Rivlerësimi i 30 mijë shtëpive, ja si ndryshojnë çmimet në Tiranë dhe në qarqe

Mazhoranca ka miratuar pa opozitën në Komisionin e Ekonomisë, shtyrjen me tre muaj të afatit për rivlerësimin e pasurisë me 2%. Në mbledhjen e radhës LSI-ja propozoi për Ministrinë e Financave rishikimin e taksës 15% për tatimfitimin. Ministri i Financave prezantoi në komision arsyet pse duhet të shtyhet afati i zbatimit të ligjit.

“Formalizim shumë i madh, prej 1 miliard dollarësh, kursim për qytetarët prej 156 miliardë dollarësh, një fluks në rritje dhe mundësi për 30 mijë familje na bën t’ju kërkojmë shtyrjen e afatit të ligjit deri në 31 maj 2017”, – tha Arben Ahmetaj, ministri i Financave. “Gazeta Shqiptare” publikon sot çmimet e referencës që do të përdoren për rivlerësimin e pasurive në Tiranë dhe 11 qarqe.

AFATI
Afati për rivlerësimin e pasurive të patundshme me taksën e tatimfitimit 2% është shtyrë për në 31 maj 2017. Miratimin për këtë kërkesë të Ministrisë së Financave e ka dhënë edhe Komisioni i Ekonomisë dhe Financave pa praninë e opozitës.

“Janë 30 mijë apartamente që kanë nevojë të formalizohen nëpërmjet legalizimit dhe me ndryshimet që kemi bërë kanë mundësinë të legalizohen dhe, pse jo, të përfitojnë nga rivlerësimi”, – tha Ahmetaj.

LSI-ja propozoi në këtë mbledhje edhe rishqyrtimin e taksës 15% të tatimfitimit, që sipas tyre është shumë e lartë, gjë të cilën e kundërshtoi ministri i Financave. “Logjika e regjimit tatimor, i cili do duhet të jetë i konsoliduar dhe solid dhe pa ndryshime të herëpashershme, është thelbi i një transparente ndaj tatimpaguesit. Ne nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë me tatimet e tjera”, – deklaroi ministri.

Afati i mëparshëm ishte 28 shkurti. Ky ligj u mundëson qytetarëve të rivlerësojnë pronat me një taksë të ulët, vetëm 2 për qind të vlerës, nga 15 për qind që është normalisht. Nga shtatori kur nisi, deri tani, ka pasur 27 mijë aplikime, ndërkohë u krijohet mundësia edhe 30 mijë familjeve të tjera që të përfitojnë nga procesi i legalizimit të apartamenteve. Për të gjashtën herë që nga viti 1995, është shtyrë edhe afati për përdorimin e bonove të privatizimit. Propozimi i Ministrisë së Financave ishte me një vit, por deputetët e mazhorancës kërkuan më shumë kohë që kjo çështje të mbyllet një herë e mirë, me dy vjet, deri në dhjetor 2018.

“Ta ndajmë këtë muhabet, s’kemi pse vijmë një herë në vit këtu për të njëjtën gjë. Kështu që, ose ta bëjmë që sot për dy vjet dhe gjatë kësaj periudhe 2- vjeçare të mos kujtohemi në fund të vitit të dytë që do vëmë afatin sot dhe të vijmë prapë dhe të themi ‘do e shtyjmë edhe një vit’, por të kemi një ekspoze të qartë”, – tha Angjeli./GSH/
Shtuar më 14/02/2017, ora 10:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori