por kush janë përdoruesit e rrjeteve sociale? Rinia dhe nëse drejtuesit e lartë publike shprehen në mëntyrë agresive dhe ofenduese, ky është një element që dëmton, në opinionin tim, në edukimin e të rinjve.

A po ju bën kjo fushatë akuzash ndaj jush të paguani një kosto personale për karrierën e bashkëshortit tuaj politikan?
Njeriu ka dy kosto personale, e para për të gjithë veprimet dhe të gjitha ato që thotë vetë, ndërkohë që ka edhe një kosto që i imponohet arbitrarisht nga të tjerët. Unë mendoj se në rastin konkret, po flasim për këtë rastin e dytë, për një kosto personale që tentohet të imponohet nga të tjerët pasi unë jam gruaja e Edi Ramës dhe bëhet që njerëzit të mos merren me atë që i shqetëson çdo ditë dhe jo vetëm njerëzit, por që edhe politikanët të mos merren me detyrat e tyre dhe ato që njerëzit e thjeshtë shqetëson çdo ditë.

Megjithatë, akuzat e ardhura ndaj jush janë formuluar në shtatë pyetje zyrtare konkrete. Pyetja e para, sa projekte keni ndarë ju me zotin Bajraba. 2. Cili është historiku i vërtetë i pallatit 5-katësh dhe një kati nëntokë. 3. A keni qenë në konflikt interesi në ndërtimin e këtij pallati, në një truall midis sheshpushimeve të pallateve, ku ndalohet me ligj çdo lloj ndërtimi. 4. A ndiheni përgjegjës se për interesa familjare keni shkelur ligjin? 5. Si është paguar firma e ndërtimit apo janë shpërblyer me leje ndërtimi? 6. Përse nuk është deklaruar as sot origjina e 100 mln lekëve kredi pa interes, përse nuk deklarohet marrësi ose dhënësi i këtyre lekëve? 7. A janë deklaruar në organet tatimore këto 100 milionë hua dhe a janë paguar taksat që i korrespondojnë shtetit. Pra, po e nisim nga pyetja e parë, sa projekte ka ndarë zonja Basha me Kosta Bajrabën gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre?
Më lejoni të bëj një parashtrim të shkurtër para se të përgjigjem. Unë jam akuzuar, jo nga PD fillimisht, me çështje që janë lehtësisht të verifikueshme dhe të identifikueshme për çdo njeri që do ta kishte marrë përsipër dicka të tillë. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi, por dua të falenderoj ato media që shkuan përtej këtij ping-pongu dhe zbuluan pjesërisht diçka që ndodhte lidhur me këtë rast. Ndërkohë, dua të falenderoj posaçërisht prindërit e mi, xhaxhain tim, të cilët kokëulur dhe me bindjen e tyre kanë investuar për atë shtëpi dhe ju desh në një moment të caktuar të tërhiqeshin në një vorbull agresioni të paprecedent, duke parë se si njollosej në media investimi i bërë prej tyre me djersën e ballit. Dua të falenderoj posaçërisht xhaxhain dhe vëllain, sepse mua më bënë që të mos ndihem tërësisht keq teksa shihja që xhaxhai, i cili ndonëse pensionist nuk e ka ndërprerë punën, për shkak të telefonatës së një fqinji i duhet të lerë punë dhe të shkojë në shtëpi, pasi tek dera kishte njerëz që nuk ishin dashamirës. Vëllai, pas dhjetë vitesh në emigracion, u kthye me dëshirën për të investuar të gjithë kursimet e veta në atë shtëpi në tokën e të parëve tanë. Ndërkohë, shikoja edhe nënën time, e cila është prej kohësh e sëmurë, e shikoja ashtu të trishtuar dhe ndërkohë përpiqesha që ta qetësoja e shikoja babain që vuante ndërkohë që të gjithë familjet e vjetra tiranase dhe qytetarët e vjetër e njohin si një njeri të urtë dhe të virtytshëm.

Duke iu mirëkuptuar në këtë parantezë, le të kthejmë disa përgjigje. Sa projekte keni ndarë me zotin Bajraba?
E kuptoni se çfarë ndodh, merren emra, merren fjalë, merren ngjarje që kokolepsen me njëra-tjetrën, fillojnë krijohen fjali, përfitime dhe bashkëpunime e kjo bëhet thjesht për të tërhequr njerëzit në një rrugë gjykimi që është e çoroditur dhe e imponuar për të shkuar në një drejtim që këtyre njerëzve u intereson.

Mbi bashkëpunimin me Bajrabën?
Linda Basha - Unë nuk kam bashkëpunuar me Kosta Bajrabën në asnjë projekt institucional. Jam përpjekur shumë të kujtoj se kur mund të kem pasur bashkëpunim me të, përveçse kujtoj që ka qenë një bashkëpunim në përgatitjen e raportit të zhvillimit njerëzor në 2002-n, kur Bajraba mori pjesë së bashku me shumë ekspertë të tjerë në përgatitjen e atij raporti. Disa prej atyre ekspertëve janë në funksione drejtuese në ekzekutivin e sotëm, ndaj është njësoj sikur opozita sot të më akuzojë përse kam punuar me figura të mazhorancës. Zotin Bajraba e njoh si një ekspert të çështjeve sociale dhe një njeri të angazhuar në mësimdhënie, por kjo nuk do të thotë që një njeri që ka bashkëpunuar me të, të shihet sot si një njeri që duhet sulmuar nga qeveria apo institucionet e tjera.
Shtuar më 18/01/2013, ora 10:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori