Rëndohet situata e Tahirit, faktet e reja çojnë në bllokimin e pasaportës
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk do të mund të udhëtojë më jashtë vendit pa marrë leje fillimisht nga Gjykata. Krimet e Rënda kanë caktuar ditën e djeshme një masë sigurimi personal ndaj ish-ministrit, që e ndalon atë të udhëtojë jashtë territorit të Shqipërisë.

Po kështu, Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë që të bllokojë edhe pasaportën e ish-ministrit Tahiri. Vendimi është marrë dje me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka dërguar në Gjykatë një material me të gjitha provat e saj për personin nën hetim, Saimir Tahiri.

Sipas Prokurorisë, Tahiri dyshohet se ka favorizuar Habilajt që të kultivonin dhe trafikonin drogë gjatë periudhës që ka qenë ministër i Brendshëm. Në dokumentin e Prokurorisë, listohen disa prova të forta nga organi i akuzës. Të parat janë përgjimet e kryera nga Prokuroria e Katanias kundrejt grupit të Habilajve, ku përmenden dhurata dhe bizhuteri, që pjesëtarë të grupit do t’ia dhuronin Tahirit.

Gjithashtu, mjeti, i cili përdorej nga Habilajt ka qenë i ish-ministrit Tahiri dhe rezulton se ai ka lëvizur me të edhe pasi e ka shitur pa akt noterial të të afërmit e tij. Pjesë e provave janë edhe të dhëna nga sistemi TIMS, ku Saimir Tahiri rezulton se ka lëvizur jashtë vendit me Orest Sotën, biznesmenit, të cilit Policia i gjeti 863 mijë euro të pajustifikuara në mjet.

Për origjinën e parave, Prokuroria dyshon se lidhen me ish-ministrin dhe se vijnë nga aktiviteti kriminal i shitjes së drogës. Tashmë, ish-ministri Tahiri pritet që të merret në pyetje nga Krimet e Rënda brenda pesë ditësh pas kësaj mase, si edhe ka të drejtë edhe ta ankimojë në Apel. “Panorama” sjell të plotë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në të cilin janë të listuara edhe provat që ka Prokuroria për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri

PROVAT

Në përgjimin ambiental, kryer brenda autoveturës “Fiat Bravo”, me targa DG 926 NA, në përdorim të Moisi Habilajt, ora 12:05, datë 16.12.2013, rezulton se në makinë ndodhet Sabaudin Çelaj, i ashtuquajturi Sabi.

Në orën 12:13:20, dëgjohet Moisi Habilaj që flet me Antoi Rjelën jashtë makinës dhe në orën 12:14:45, ai hyn në makinë dhe i thotë Sabit se ka marrë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për të ëmën. Sabi e pyet nëse kanë kushtuar shumë.

Moisi Habilaj: Mjaftueshëm.

Sabi: 1000 euro?

Moisi Habilaj: Sa?

Sabi: 2000 euro?…

Sabi: 500?

Moisiu: 700, e martë dreqi! 10 mijë lekë pa 1 mijë lek (do të thotë 9000 euro, shënim i hartuesit).

Sabi: Kaq shumë kishte marrë në total!

Moisiu: Kishte sjellë 20.

Sabi: 10 në gjithë ato.

Moisu: 2 byzylykë.

Sabi: 2000 euro?

Moisiu: 9000 euro, ishin 18 (18 mijë euro) dhe i bëri gjysmën.

Sabi: Ia dhe kesh në dorë?

Moisiu: Po. Sabi: Nuk është se ka ndonjë telekamera…ndonjë gjë? Moisiu: Jo, ajo është para Gjykatës.

Më pas, Moisiu sqaron se njërin prej byzylykëve ia bleu së shoqes dhe tjetrin nënës prej 4 mijë euro me diamante. Moisiu tregon për certifikatat e stolive që ka blerë dhe thotë se, nëse humbet ose ia vjedhin, duhet të bësh denoncimin dhe t’i sjellin prapë.

* * *

Në vazhdim të bisedës, Moisiu bën ca llogari me zë të ulët dhe thotë “100.000 euro byzylykë”, ndërsa Sabi i thotë se ai do të gjejë disa stoli të vjedhura se atij i duhet një varëse, një byzylyk dhe një orë.

Në vazhdim të bisedës, ora 12:31:10, të dy flasin për një burrë me pushtet me emër Saimir Tahiri, njeri i politikës.

Moisiu thotë: “Ka më shumë se ne ai”. Sabi replikon dhe këmbëngul se Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozicionit), por nuk beson se ka më shumë para se ata. Moisiu llogarit se në një muaj, Saimiri ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi thotë se ai paratë i shpenzon në fushatën elektorale. Moisiu i thotë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale.

Më pas, Sabi i thotë se e rëndësishme është që të mos bëjë pyetje, të mos thotë emra dhe të mos dalë emri që i kanë dhënë para atij. Moisiu i përgjigjet me jo dhe se nuk beson se do ndodhë. Sabi përsërit se ka frikë se nipi do flasë me të tjerë për atë që i ka dhënë para atij (duke nënkuptuar Saimirin).

Në orën 13:25:31, Sabi: Jemi mirë, nuk jemi keq. Zgjidhim ndonjë problem. Çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit, ta hajë dreqi!

Moisiu: Çfarë po thua?

Sabi: Çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit.

Moisiu: Pa mendo, përveç borxheve që kemi marrë… kemi 75 mijë lekë (75 mijë euro), që shkojnë automatikisht për “xhaxhain”. 30 duhet t’ia çoj Saimirit, bëjnë 60. /Panorama/

Shtuar më 13/12/2017, ora 09:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori