A po përfundon vërtetë epoka e Erdoganit?

Nga Adam Samson “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Partitë opozitare të Turqisë lanë më në fund mënjanë rivalitetet e ashpra midis tyre duke arritur të bien dakord për të gjetur një kandidat të përbashkët që do të të përballet në zgjedhjet e afërta me presidentin aktual Recep Tayyip Erdogan, një lider shumë i shkathët nëpër fushatat zgjedhore, një orator i talentuar, dhe që ka një kontroll pothuajse total mbi mediat turke.

Emri i tij u zbulua këtë javë. Ai është Kemal Kılıçdaroğlu, një ekonomist me një karakter të butë, që vjen nga një pakicë fetare që ka udhëhequr Partinë Republikane Popullore (CHP) përmes 2 humbjeve në referendume dhe 4 palë zgjedhjeve parlamentare, me rezultate gjithnjë e më të këqija.

Motivimet prapa kësaj zgjedhjes ishin komplekse. Por shpresohet që pas vitesh trazirash, represioni politik, një grusht shteti të dështuar, një krize të rëndë ekonomike dhe një tërmeti shkatërrues që ndodh një herë në shekull, votuesit e Turqisë mund të jenë gati për një president më të moderuar.

“Kur dalin përpara një turme, disa liderë lidhen natyrshëm me të. Kur Kılıçdaroğlu del para një turme . . . brenda 5 minutave që të gjithë nisin të shohin telefonat e tyre.”- tha Selim Koru, një analist në think-tankun Tepav me qendër në Ankara

Përzgjedhja si kandidat konsensual i Kılıçdaroğlu, që për 13 vjet ka udhëhequr partinë më të madhe opozitare të vendit, erdhi pas negociatave të gjata e të lodhshme midis 6 udhëheqësve partiakë – e ashtuquajtura Tavolina e të Gjashtëve – dhe ishte më e mira për t’u përballur me Erdoganin.

Kjo tregon ekzistencën e një sfide të menjëhershme për Kılıçdaroğlu, që duhet të bashkojë një koalicion të larmishëm që përfshin islamikë, nacionalistë dhe ata me prirje më liberale. Po ashtu ai duhet të vërtetojë se ka gjithçka që i duhet për të mposhtur Erdoganin e rrënjosur thellë në krye të vendit dhe për të drejtuar si duhet vendin në rast se fiton.

“Sigurisht Kılıçdaroğlu ka një popullaritet të kufizuar’- thotë Ali Çarkoğlu, profesor i shkencave politike në Universitetin Koç të Stambollit, duke vënë në dukje mangësitë e tij si një komunikues dhe folës në publik, sidomos nëse krahasohet me stilin bombastik të Erdoganit gjatë fushatave elektorale.

Berk Esen, asistent/profesor i shkencave politike në Universitetin Sabancı në Stamboll, mendon se Kılıçdaroğlu duhej të tregonte një “axhendë të qartë” për votuesit, në vend që të ishte thjesht kandidati anti-Erdoğan. Megjithatë, dyshimet mbi kandidaturën e tij u shfaqën edhe përpara shpalljes, kur Meral Akşener, udhëheqësja e Partisë së Mirë, e dyta më e madhe në koalicion, u tërhoq nga aleanca për shkak të shqetësimeve rreth përshtatshmërisë së tij.

Ajo u rikthye vetëm pasi koalicioni ra dakord për një marrëveshje, sipas së cilës nëse ai triumfon më 14 maj, kryebashkiakët e Stambollit dhe Ankarasë, dy nga politikanët më të njohur të vendit, do të bëhen zëvendëspresidentë të Kılıçdaroğlu, së bashku me 5 liderët e tjerë të opozitës.

Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, ishte parë deri vonë si një kandidat presidencial i mundshëm, përpara se të dënohej në fund të vitit të kaluar me gati 3 vjet burg, duke u përjashtuar gjatë kësaj kohe nga politika, një dënim për të clin ai tha se ishte i motivuar politikisht.

Çarkoğlu thotë se koalicioni ka “tashmë më shumë gjasa të fitojë” pasi ka përfshirë në fushatë kryebashkiakët e njohur të 2 qyteteve të mëdha. Por sipas tij do të jetë “jashtëzakonisht i vështirë” krijimi i një mesazhi të unifikuar me 7 kandidatë për zv/president me ideologji shumë të ndryshme.

“Avantazhi mbështetet tek numri i tyre, por kjo vetëm nëse mesazhet e fushatës janë të koordinuara mirë”- tha ai. Kılıçdaroğlu ka lindur në qytetin lindor, Tunceli, ku familja e tij ishin anëtarë të sektit të pakicës alevitë në një vend me një shumicë myslimane sunite.

74-vjeçari filloi karrierën e tij në Ministrinë e Financave. Më pas ka mbajtur poste drejtuese në Ministrinë e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore. Sipas biografisë së tij zyrtare, Kılıçdaroğlu u emërua burokrati i vitit nga revista “Economic Trend” në vitin 1994.

Ai dhe partnerët e tij të koalicionit po synojnë ta kthejnë sërish Turqinë në një demokraci parlamentare pasi Erdogan kaloi me sukses në një sistem presidencial, i cili e përqendroi pushtetin në duart e tij pas përpjekjes së dështuar për një grusht shteti në vitin 2016.

Koalicioni opozitar ka paraqitur një mori propozimesh që mbulojnë gjithçka nga korrupsioni deri tek pavarësia e bankës qendrore. Shanset e Kılıçdaroğlu për fitore janë rritur gjithashtu nga kritikat e mëdha për përgjigjen e dobët të Erdoganit ndaj tërmetit të madh të muajit të kaluar që shkatërroi pjesë të mëdha të Turqisë Jugore, një ngjarje që ka dëmtuar shumë perspektivat politike të presidentit turk, thotë Çarkoğlu i Universitetit Koç.

Gjithsesi Erdogan mbetet popullor, veçanërisht në mesin e turqve konservatorë dhe fetarisht të devotshëm, pavarësisht zemërimit për rritjen e çmimeve dhe zhvlerësimin e monedhës. Presidenti turk, që është në pushtet prej 2 dekadash, është një lider me shumë përvojë në fushata, dominimi i të cilit në media do t’ia bëjë shumë të vështirë opozitës që të përcjellë mesazhin e saj.

Ai pësoi rënie në sondazhe për pjesën më të madhe të vitit 2022, kur inflacioni u rrit në mbi 80 për qind, duke dëmtuar ndjeshëm standardet e jetesës. Por vlerësimet e tij u përmirësuan në mënyrë modeste disa muaj para tërmetit, pasi ai njoftoi ndërmarrjen e disa masave popullore, siç ishte rritja e madhe e pagës minimale dhe e pagave në sektorin publik.

Votimi i kurdëve do të jetë përcaktues në zgjedhjet e majit. Partia Demokratike e Popullit (HDP) pro-kurde, grupimi i tretë më i madh politik në Turqi, nuk është anëtare as e koalicionit opozitar dhe as e një aleancë midis Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdogan dhe Lëvizjes Nacionaliste, duke e bërë atë një lojtare kyçe në këto zgjedhje.

Esen nga Universiteti Sabancı thotë se HDP, që është përballur me goditje të forta nga qeveria e Erdoganit, do të tundohej të mbështeste qasjen me prirje më liberale të partisë së Kılıçdaroğlu.

Ai thotë se sheh ende “rrugë” se si mund të fitojë Kılıçdaroğlu, sidomos bazuar në faktin se 10-15 përqind e votuesve janë ende të pavendosur. Prania e 2 kryebashkiakëve të qyteteve kryesore në Turqi gjatë prezantimit zyrtar, e forcoi imazhin e tij, thekson Ensen.

Ndërkaq Koru i Tepav, vë në dukje se Kılıçdaroğlu është shfaqur më mirë në daljet e tij publike kohët e fundit, përfshirë fjalimin e tij triumfal në parlament këtë javë që “lidhej me njerëzit”. “Aktualisht në qarqet opozitare ka më shumë energji. Kılıçdaroğlu kishte ‘erën në velat e tij’, dhe kjo ndihej nga shumë kush që e ndoqi nga TV”- thotë Koru. /albeu.com


Shtuar 10.03.2023 10:52