Rikthehet mbarë karantina, një tjetër shtet paralajmëron mbylljen
Mediat austriake bëjnë me dije se ky vend ka ndërmend të mbyllet pjesërish për shkak të shifrave të larta të COVID-19.

Ky shtet ka thënë se ka ndërmend të mbyllet pjesërisht, ku për katër javë, sektori i gastronomisë do të mbyllet, ndërkaq aktivitetet kulturore dhe sportive do të ndalohen.

Banorët do të duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre nga ora 20:00 deri në orën 06:00.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz tha se masat e reja do të hyjnë në fuqi ditën e martë dhe do të zgjasin deri në fund të muajit nëntor.

Baret dhe restorantet gjatë kësaj periudhe mund të punojnë me porosi, ndërkaq hotelet do të mbyllen për turistët.

Kompanitë që do të preken nga kjo mbyllje do të kompensohen deri në 80 për qind të fitimeve të tyre që kanë pasur nëntorin e kaluar, por me kushtin që ata të vazhdojnë të mbajnë në punë punëtorët e tyre, tha kancelari austriak.

Po ashtu, në Austri do të ndalohen vizitat nëpër shtëpi, me qëllim që të parandalohet përhapja e virusit në ndejat private që mund të organizojnë qytetarët. Banorët po ashtu inkurajohen që të punojnë nga shtëpitë.

Kancelari Kurz i përshkruajti masat si “mbyllje të dytë”, por masat e reja janë më të lehta se ato që ishin marrë në fazën e parë të pandemisë.

“Nëse nuk do të marrim këto hapa së bashku… ne rrezikojmë të përjetojmë atë që po shohim në shtetet tjera”, tha Kurz, duke shtuar se e di që njerëzit janë lodhur nga masat kufizuese.

Në Austri, shkollat do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura dhe po ashtu sallonet e floktarisë dhe dyqane të tjera joesenciale do të vazhdojnë punën.

Në shtatë ditët e fundit, Austria ka raportuar 300 raste për 100,000 mijë banorë. Në total, në këtë shtet prej 8,9 milionë banorësh, janë regjistruar 106,000 raste me koronavirus, ku 1,097 pacientë kanë vdekur që prej fillimit të pandemisë.

Shtuar më 31/10/2020, ora 23:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori