RENEA, FNSH e Shqiponjat, çfarë ndodhi dhe kush u “skanua” në Elbasan
Elbasani është blinduar nga Policia në të gjithë hapësirën ku shtrihet qyteti, që prej orëve të mbrëmjes së djeshme. Pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në këtë qytet, raportohet se kjo është prania më e shumtë e konstatuar në këtë qytet. Në të gjitha kryqëzimet dhe akset rrugore të Elbasanit, si dhe nëpër lagjet kryesore të këtij qyteti, ka patrullime të forcave “Shqiponja”, RENEA dhe të FNSH-së.

Ndërkohë, mësohet se Policia është duke kontrolluar imtësisht përdoruesit e automjeteve dhe të gjithë personat me precedentë penalë. Ka pasur kontrolle të befasishme në biznese të ndryshme dhe në banesa.


Burimet zyrtare janë të rezervuara në dhënien e informacioneve, por mësohet se Policia është duke ushtruar detyrat e saj për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për parandalimin dhe zbulimin e aktivitetit kriminal që ushtrojnë persona të ndryshëm. Ky plan masash i Policisë së Shtetit vjen pas ngjarjes së rëndë të 22 marsit, ku mbeti i vrarë avokati Ravik Gurra, ngjarje e cila ende nuk ka asnjë autor të dyshuar.

Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra dyshohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë. Autori i dyshuar i ngjarjes, një person i maskuar, me kapele dhe me doreza, nuk ka lënë asnjë provë në vendin e ngjarjes, që mund të ishte në dobi të hetimit, shrkuana panorama. Avokati i Emiljano Shullazit u qëllua me dy plumba pas koke me një pistoletë me silenciator dhe asnjë nga dëshmitarët e pranishëm në lokal nuk kuptoi asgjë, deri në momentin që 50-vjeçari ra i vdekur në tokë.

Menjëherë pas krimit, forcat speciale RENEA zbarkuan në qytetin e Elbasanit, ku kryen kontroll banesash e ambientesh të ndryshme, duke shoqëruar më shumë se 30 persona, të cilët përfunduan sërish të lirë.

Asnjëri prej tyre nuk rezultoi të kishte lidhje me krimin. Burimet thanë se mes të shoqëruarve ishin edhe pjesëtarë të fisit Çapja, me të cilët viktima Ravik Gurra kishte miqësi dhe i kishte përfaqësuar disa herë si avokat. Hetimi për ekzekutimin e avokatit Gurra i ka kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda, si vrasje në rrethana të tjera cilësuese, për shkak të detyrës si avokat.
Shtuar më 01/04/2019, ora 13:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori