Rehabilitohet Kodra e Currilave në Durrës (FOTO-LAJM)

Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, Ministri i Mjedisit Lefter Koka inaguroi fillimin e punimeve për rehabilitimin e Kodrës Vilë e njohur ndryshe si Kodra e Currilave në qytetin e Durrësit.

“Në Ditën Botërore të Mjedisit po nisim zbatimin e projektit të rehabilitimit dhe pyllëzimit të Kodrës së Currilave, duke nisur një punë konkrete që do të ketë impakt tejet të madh për qytetin e Durrësit. Kjo zonë ka qenë shumë problematike për qytetarët pasi gjatë reshjeve të shiut rrezikonte banorët dhe kalimtarët me rrëshqitjen e dherave. Ne jo vetëm do të zgjidhim problemin e rrëshqitjes, por edhe do t’i ofrojmë qytetarëve një park të bukur, të gjelbërt, të aksesueshëm për qytetarët dhe vizitorët. Me këtë projekt i japim rëndësi të vecantë gjelbërimit dhe mbrojtjes së ekosistemit”- tha Ministri i Mjedisit duke shtuar se projekti do t’i shërbejë turizmit dhe zhvillimit ekonomik.

Projekti për rehabilitimin e Kodrës Vilë është hartuar dhe financuar nga Ministria e Mjedisit. Ky projekt transformon Kodrën Vilë, nga një zonë me rrëshqitje të herëpashershme të dheut mbi shtëpi banimi, madje dhe mbi Universitetin “Aleksandër Moisiu” në një park të gjelbërt dhe të aksesueshëm për qytetarët.

Projekti përfshin sigurinë teknike me rrjeta mbajtëse dhe mbjellje me pemë dhe me bar, në mënyrë që kjo kodër jo vetëm të mos rrëshqasë më, por të jetë një vend frekuentimi nga qytetarët durrsakë. Projekti parashikon një pedonale, stola, ndricim, vend për biçikleta etj. Përvec rehabilitimit do të realizohet edhe pyllëzimi i Kodrës. Fidanët që do të mbillen janë akacie, oleandër, rrap, selvi etj. Në total kostoja e projektit është 240 milionë lekë të reja (me TVSH). /albeu.com/
Shtuar më 05/06/2014, ora 11:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori