Rrëfehet burrnesha e vetme e Kelmendit: Nuk jam bërë pishman
Gjystina Grishaj është burrnesha e vetme në Malësinë e Kelmendit. 54 vitet e jetës i ka kaluar në Lëpushë, aty ku u betua të bëhej shtylla e shtëpisë.

Dikur shumë vajza bënin betimin e Burrneshës, kur kullat e tyre nuk kishin më meshkuj. E vetmja mënyrë që dera të mbetej hapur ishte Betimi i Virgjëreshës së përjetshme.

Po për Gjystinën apo Dunin siç e thërret e gjithë malësia, vendimi për tu bërë burrneshë në moshën 23 vjeçare erdhi për arsye të tjera.

"Na vdiq babai, me la vajzë, nëna mbeti vetëm dhe fëmijët duhet të rriteshin, vendosa të bëhesha burrneshë", është shprehur Gjystina Grishaj.

E megjithatë të vishej, të sillej dhe të jetonte si një burrë nuk ishte e lehtë. I duhej të bindte fillimisht veten dhe më pas të tjerët se do ja dilte të jetonte si një burrneshë, e të mbante mbi shpinë të gjitha hallet e shtëpisë.

"Punë, punë, punë për shtëpinë, për nipëra", ka shtuar ajo.

Pas kaq vitesh kur kohërat kanë ndryshuar dhe bashke me të mentaliteti i shoqërisë shqiptare, a është bërë pishman burrnesha e Lepushës për vendimin e marrë?

"Jo jo, kurrë nuk jam bërë pishman, kam qene e vendosur e ashtu vazhdoj te jem", ka thënë Gjystina.
Shtuar më 20/07/2019, ora 21:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori