Rënia e euros, ç’po ndodh me pagat, kreditë, çmimet e shtëpive…
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Teksa euro ka arritur në nivelet më të ulëta që nga viti 2009, duke u këmbyer me rreth 135 lekë, ka nga ata që po humbin nga kjo situatë, sidomos eksportuesit dhe indivdët që paguhen në euro, por ka dhe nga ata që po dalin të fituar, kryesisht personat apo bizneset, që kanë kredi në euro, duan të blejnë një shtëpi, apo duan të udhëtojnë në Europë.

Në të kundërt, po ndikohen ata që janë lidhur me dollarin. Monitor po ju sjell një klasifikim të fituesve dhe humbësve.

Këstet e kredive më të lira në euro, më të shtrenjta në dollarë

Deri disa vite më parë, huatë në euro ishin mjaft të preferuara, si nga bizneset ashtu dhe individët. Normat shumë më të lira të interesit, në raport me lekun, si dhe fakti që euro është mjaft e përdorur tek ne, e bënin monedhën e përbashkët shumë të kërkuar.

Kredimarrja në valutë arriti kulmin në vitin 2011 dhe më pas, bankat filluan ta frenonin atë, teksa zhvlerësimi i lekut (një euro arriti edhe në mbi 140 lekë) e bëri evidente rrezikun e kursit të këmbimit, për të gjithë ata që i kishin të ardhurat në lekë. P.sh.,, një individ që kishte një këst mujor 300 euro, në vitin 2006 i duheshin 36900 lekë, në 2013-n i duheshin 42100 lekë, pra rreth 14% më shumë.

Sot është e vështirë të marrësh një hua në valutë, pasi bankat i rekomandojnë klientët të marrin hua në monedhën që ata i kanë të ardhurat.

Megjithatë, stoku i huasë në valutë vijon të mbetet i lartë, duke përbërë 53% të totalit të kredisë.

Sot janë rreth 1.8 miliardë euro (253 mld lekë), që bizneset dhe individët duhet t’u kthejnë bankave përmes kësteve mujore. Kredimarrësit që kanë të ardhura në lekë po përfitojnë nga zhvlerësimi i euros, që i ka bërë këstet rreth 5% më të lira se dy apo tre vite më parë.

Në të kundërt, të gjithë ata që kanë marrë kredi në dollarë u rezultojnë këstet më të shtrenjta. Megjithatë, ata janë shumë më të pakët në numër. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë në dollarë në nëntor 2016 ishte rreth 260 milionë euro.

Historikisht besimi i shqiptarëve te monedha vendase për blerjen e aseteve të mëdha ka qenë i ulët. Një sjellje psikologjike kjo e lidhur që me kohën e Zogut, kur zhvlerësimi i monedhës kombëtare i bëri njerëzit të lidheshin me floririn. Edhe në kohën e komunizmit, ata që kishin flori i ruanin me kujdes. Në fillim të viteve ’90, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi, referencë për shqiptarët u bë dollari.

Që prej vitit 2003, kur kaloi për herë të parë dollarin në bursat ndërkombëtare, euro është monedha e preferuar për blerjen e aseteve të qëndrueshme, sidomos apartamentet dhe makinat. Çmimet e shtëpive sot kuotohen në euro, por edhe makinat shiten në këtë monedhë.

Teksa çmimet e apartamenteve po njohin rritje të shpejtë muajt e fundit, shtrenjtimi i tyre po amortizohet disi nga nënçmimi i euros. P.sh., për një apartament 90 metra katrorë në një zonë të mirë të Tiranës, që në 2014-n kushtonte 1000 euro për metër katror, duheshin 12.6 milionë lekë (një euro kushtonte 140 lekë).

Sot, në të njëjtën zonë, për të njëjtën sipërfaqe, kur çmimi ka arritur në 1100 euro për metër katror, apartamenti kushton 99 mijë euro. Nëse kursi do të ishte i njëjtë si në vitin 2014, atëherë kosto e shtëpisë në monedhën vendase do të ishte 13.9 milionë lekë, apo 10% më i shtrenjtë. Por, sot, kur euro këmbehet me rreth 135 lekë, kosto reale e shtëpisë është 13.5 milionë lekë, apo rreth 7% më e shtrenjtë, duke bërë që kursimi nga kursi i këmbimit të jetë gati 3 mijë euro.

Muajt e fundit, tregu i shitblerjes së apartamenteve, pas një periudhe në stanjacion, ka njohur gjallërim. Në raportin e fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, lexohej se indeksi i çmimeve u rrit me 4.6% në terma mesatarë vjetorë, teksa shihet se indeksi i qirasë së banesave ka regjistruar gjithashtu rritje me 3.3% në tremujorin e katërt.

Rritja e çmiCapture 1meve ka ardhur për dy faktorë. Së pari, është rritur taksa e ndërtimit në infrastrukturë, nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes. P.sh., një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m² dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m², më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 euro/m² (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë. Nga periferia në qendër, reflektimi në çmime pritet të rriten me 50 deri në 120 euro për metër katror.

Së dyti ka pasur një kërkesë të shtuar për blerje apartamentesh në kryeqytet, me para në dorë në zonën e qendrës, por edhe në periferi, përmes kredisë.

Kjo rritje e kërkesës është reflektuar dhe në çmimin e shitjes, ku në zona të caktuara, rritja e çmimit ka qenë 200-300 euro për m², rritje e cila ka tejkaluar dhe taksën e infrastrukturës.

Në periferinë e Tiranës, mund të gjesh apartamente me 400-500 euro për metër katror dhe më pas rriten sa më shumë i afrohesh qendrës. Zona përreth Unazës është me 900-1000 euro për metër katror. Brenda qendrës është 1200-1800 euro për metër katror, përreth bllokut me 2000-2700 euro për metër katror. Çmimi për m² në zonat elitare, si ajo e TVSH-së, ka kapur nivelin e 3 mijë eurove.

“Ulen” pagat në euro, rriten në dollarë

Shumë institucione ndërkombëtare, apo dhe biznese private i paguajnë punonjësit në euro. Ndërsa ata iu gëzuan një rritjeje të euros në vitet 2010-2015, tashmë po u ndodh e kundërta. Ndonëse paga mund të mos ketë ndryshuar, të ardhurat reale në lekë janë 4-5% më të ulëta se dy vjet më parë, kur euro këmbehej me 140 lekë.

Një pagë vjetore prej 1200 eurosh, e konvertuar me kursin e sotëm është 163 mijë lekë, nga 168 mijë lekë që ishte më parë, pra rreth 5 mijë lekë më pak.

E kundërta ndodh për të gjithë ata që paguhen në dollarë, që në periudhën 2015-2016 kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në lekë. Një pagë prej 1200 dollarësh sot vlen rreth 153 mijë lekë (kursi 128 lekë), nga 127 mijë lekë në vitin 2014, pra rreth 27 mijë lekë më shumë.

Pagat në euro

Një pagë vjetore prej 1200 eurosh, e konvertuar me kursin e sotëm është 163 mijë lekë, nga 168 mijë lekë që ishte më parë, pra rreth 5 mijë lekë më pak.

Pushimet jashtë më të lira, por të shkosh në SHBA është më shtrenjtë

Gjithnjë e më shumë shqiptarët po preferojnë që pushimet t’i kalojnë jashtë vendit, jo vetëm në muajt e verës, por janë shtuar edhe udhëtimet kulturore përgjatë vitit, kryesisht në Europë. Në modë kanë dalë edhe pushimet në vendet ekzotike në vende të largëta si Maldive, Tajlandë, Santa Domingo etj., që kushtojnë minimumi 1500 euro për një person.

Ofertat e pushimeve janë të gjitha në euro, duke i bërë ato më të lira për të gjithë ata që vendosin të udhëtojnë jashtë vendit.

P.sh., një paketë pushimesh prej 600 eurosh për një person, aktualisht, kur euro këmbehet me 135 lekë, e merr 4200 lekë më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur monedha e përbashkët këmbehej me rreth 139 lekë.

Më shtrenjtë u rezulton atyre që duan të ikin në Shtetet e Bashkuara, që duhet të shpenzojnë mesatarisht 25% më shumë për të këmbyer lekët në dollarë, në krahasim me dy-tre vjet më parë.

Kursimi për pushime

Një paketë pushimesh prej 600 eurosh për një person, aktualisht, kur euro këmbehet me 135 lekë, e merr 4200 lekë më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur monedha e përbashkët këmbehej me rreth 139 lekë.

Ulen çmimet e produkteve të e importit

Me Shqipërinë që importon një pjesë të madhe të produkteve, sidomos ato ushqimore, kjo nënkupton se ato janë më të lira. Alban Zusi pohon se ai ka futur së fundmi në treg një salcë italiane dhe pas rënies së euros ka bërë llogaritë dhe ka vendosur të ulë çmimin e tyre. Më pas, ai ka vënë re se dhe tregu e ka ndjekur, teksa konkurrentët kanë tregtuar më lirë në tregun e pakicës të njëjtin produkt.

Për industrinë përpunuese, kjo është një thikë me dy presa. Ata mund të marrin më lirë lëndët e para të importit, por nga ana tjetër përballen me konkurrencë me produktet e gatshme të importuara. Për industrinë vendase, çmimi më i lirë ka qenë një nga avantazhet kryesore konkurruese.

E kundërta ka ndodhur me dollarin. Luigji Aliaj i Kastratit tha se forcimi i dollarit tre vitet e fundit ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e kostos së lëndës së parë të importuar dhe që është transferuar në çmim./Monitor/
Shtuar më 06/03/2017, ora 10:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori