Riker takoi Thaçin dhe Ahmetin në Tetovë
Albeu.com
Procedimi i rasteve të Hagës, integrimi i vendit në NATO dhe BE, njohja e pavarësisë së Kosovës, çështja e pazgjidhur e emrit si dhe kthimi i PDSH-së në Kuvend, ishin tema të këtyre takimeve."Ne kuptojme se këto janë raste të ndjeshme, duhet të shqyrtohen dhe menaxhohen në bazë të procesit adekuat dhe në bazë të rezolutës korrekte dhe transparente. Ne besojmë se në Maqedoni ka struktura që do të mund të ballafaqohen dhe t’i shqyrtojnë ato, dhe e di se liderët këtë e konsiderojnë si një çështje mjaft të rëndësishme", deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker.
"Ligji për bashkëpunim me Hagën është i detyrueshëm për të gjitha shtetet që ta sjellin. PDSH-ja kemi qenë shumë të vëmendshëm, shumë të mençur që të mos lëmë hapsirë për keqinterpretim. Neni 1 alinea 4 e atij ligji, dje ia tregova edhe Alisë, tregon se rastet e kthyera nga Haga mund të procedohen në Maqedoni vetëm me urdhnesë. Urdhëresë nuk ka prej Hagës për t’u procesuuar rastet", tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Sipas Thaçit, Ahmeti duhet të braktisë Qeverinë, të vendos kushte që rastet e Hagës të mos procedohen në Maqedoni.
Ndërkohë që nga BDI pas përfundimit të takimit nuk pati asnjë prononcim për media. Ndërsa, Riker nga Tetova edhe nje herë e përsëriti qëndrimin amerikan se Maqedonia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
"Njohja e Kosovës besojmë se është çështje e rëndësishme dhe besoj se kjo do të ndodh nga Maqedonia. Kjo do të jetë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit", nënvizoi ambasadori Riker.
Gjatë qëndrimit të tij në Tetovë ambasadori i SHBA-ve Riker u takua edhe me kryetarin e Komunës Hazbi Lika, vizitoi Xhaminë e Larme dhe Këndin Amerikan në Tetovë.

Shkëlzen Aqifi, alsat
Shtuar më 03/10/2008, ora 23:30
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori