Regjistrimi i IMEI, Berisha: Akt amoral, Shqipëria e dyta pas Koresë se Veriut
Pëlqej
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri Berisha, e ka cilësuar akt të ulët kërkesën për regjistrimin në polici të IMEI-t të celularëve.

"Regjistrimi i IMEI-t të celularit, kodit të privatësisë së qytetarit është akti më i ulët, më amoral, më policesk i klikës Rama–Meta". Kështu shkruan Berisha, në postimin e radhës.

“Ne bëhemi vendi i dytë në Botë pas Koresë së Veriut, që detyrojmë qytetarët të regjistrojnë në polici IMEI-n e celularëve, kodin personal të privatësisë dhe intimitetit të tyre në fushën e komunikimeve dixhitale.

Me këtë vendim monstruoz, Edvin Kristaq Rama, kërkon që një arritje madhore të jetës së qytetarëve shqiptarë, që sot kanë përdorimin e telefonave celulare mbi 184%, pra mbi mesataren e BE, t’ua kthej sipas qefit të qeverisë, në një fatkeqesi, duke ju kontrolluar por dhe fallsifikuar nëpërmjet tij, çdo gjë private dhe intime në komunikimet e tyre”, thekson Berisha.

Në vijim, ish-kryeministri shkruan se: “Me këtë vendim të ulët, amoral dhe policesk, Edi Rama, nipi i persekutorit mizor të inteligjences teknike shqiptare, famëkeqit Spiro Koleka, dhe i biri i njeriut që firmosi varje dhe ekzekutime qytetarësh të pafajshëm në fundin e viteve '80, autorizon veten dhe fallangat e tij, të futen si hije të zeza e të spiunojne, të kontrollojnë, të manipulojnë për qellime dhe interesa të tyre çdo komunikim, bisedë, mesazh, Facebook, E-mail, Viber, Skype, në Internet, Google që qytetaret bëjnë për qëlime strikt private, miqësie, biznesi, dashurie, malli, gëzimi, hidhërimi, fejese, dasme, vdekje dhe të çdo natyre tjetër”.

“Ky vendim i turpshëm, i përçudnuar është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Shqipërisë, nenet 35 dhe 36 të saj që garantojnë “lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës dhe të çdo mjeti tjetër komunikimi”.

"Ky vendim vjen në shkelje flagrante me vendimin e Gjykatës Europiane, që urdhëron qeveritë dhe kompanitë të mos prekin, të mos ruajnë IMEI-n dhe të dhenat e tjera private të qytetarëve.

Këtë vendim paranojak, këtë dënim kolektiv, siç tha dje zëdhënësja e Rames, kushurirë Koleka, qeveria Rama–Meta e mori me pretendimin qesharak për të luftuar kontrabandën e celularëve.

Kësaj i thone të konsiderosh dhe të shpallesh çdo qytetar kontrabandist. Ju bëj thirrje qytetarëve të reagojne me çdo mjet demokratik dhe mosbindje civile në mbrojtje të lirisë, dinjitetit të tyre, privatësisë së komunikimit të tyre, të drejtës së tyre kushtetuese për fshehtësinë e komunikimit, duke mos dorëzuar IMEI-n e celularit të tyre.

Ju bëj thirrje kompanive celulare të zbatojne vendimin e Gjykatës Europiane dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe të mos shndërrohen në një mjet terrori psikologjik të regjimit policesk të neo-bllokmeneve, por të sillen si kompani seorioze europiane, ashtu sikurse dhe janë!!”, përfundon komentin në rrjetin social Berisha./albeu.com/
Shtuar më 06/08/2014, ora 15:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori