Kthimi i serbëve në Polici po përcillet me kërcënime, reagimet e Kurtit, Osmanit dhe ndërkombëtarëve

Më 5 nëntor, 547 policë zhveshën uniformat duke hequr dorë nga Policia e Kosovës, në shenjë revolte pas vendimit të Qeverisë për targat. Përveç Policisë, serbët lëshuan edhe institucione tjera të Republikës së Kosovës. Kthimi i tyre ishte disa herë temë e takimeve, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Mirëpo, dje në Veri kanë nisur punën 46 policë serbë që diplomuan ditë më parë. Por ndaj tyre kanë nisur kërcënimet e linçimet, për çka kanë reaguar ndërkombëtarët, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani.

E marta e 25 korrikut ka qenë dita e parë e punës për 74 policë të komuniteteve joshumicë që diplomuan ditë më parë. Prej tyre 45 janë serbë. Këtë e konfirmoi për Express, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Ai dje tha se policët e rinj janë shpërndarë në të katër komunat e veriut- Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Mirëpo ende pa e nisur punën mirë, ndaj policëve të rinj kanë filluar frikësimet dhe kërcënimet, për çka kanë reaguar ndërkombëtarët, por edhe kryeministri Kurti e presidentja Osmani.

Kurti, sot në një konferencë për media, fillimisht i uroi policëve të rinj fillim të mbarë, derisa i përgëzoi për kurajon dhe vullnetin e tyre.

“Më lejoni që t’i uroj fillim të mbarë të punës gjeneratës më të re të Policisë së Kosovës, veçanërisht nga radhët e komuniteteve joshumicë në komunat veriore. I përgëzoj ata për kurajon e tyre për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe vullnetin për ti shërbyer rendit dhe sigurisë në vend, sidomos 46 policët e rinj serbë”, deklaroi ai.

Kurti tha se janë të papranueshme fushatat kërcënuese ndaj policëve të rinj dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të reagojë zëshëm për këtë.

“Fushata kanale dhe platformat sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne dhe pse jam shumë i bindur që janë krejtësisht të shpërfillura prej vetë tyre. Ata sot janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse janë profesionistë të guximshëm dhe se kanë dashuri për vendin dhe e shprehin këtë duke kontribuar atij. Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushatë të organizuar linçimi e kërcënimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë dhe në të njëjtën kohë duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim kanë parandalimin e integrimit e plotë të tyre në jetën institucionale të Kosovës. Ata që integrohen jetojnë më mirë, u shpreh ai.

Ai tha se institucionet e Kosovës do t’i ofrojnë mbështetje të plotë policëve të rinj.

Mbështetje policëve të rinj u ka dhënë edhe presidentja Osmani. Ajo i ka dënuar kërcënimet ndaj tyre.

“I dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Reagimet e ndërkombëtarëve

Për frikësimet dhe kërcënimet e policëve të rinj kanë reaguar ambasadori amerikan, ai gjerman dhe shefi i Eulex-it.

Giovanni Pietro Barbano, shefi i EULEX’it në Kosovë, dje ka shprehur shqetësime për kërcënimet që kanë marrë policët e rinjë serbë. Ai tha se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.

”Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se frikësimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga radhet e komuniteteve është shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.

Rohde ka thënë se policët e rinj nga komunitetet meritojnë të gjithë mbështetjen, sidomos nga komunat dhe qytetarët ku ata janë të vendosur.

“Plotësisht dakord. Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke të Kosovës meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar Rohde, duke u pajtuar me qëndrimin e shefit të EULEX-it.

I shqetësuar për këto kërcënime, është shprehur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Kërcënimet dhe frikësimet e individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë janë komplet të papranueshme”, ka shkruar ai në Twitter.

Ai ka shkruar se Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“E kam thënë më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet ta pasqyrojë diversitetin e Kosovës”. /GazetaExpress/

 


Shtuar 26.07.2023 16:13

Tags: ,