Rinis mbledhja e ekspertëve, opozita lë takimin
Update-Pas një pushimi për rreth dy orë i grupit të ekspertëve, ka rinisur sërish mbledhja për reformën në drejtësi. Eskpertët e nivelit të lartë dhe ata të Partisë Demokratike janë rikthyer në Kryesine e Kuvendit pas një dreke reflektimi për të vendusur dhe rakorduar qëndrimet sa i përket reformës në drejtësi, por vetëm 5 minuta më pas, ekspertët e PD kanë lënë mbledhjen.

15:33 Rimblidhet tryeza e reformës, por duket se ekspertët akoma nuk kanë arritur asgjë në drejtim të konsensusit për draftin e reformës.

Ekspertët kanë përballur këndvështrimin për mënyrën sesi i lexojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias, ku duket se palët i lexojnë në mënyra të ndryshme. Pika kryesore mbetet mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe institucioneve, anëtarët e të cilëve plotësohen me kandidatura të votuara në Kuvend.

Opozita ka këmbëngulur që këto kandidatura të miratohen në Kuvend, me shumicë kushtetuese prej 93 votash. Ndërsa ekspertët e nivelit të lartë janë të qëndrimit se, në kushtet e vështirësisë për të arritur këto vota në Parlamentin shqiptar, ata të zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Por ky variant është kundërshtuar nga ekspertët e opozitës, sikundër mësohet se ata kanë kundërshtuar edhe lënien në fuqi të të dyja varianteve, për t’u shqyrtuar në prani të të dërguarve të Venecias në Tiranë, në ditët e ardhshme. Palët ndahen gjithashtu edhe për variantet e mekanizmave zhbllokues të zgjedhjes së anëtarëve të Gjyqësorit nga Parlamenti.

Qëndrimi i opozitës në tryezë shihet nga pala tjetër, edhe si kundërshtim i asaj që ata kishin pohuar në prani të ambasadorëve, atij amerikan dhe asaj të BE-së, për gjetjen e kompromisit mbi zgjedhjen me 84 vota të anëtarëve të Gjyqësorit në Parlament.

Sipas tyre, ekspertët e opozitës kishin pranuar në prani të ambasadorëve të rinisnin diskutimin, duke gjetur një variant rreth zgjedhjes me shumicë të cilësuar, ndërkohë që qëndrimi i këtyre dy ditëve për shumicë kushtetuese është tërësisht i ndryshëm, nga ai që kishin mbajtur në prani të Donald Lu dhe Romana Vlahutin. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2016, ora 16:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori