Rikërkohet arrestimi i Frrokut, sot mblidhet Këshilli i Mandateve
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mblidhet sërish sot në orën 16:00, për deputetin Mark Frroku për të vendosur lidhur me një kërkesë të dytë për autorizimin e Prokurorisë për arrestimin e tij.

"Prokurori i Përgjithshëm ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë, kërkesën dhe relacionin shoqërues, për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë, së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Mark Frroku", thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit ku informohet se mbledhja mbahet sot në orën 16 00 në kryesinë e kuvendit.

Këtë herë Prokurorira nuk kërkon arrestimin e deputetit të zgjedhur në Pukë nën siglën e PKD, në zgjedhjet e 2013 për kallzim të rreme, por për një akuzë më të rëndë të ngritur nga drejtësia belge: Vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti në 1999.

"Bazuar në aktet që i janë vënë në dispozicion Prokurorisë Shqiptare, nga prokuroria belge rezulton se Mark Frroku dhe 3 bashkëatdhetarë të tij, janë personat e akuzuar për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel", thuhet në njoftimin e prokurorisë të bërë publik dje.

Në njoftimin për shtyp thuhet se mbledhja është thirrur nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta në zbatim të pikës 3 të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Nuk dihet nëse Mark Frroku do të jetë i pranishëm apo do vendosë të mos paraqitet si në mbledhjen e Këshillit, i cili harton një raport të cilin e paraqitet në seancës plenare dhe më pas raporti votohet me votim të fshehtë. /albeu.com/
Shtuar më 29/03/2015, ora 09:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori