Berisha në Tropojë: Rama do i thotë mirupafshim pushtetit pas 14 majit, koha të votojmë ndryshimin

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në Tropojë. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se pas zgjedhjeve të 14 Majit, kyeministri Edi Rama do t’i thotë mirupafshim pushtetit dhe do të shkojë te McGonigal (burg).

“Udhëtimi me Ramën është udhëtim drejt varfërisë, skamjes dhe boshatisjes së Shqipërisë, drejt krimit, vjedhjes së buxhetit dhe pasurive të shqiptarëve. Është udhëtim drejt të keqes, 14 maji do të jetë fundi i tij.

Ju garantoj ju se pas vendosjes së pluralizmit me fitoren e Besnik Dushajt në Tropojë, në një afat shumë të shkurtër Edi Rama do i thotë mirë u pafshim pushtetit, ose jo vetëm kaq, do të shkojë tek McGonigal ose atje ku e kanë vendin kriminelët elektoral, ata që kanë kryer genocide mbi shqiptarët duke i larguar nga vendi i tyre.

Është koha të votojmë ndryshimin, është në duart e gjithsecili, ne do të fitojmë.

Asnjë votë për Rexh Biberajn. Cili prej jush ka votuar për emërimin e tij për kandidat për kryetar bashkie. Kurrë mos votoni për ata që për hir të xhepit ndërrojnë çdo pushtet.

Rexh Biberi pasi qëndroi për vite të tëra pushtetar i PD ndërroi çdo parti që i ofroi pushtetin, çdo socialist i Tropojës është 10 herë më me integritet se sa Rexh Biberi. Ju garantoj se kësaj radhe, askush nga Biberajt nuk do ta votojë.

Miqtë e mi 14 maji është ditë ndryshimi, hapet rruga për përmbysjen e regjimit. Të gjitha institucionet, do të kthehen siç kanë qenë në rrethin e Tropojës. I gjithë rrjeti elektrik i fshatrave të Tropojës do të rindërtohet. Autostrada e Alpeve do të jetë më panoramike e Ballkanit dhe Evropës.

Ju bëj thirrje malësore të Malësisë së Gjakovës kudo që janë, me 14 maj të vijnë dhe të votojnë. Tropoja ka nevojë jetike për votën e tyre e cila është votë misionare kësaj radhe”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 6.05.2023 12:13