Remzi Hoxha përzien sërish ujërat në politikën shqiptare
Debati mbi zhdukjen e Remzi Hoxhës është transferuar sot në Kuvend duke sjellë edhe reagime edhe të dëshmitarëve të rendësishëm të zhvillimeve të asaj periudhe si Mero Baze dhe Fatos Klosi. Sali Berisha është një ndër figurat më të akuzuar për zhdukjen e tij bashkë me kupolën drejtuese të Shërbimit Informativ Kombëtar të periudhë 1992-1997.

Nisur nga kjo, deputeti socialist Erjon Barçe i kërkoi Berishës që të flasë mbi rastin në fjalë duke qenë se ka drejtuar shtetin gjatë periudhës kur është zhdukur Hoxha. “Keni detyrimin si gjysh, si prind, si vëlla, t’i thoni asaj familje se ku janë eshtrat e Remzi Hoxhës. Të kërkoj vetëm një gjë, atë që e kërkon djali i tij për 20 vite me rradhë. Ia ke borxh ti , unë dhe të gjithë ne me radhë që t’i tregojmë eshtrat. Kjo është çështje që nuk duhet të marrë fund”, - u shpreh Braçe.

Nga ana tjetër Berisha theksoi se kjo ngjarje po përdoret politikisht dhe se nuk e kishte njohur Remzi Hoxhën më parë duke shpjeguar se për herë të parë problematikën në fjalë ia kishte ngritur Aem Demaçi. Berisha akuzoi gjithashtu Fatos Klosin, kreun e SHIK-ut gjatë qeverisjes së socialistëve pas vitit 1997 për zhdukjen e dosjes së Hoxhës. “Gjënë e parë që bëri Klosi (Fatos Klosi, ish-kreu i SHISH) zhduku dosjen e tij, nëse do ndokush sot janë dëshmitarët që e kanë ndjekur për dy dosje, dosja ndërtohet plotësisht, mendoni ju se Klosi po kursente, si ka mundësi për vitet që e drejtoi me krime nuk bëri hetimin, pse nuk e beri, si ka mundësi që Arben Rakipi nuk formuloi dot akuzën më të vogël”, - tha Berisha.

Këtij diskutimi i është bashkuar edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili deklaroi se do të bëhen përpjekje nga dikasteri i tij për të sjellë në Shqipëri Ilir Kumbaron, një tjetër funksionar i lartë i SHIK-ut në kohën kur u zhduk Remzi Hoxha.

Por debati nuk është mbyllur brenda sallës së Kuvendit, ai ka vijuar edhe në rrjetet sociale nëpërmjet një tregimi të Mero Bazes, gazetar i afërt me Berishën në atë periudhë si edhe të vetë Fatos Klosit. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Baze rrëfen se të vetmit persona që kanë pasur sjellje të ndryshme nga të tjerët kur pyeteshin për rastin e Remzi Hoxhës kanë qenë Berisha dhe kreu i SHIK-ut atëhere, Bashkim Gazidede.

Ja si shpjegon Baze: Vetëm dy persona më janë përgjigjur njëlloj dhe më kanë bërë të njëjtat pyetje. Ata ishin Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede. Të dy më kanë pyetur, ende pa më dhënë përgjigje, se ku e njoh Remzi Hoxhën dhe ua kam shpjeguar si ishim njohur. Të dy më kanë pyetur pa më dhënë ende përgjigje ku është, se ku e njihja unë ortakun e Remzi Hoxhës dhe ua kam shpjeguar. Të dy më kanë lënë të kuptoj të mos përzihem në këtë punë se “mund të jenë lojëra shërbimesh” dhe ai ortaku i tij “të ketë kujdes”. Dhe të dy, në fund më kanë thënë, “ne në fakt nuk dimë gjë ku është”, edhe pse më shumë më kanë drejtuar pyetje ata, sesa unë atyre.

I akuzuar nga Berisha, Klosi theksoi se nuk kanë gjetur asgjë në lidhje me Remzi Hoxhën në arkivat e SHIK-ut kur ai u emërua në krye të këtij institucioni. "Kur bëhen punë të pista, gjëja e parë që bëjnë është zhdukja e dosjeve. Kanë pasur dosje më parë, por pasi u mbeti në dorë i zhdukën", - tha ai.

Zhdukja e Remzi Hoxhës është një ngjarje e rendë e fillimit të viteve të demokracisë në vend. Kanë kaluar 20 vjet që nga zhdukja e tij dhe ende nuk është zbuluar realisht se çfarë ka ndodhur me të, ndërsa çështja hapet herë pas here si diskutim publik, sa herë se e majta ka ndonjë “mesazh” për t’i dhënë Berishës. /Albeu.com/
Shtuar më 05/11/2015, ora 19:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori