Rrahje multietnike ne komunen e Leposaviqit
Albeu.com
B.V, F.S. dhe H.M, janë rrahuar nga një grup serbësh në fshatin Soçanicë të komunës së Leposaviqit, pasi ata kishin ndaluar për një kafe në rrugëtim e sipër për në Mitrovicë, ka njoftuar një burim për gazetën “Koha Ditore”. Incidentin e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë. Tre persona janë rrahuar në një përleshje që ka ndodhur në kafenenë “Klubi B”, në fshatin Soçanicë të Komunës së Leposaviqit, ka thënë policia.

Sipas policisë rasti është regjistruar mbrëmë rreth orës 21:30, ndërsa në vendngjarje kanë reaguar edhe hetuesit policorë të Drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës, në Mitrovicë.

Në këtë rrahje janë involvuar një pjesëtar i përkatësisë etnike serbe nga Leshaku i Leposaviqit, një boshnjak, banor i fshatit Rvatska të Leposaviqit, dhe një shqiptar banor i Mitrovicës, ka thënë policia.

Sipas policisë në vendngjarje, në lokalin “Klub B”, policia e Kosovës nuk ka arritur të gjej diç nga provat e mundshme materiale, pasi lokali ishte mbyllur para se policia të arrinte aty. Besohet se pronari i lokalit paraprakisht ka urdhëruar që lokali të pastrohet pas incidentit, ndërsa më pas të mbyllet, ka thënë policia në Mitrovicë.

Në anën tjetër burime të gazetës nga veriu i Mitrovicës kanë theksuar se viktimat, serbi dhe boshnjaku, janë sulmuar në momentin kur kanë dalë nga makina, ndërsa shqiptari ka ndenjur në makinë dhe nuk është sulmuar deri sa atu ka ardhur policia.

Sipas burimit gjatë incidentit sulmuesit kanë përdorur edhe armë zjarri, por gëzhojat janë mbledhur. Në sulm kanë marrë pjesë pjesëtarë të MUP-it të Serbisë, që veprojnë në Leposaviq. Lidhur me këtë policia thekson se lëndimet e regjistruara tek personat në këtë rast, nuk janë shkaktuar nga armë zjarri. Hetuesit policorë po zhvillojnë hetime në kërkim të motivit të mundshëm të këtij incidenti, ka njoftuar policia.
Shtuar më 13/07/2010, ora 15:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori