Rohan: Edhe pakica e BE-se te njohe Kosoven
Albeu.com
Albert Rohan, ish zëvendës i të dërguarit të OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari, ka kërkuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, pas vendimit të GJND-së do të duhej ta bënin këtë.
“Pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën – Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja – duhet të futen në një linjë me shumicën”, ka shkruar ai në një koment të botuar sot në të përditshmen vjeneze, Die Presse, transmeton REL.

Më tutje ai ka theksuar se “është koha që të lihen anash të gjitha paqartësitë e mbetura sa i përket statusit të Kosovës në komunitetin e vendeve, dhe rrjedhimisht, së paku të mundësohet stabiliteti i Ballkanit jugor”.

Albert Rohan konsideron se “qëndrimi i përbashkët përfundimisht do ta vendosë BE-në në pozicion për të luajtur rolin që duhet ta luajë në rajonin e Ballkanit dhe ta bëjë më të lehtë për liderët politikë të Serbisë që ta pranojnë realitetin e shtetësisë së Kosovës”.

Sipas tij, derisa Kosova dhe Serbia të mos i normalizojnë marrëdhëniet, as njëra palë nuk mund të shpresoj se do të anëtarësohen në BE, e cila kërkon nga shtetet kandidate që t’i lënë anash të gjitha konfliktet para se të bëhen anëtare.

Pas vendimit të GJND-së për Kosovën, Rohan ka bërë thirrje që “ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’iu shmangur paraqitjes së një konflikti tjetër të ngrirë në Ballkan”.
Shtuar më 24/07/2010, ora 15:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori