Helmimi i 600 qytetarëve në Krujë, ISHP publikon rezultatin e analizave

Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë rezultatin e analizave të ujit që solli helmimin e mbi 600 qytetarëve në Krujë.

Në një deklaratë për mediat nëndrejtori i ISHP-së Dritan Ulqinaku tha se helmimi masiv ka ardhur si rezultat i një defekti në sistemin hidrik (çarje në tubacion) për shkak të shirave, ku është konstatuar një bakter ‘Enterokokus’, në një pikë të tij.

“Nga analizat e marra nga ISHP ka rezultuar që në një pikë të vetme të ujësjellësit ka rezultuar bakteri ‘Enterokokus’, shkak i këtyre shqetësimeve, situata që sot flasim është shumë e qetë, ka mbaruar pothuajse shqetësim, do e ndjekim me rigorozitet këtë epidemi të shkaktuar nga uji”, njofton ISHP.

Ulqinaku tha se ujësjellësi duhet të kishte marrë masa më shpejt, pasi bakteri neutralizohet menjëherë nga dezinfektantët.

“Ka qenë një çarje diku (në tubacion). Duhet të kishim vepruar më shpejt. Nuk ka pasur raste të rënda, trajtimi është dhënë në kohë rekord. Uji kishte prani të bakterit “Enterokokus” për shkak të shirave të ditëve të fundit. Bakteri ‘Enterokok’ reagon shumë mirë nga dezinfektantët” tha Ulqinaku.

 

 

 


Shtuar 28.10.2021 20:11

Tags: