“Një djalë që s`merr gjakun e babait, s’është djalë”, Klodiana Lala bën rrëfimin e ndjerë: Florian, ne të bëmë vrasës!

Nga Klodiana Lala

“Kam vrarë një person”. I zverdhur në fytyrë, i tronditur dhe me duart që i dridheshin, e la pistoletën në një tavolinë në sallën e pritjes në Komisariatin e Policisë së Lezhës. Sara Curraj nuk e dinte që përballë kishte një 17-vjecar që kishte tërhequr këmbëzën për të marrë gjakun e babait. Ai ishte Florian Përvathi. Nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t’u arratisur. Hapin e kishte ndalur në derën e policisë. Oficerja me uniformë i vuri prangat. Sepse, personi përballë saj kishte pranuar një krim të rëndë.

Me urgjencë, policia u nis në kërkim të vendit të ngjarjes. Në Manati, në afërsi të ambulancës mjekësore të fshatit, u gjet përmbys një person. Ishte qëlluar për vdekje me gjashtë plumba. Viktima u identifikua si Lek Lekgjonaj. Ishte krejt e qartë. Floriani kishte vrare per gjakmarrje. Ai ishte vetëm 4 vjeç, kur babai i tij Gjon Përvathi u qëllua për vdekje nga Ndue Lekgjonaj. Ishte viti 2009. Dy bashkëfshatarët u zunë për rrugën, se cili prej tyre do të kalonte i pari. Në sherr e sipër Lekgjonaj i mori jetën babait të Florianit.

Tragjedia në familjen e të voglit s`u ndal këtu. Nëna piu helm dhe po atë ditë ndërroi jetë. Floriani u rrit jetim. U rrit në të njëjtin fshat e përditë përballej me familjarët e Ndue Lekgjonaj, vrasesite te babait te tij. Drejtësia si në shumicën e rasteve nuk bëri drejtësi.

Katër vite pas krimit, Ndue Lekgjonaj rifitoi lirinë. Ai e la Shqipërinë. Por familja e të vëllait jo. Ndërsa Floriani rritej, zemërimi mes dy familjeve shtohet. “Nuk kishim marrëdhënie të mira me ata si familje e as si fshatarë”, iu tha hetuesve xhaxhai i Florianit, Bardhok Përvathi. Banorët e zonës, Aleks Ndoj e Gjokë Ndoj, rrudhën supet. “Nuk dëgjuam krisma. Ishim duke punuar me matrapik e gur fresibël. Bëjnë zhurmë”, shpjeguan. Leandro, shoku i Florianit, ishte i fundit që e takoi para se ai të shkrepte armën. “Nuk mu duk i shqetësuar. Qëndruam bashkë 15 minuta. U largua, por nuk më tha ku do shkonte”, rrëfeu mes të tjerash 17-vjeçari.

Floriani e kishte vendosur. Do t`i merrte jetën vëllait të vrasësit të babait. Këtë e kishin mësuar të bënte. E kishin shtyrë të bënte. Teksa Floriani rritej, të gjithë kthenin kokën në fshat. “Një djalë që s`merr gjakun e babait, s’është djalë”, mërmëritej mes banorësh. E Floriani do të duhej të dëshmonte se ishte burrëruar. Se për të, rëndësi kishte të merrte gjakun siç e do Kanuni. Pa pyetur për pasojat. Pa pyetur se do të kalbej burgjeve. Se jeta e tij do të shkatërrohej.

Askush nuk e dëgjoi Florianin. Askush nuk i mësoi se jeta vlen. Se duhet të shkollohej e të shihte përpara. Se për vrasjen e babait duhet të vepronte ligji (për fat të keq nuk veproi). Floriani u shty drejt aktit ekstrem. U bë vrasës. Sot, isha në Lezhë. Më tronditi kur dëgjova disa zëra: “Mirë ja bëri se hak mori”. Floriani nuk duhet të ishte shndërruar në vrasës. Ne, të gjithë duhet ta shpëtonim. Por nuk mundëm.

Sot, unë ndihem keq. Sepse jam një prej atyre që duhet ta kisha ngritur edhe më shumë zërin. Duhet të ndihen keq edhe mësuesit edhe policët, prokurorët, gjyqtarët, politikanët. Ne nuk jemi aty, kur Floriani e të ngjashmit e tij klithin për ndihmë. Duhet ta pranojmë Florian që Ne të vëmë vrasës. Por, duhet të të them se duhet ta vuash deri në fund dënimin./albeu.com