“Potenciali për konflikt në Ballkanin Perëndimor është më i lartë se kurdo tjetër”, mesazhi i të dërguarit të posaçëm gjerman

I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, (BP) Manuel Sarrazin, deklaron në Tiranë, se integrimi i BP në BE është vendimtar për stabilitetin e rajonit dhe ka rëndësi strategjike për Gjermaninë.

Manuel Sarrazin, dha të enjten (17.03) në Tiranë, një mesazh të qartë për rëndësinë e përshpejtimit të ritmeve të integrimit europian të BP në BE, për përforcimin e tij në kushtet e luftës në Ukrainë:

“Agresioni i pakuptimtë i presidentit rus ndaj një sheti sovran në Europë, evidenton qartë që arritjet europiane, jeta në një zonë të hapur lirie dhe mirëqënieje, nuk janë diçka e vetëkuptueshme. Ne duhet të angazhohemi rishtaz çdo ditë për mbrojtjen dhe konsolidimin e tyre. Në bindjen time të palëkundur, mbrojtja dhe konsolidimi i BE-së si një zonë e hapur lirie dhe e së drejtës, është e mundur vetëm me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, BP dhe perspektiva e anëtarësimit të të gjithë rajonit në BE, janë të një rëndësie strategjike për Gjermaninë dhe kanë një prioritet të lartë,” deklaroi Sarrazin pas bisedimeve që zhviloi të enjten në Tiranë, me Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ai theksoi që “qeveria e re federale po angazhohet me të gjitha forcat e saj për nisjen sa me më të shpejtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të negociatave të anëtarësimit në BE. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe vendimtare për stabilitetin në rajon dhe rrjedhimisht edhe për Evropën”.

Sarrazin vuri në dukje që edhe me “qeverinë e re të kancelarit, Olaf Scholz, Republika Federale e Gjermanisë mbetet një partner i ngushtë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.”

Në vend të fjalëve të mira të caktohet një datë

Për ministren e punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka është koha për një qasje tjetër strategjike të BE-së ndaj rajonit, që në thelb, sqaroi ajo, ka të bëjë me ndërmarrjen e masave konkete:

“Fjalë të mira kemi dëgjuar shumë, por sot është koha për të vepruar e për të shënuar arritje të prekshme. Duke filluar sigurisht me caktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe duke vazhduar domosdoshmërisht me artikulimin e një vizioni të qartë dhe të prekshëm integrimi për çdo vend të rajonit, sidomos në zonat ku sot ka më shumë tensione e potenciale për konflikt. Potenciali për konflikt në rajonin tonë, edhe përpara fillimit të luftës në Ukrainë, ka qenë më i lartë se kurrë në ndonjë zonë tjetër, në 20 vitet e fundit”, paralajmëroi ajo.

Kryediplomatja e Shqipërisë e konsideroi sigurinë e rajonit të lidhur ngushtë me atë të BE-së. “Kriza e Ukrainës dhe agresioni rus ndaj saj, kanë treguar qartë se Evropa duhet medoemos të investojë strategjikisht në rajonin tonë, si një rajon ecuria dhe zhvillimet në të cilin kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata në sigurinë e vetë BE-së. Rajoni ka nevojë për një qasje strategjike nga ana e BE. Kostoja e izolimit të Ballkanit Perëndimor është ku e ku më e lartë sesa kostoja e integrimit,” tha ajo.

Ministja e Jashtme Xhaçka, theksoi gjithashtu se në kontekstin e situatës së krijuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës ”do të ishin hapa të mirëpritura e të dobishme dhënia e një perspektive të qartë dhe angazhimi të prerë për Bosnjë-Herzegovinën dhe Kosovën, duke filluar me liberalizimin e merituar të vizave për Kosovën”

Rusia synon destabilizimin e rajonit

“Kriza e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj të gjitha shteteve që kanë mbështetur sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, kanë rritur rrezikun e destabilizimit në shtetet e rajonit. Përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në listën e shteteve jomiqësore të Presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Balkanin Perendimor”, theksoi ministrja e Jashtme Xhaçka.

Në prag të nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, hodhi poshtë pretendimet e publikuara në agjensinë ruse të lajmeve TASS , të ngritura nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, për praninë “e mercenarëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova” në Ukrainë.

Dy javë pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë dënoi shkatërrimin nga bombardimet ruse të konsullatës së nderit të Shqipërisë në qytetin e pushtuar Kharkov dhe kërkoi që autorët e bombardimeve të mbanin përgjegjësi.

Të enjten (17.03) zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, përgënjeshtroi bombardimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkov nga forcat e armatosura ruse.

Përgënjeshtrimi erdhi menjëherë pas mbështetjes nga Shqipëria të urdhërit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për masat e përkohshme të pezullimit të menjëhershëm të operacioneve ushtarake nga Rusia./DW