Rohan: Kosova do të jetë e pavarur
Albeu.com
Ndihmësi i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën Albert Rohan ka deklaruar se Kosova do të jetë e pavarur, me një pavarësi të kontrolluar, posaçërisht sa i përket çështjes së mbrojtjes së komunitetit serb.Rohan konsideron se Rusia në çështjen e Kosovës nuk do të shfrytëzojë të drejtën e vetos, sepse në të kaluarën anëtarët e Këshillit të Sigurimit me shumë përgjegjësi kanë shfrytëzuar të drejtën e vetos dhe shumë rrallë. "Jam i sigurt se Rusia është e vetëdijshme se refuzimi i propozimit tonë destabilizon Kosovën dhe tërë rajonin e Ballkanit". Rohan thotë se me shtyrjen e vendimit të KS, në të cilën po punojnë Serbia dhe Rusia, krijohet rreziku që të ndodhë incidenti që do të përshkallëzohej në dhunë e që do të ishte reklamë e pavolitshme për shqiptarët e Kosovës dhe për planin e propozuar. Rohan ka theksuar për gazetën kroate "Jutarnji list" se pas vizitës së misionit të Këshillit të Sigurimit në Kosovë, në maj do të bisedohet për rezolutën dhe se ajo do të miratohet nga fundi i majit. "Sidoqoftë, Kosova do të duhej të jetë e pavarur para verës", ka thënë Rohan, duke shtuar se propozimi i Ahtisarit nuk ka alternativë. "Pas tetë vitesh në limbo, në situatën e caktuar, duhet miratuar një vendim të qartë për statusin e Kosovës. Kosovën e ka humbur Millosheviqi, këtë të gjithë e dinë. Ky nuk është faji i liderëve aktualë të Serbisë dhe me këtë duhet përballur përfundimisht", përfundoi Rohan.
Shtuar më 16/04/2007, ora 18:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori